2012-08-09 15:13:51

Historiku i dioqezës së Sapës


Hyrje

Çdo strukturë, institucion, send apo njeri e ka një zanafillë të vetën e cila i përcakton moshën ose vjetërsinë e saj. Njerëzit flasin me paradokse në jetën e tyre për t’i treguar gjërat në mënyrë sa më të qartë, me tonalitet, me vlerë dhe me forcë. Ndër krahasimet që zakonisht përdoren për të treguar themelimin në të kaluarën si mënyrë identifikimi në të sotmen, thonë: “jemi shumë të rinj dhe njëkohësisht të vjetër.” Epiteti “ I ri ” i atribuohet moshës së përsonit ose edhe gjallërisë së tij ose të popullit që i përket, ndërsa “I vjetër” i atribohet vendit ku banon ai dhe ku kanë banuar të parët e tij. Këta dy fjalë janë shprehëse të dy kategorive të veçanta të njeriut, strukturës apo dhe të institucjonit. Këto dy fjalë përshkruajnë vitalitetin dhe autoktoninë që do të thotë përshkruajnë jetën në tërësinë e plotë të saj
Kështu mund të flasim edhe për jetën e institucionit të Dioqezës tonë të Sapës. Ajo është aq e re, aq sa edhe e vjetër. Duke iu referuar “Dioçezi i Sapës” i Dom Gaspër Gurakuqit, ne mund të kemi disa të dhëna të sakta mbi zanafillën dhe shumë të përafruara me realitetin për ecurinë e dioqezës së Sapës që nga themelimi i saj dhe deri në vitin 1941, vit ky i botimit të librit të tij “ Dioçezi i Sapës ”.
Në ditët e sotme, në vendin tonë, flitet shumë për komb dhe për dallimin e tij nga kombet e tjera. Kjo në veçanti ndjehet dhe është shumë më e mprehtë tek ne shqiptarët që ndoshta për arsye se akoma nuk e kemi kaluar fazën e formimit si komb, ashtu siç e kanë kaluar kombet e tjera perëndimorë rrahim vazhdimisht në këtë çështje. Në ditët e sotme ka shumë shtete me qeveri dhe pavarësi të vetën. Përpara 700 – 800 vjetësh nuk ka qenë kështu. Ne kërkojmë të jemi një popull i lirë në trojet tona, por trojet ku kanë banuar të parët tanë përpara dyndjes së sllavëve shtriheshin që nga lumi Danub në Veri dhe deri në Prevezë në Jug.
Duhet thënë se lëvizjet e popullsive dhe pushtimet kanë qenë të shumta dhe të herëpashershme. Të parët tanë kanë ndodhur në kapërcyell të dy perandorive më të mëdha dhe më të fuqishme të kohërave të hershme dhe vendi ynë shpeshherë luante rolin e kufirit, gjë kjo që shkaktonte ndezje të shpeshta luftërash.

Kalendar paraprirës

Pas vdekjes së Manuel Komnenit më 1180, Mbretëria e Lindjes që quhej edhe e Bizantit filloi të binte ndjeshëm dhe njerëz të tjerë më të fuqishëm, brenda kësaj perandorie, kërkuan të merrnin në dorë zotërimet e saj dhe ta zhvendosnin qendrën nga Kostandinopoja në vendet e tyre.
Menjëherë, mbreti serb i Rashës, Stefan Nemanja pushtoi shumë prej tokave të mbretërisë së Bizantit dhe kërkoi të vendoste hegjemoninë e tij në këto territore. Në atë rast nuk e pati aspak kundërshtimin e pasuesit të Manuelit, Isak Angelos.
Kështu serbët e Rashës u shtynë anekënd territorit të Shqipërisë. Përvetësuan Tivarin, Ulqinin, Shkodrën, Durrësin, Beratin, etj.
Nën dinastinë e Nemanjajve, qytetet e pushtuara morën një hov të ri zhvillimi. Tivari p.sh. jo vetëm që pati liri qeverisjeje, por arriti të presë edhe pare të vetën, arqipeshkëvia u zgjerua për së tepërmi me ipeshkëvi të reja, si: me atë të Ballezës, të Dejës, të Kunavjes, të Sapës, të Shkumbinit etj.
Pikërisht në këtë kohë u themelua dhe Dioqezi i Sapës.
Data dhe viti i themelimit të Dioqezës së Sapës nuk kanë qenë të mundshme të dihen deri vonë prej nesh, thotë Dom Gaspër Gurakuqi, mgjs At Danjel Farlati i qe vënë me këmbëngulje kërkimit të dokumentave për “Illyricum Sacrum.”
Por, pas botimit të “Acta et Diplomata Res Albaniae Mediae Eatatis Illustrantia,” të magnatit hungarez Dr. Ludëig Von Talloczy me shokë, e “t’ Illyrich Albanische Forschungen” i të njëjtit autor, jo vetëm që jemi të sigurtë për vitin 1291, por kemi edhe disa të dhëna mbi rrethanat që e përcjellin themelimin e saj.
Me sa duket qytetin e Sapës e patën rrënuar urdinat e tartarit Kaduin rreth vitit 1240, urdina të cilat patën rrënuar edhe qytetet e Svaçit dhe të Drishtit në rrethin e Shkodrës.
Por në vitin 1291 në krahinat e Shqipërisë, përbri sllavëve ndjekësit e katolikëve të hershëm të qytetit së bashku me të tjerë të ardhur e përtërinë qytetin e Sapës dhe kërkuan një ipeshkëv. Ipeshkvi iu dha kësaj dioqeze pas lutjeve të mbretëreshës katolike të Serbisë, Helenës dhe të Arqipezhkëvit të Tivarit, në bashkëpunim me urdhërin françeskan dhe domenikan të Raguzës nga papa i atëhershëm Nikolla IV. Dioqeza u quajt Sappatensis dhe ipezhkëvi, Episcopus Sappatensis.
Ipeshkvi i parë i kësaj dioqeze qe bërë PJETRI, prift, i cili u shugurua ipeshkëv prej Arqipezhkvit të Tivarit, Mikelit, dhe qe pranuar nga papa Nikolla IV me 11 Qershor 1291. Këtu është dhe zanafilla e dioqezës së Sapës.

