Imzot Semeraro: Papa na fton t’i konsiderojmë pushimet takim me Zotin dhe me të afërmin
Edhe në pushimet verore, duhet të zbulojmë “bukurinë e lutjes së përditshme”: kështu
na këshilloi Papa dje, gjatë audiencës së përgjithshme në Kastel Gandolfo. Vetë Benedikti
XVI ia kushton pushimet lutjes, studimit dhe shkrimit të librave, por edhe shëtitjeve
e çasteve të gëzueshme me besimtarët e qytetit italian, fare pranë Romës. Ipeshkvi
i Albanos(dioqeza në të cilën bën pjesë Kastel Gandolfo), imzot Marçelo Semeraro na
tregon disa anekdota: Po nënvizoj
disa aspekte publike, të këndshme. Të dielën, ishin të pranishëm në Lutjen e Engjëllit
të Tënzot një grup seminaristësh nga Otranto, që këndonin. Papa i dëgjoi, i pa se
ku ishin dhe ia dha këngës bashkë me ta. Nganjëherë, sidomos të dielave, në fund të
shëtitjes në Vilat papnore, Papa hyn nga jashtë në Pallatin Apostolik, duke kaluar
nga sheshi artistik i Kastel Gandolfos. Ndalet për të përshëndetur fëmijët e njerëzit,
që ndodhen aty, në atë çast. Janë aspekte humaniteti, që më duken shumë të bukura. Cilat
do të jenë nismat e dioqezës së Albanos për të festuar 15 gushtin, Zojën e Madhe,
së bashku me Papën? Kjo traditë u përurua nga Papa Gjoni XXIII dhe u vazhdua
nga papët e mëvonshëm. Këtë vit, kremtimi i meshës do të jetë i veçantë, sepse kisha
famullitare ka qenë mbyllur për disa muaj, për shkak të restaurimit. Prandaj, Mesha
që do të kremtojë Papa më 15 gusht do të jetë edhe rast për t’ia paraqitur publikut.
Kisha, ndërtesë kulti, duhet të jetë e bukur, sepse e bukur është ajo shtëpi e Zotit,
që jemi ne.