Selia Ipeshkëvnore e Sapës në shekuj

Sapa u zgjodh të bëhej ipeshkvi për arsye se ishte një qytet i rëndësishëm i atyre kohërave.
Në kohë të Hahnit, d.m.th. në vitet 1860 qytetit të Sapës i lokalizohej vendi në rrëzë të Malit të Shën Mëhillit dhe në një përshkrim të vitit 1685 thuhet se lokalizohej përbri malit të Shën Ejllit, ku, në kohën e Dom Gaspër Gurakuqit dalloheshin akoma disa teprica të vjetra muresh.
Ka shumë mundësi që qyteti të ketë qenë në mes të dy maleve, malit të Shën Mëhillit dhe malit të Shën Ejllit, në një zonë fushore ku i thonë Fusha Frange, te Guri i Sumës në Tanushë, sidomos në lagjen Bardhaj, ku gjendej atëherë ipeshkvia.
Duhet theksuar se mali i Shën Mëhillit dhe mali i shën Ejllit nuk janë dy male por një mal i vetëm. Mali i Shën Mëhillit thirrej ai krah ku ka qenë Kisha e Shën Mëhillit ndërsa Mali i Shën Ejllit ai krah ku ka qenë Kisha e Shën Ejllit. Kisha e Shën Ejllit thuhet se ka qenë në majë të Shitës së Hajmelit, ku në kohën që shkruan Dom Gaspër Gurakuqi ka qenë i ndërtuar vetëm një elter dhe disa teprica muresh.
Selia ipezhkëvnore e Sapës, përpara ka qenë te Kisha Katedrale e Shën Mëhillit. Përpara më shumë se 100 vjet, në këtë Kishë thuhej mesha me rastin e të kremtes së Kryeengjëllit Mëhill. Kjo Kishë ka qenë famullitare, sepse në të thuhej mesha dhe bëheshin funksionet deri sa një pjesë e pat rrënuar turku pak para ipeshkëvit Gjergj Palma (1583). Këtu kanë qenë edhe varrezat e famullisë së Nënshatit, gjë kjo që vërtetohet se edhe një prej lagjeve të Nënshatit, Skarramani, para 100 vjetësh, i shtinte aty të vdekurit e vet.
Pas kësaj selia ipeshkvnore nguli në Shkrep të Nënshatit, përbri Kishës së Shën Gjergjit, e cila me kohë pati mbetur Kishë Katedrale dhe famullitare.
Ipeshkvi Severini e shpërnguli përsëri ipeshkvinë dhe rreth vitit 1860 e vendosi ku ka qenë funksionale deri në vitin 1967 dhe jo funksionale pas këtij viti dhe deri më sot, pra me fjalë të tjera rrëzë malit të Shën Mëhillit ku pati qenë lagja Bardhaj.
Qyteti i hershëm i Sapës është zhdukur, por selia ipeshkvnore e Sapës ka arritur të mbijetojë dhe në kohën e Dom Gaspër Gurakuqit numëronte 16 234 katolikë me 22 famulli, 9 në Pukë: Dush, Kçirë, Qelëz, Koman, Iballë, Berishë, Kryezi, Dardhë, Fierzë; 13 në Zadrimë: Laç, Naraç, Hajmel, Nënshatë, Troshan, Blinisht, Kodhel, Gjadër, Dajç, Babë (Mabë), Pistull, Plezhë (Shkjezë).
Ndër famullitë e Pukës, tri zotëroheshin prej Etërve Françeskanë (Berishë, Iballë, Fierzë), si dhe famullia e Troshanit në Zadrimë. Famullitë e tjera, që të gjitha zotëroheshin prej famullitarëve dioqezan të dioqezës. Kodheli administrohej prej famullitarit të Nënshatit, ndërsa Plezha prej atij të Pistullit. Në Troshan ndodhej Kuvendi i Françeskanëve, ndërsa në Nënshatë ai i Stigmatineve. Ishin dy dekanate: një në Dajç për fushën e Zadrimës dhe një në Qelëz për krahinën e Pukës. Selia ipeshkvnore ndodhej si gjithherë në Nënshatë, ku dikur ishte qyteti i Sapës. Statistika më e hershmja që dihet deri më sot është ajo e Shtjefën Gasparit, Vizitator Apostolik (1671) ku përmblidhet se dioqeza e Sapës në atë vit numëronte 1075 shtëpi me 9 226 katolikë. Më vonë kemi statistikat e imzot Borçit (1832 – 1834) ku shkruan se dioqeza ka 2024 shtëpi katolike dhe me 15 492 frymë. Së fundi statistikat e imzot Nevjanit 1893, numëron 17 550 frymë. Duke e krahasuar statistikën e Nevjanit me atë të kohës së Gurakuqit, popullsia duket në mungesë të madhe, gjë e cila s’është e vërtetë, sepse statistika e fundit nuk përfshinte Grykën e Gjadrit, Shllakun dhe Mazrrekun, që pas Nevjanit i’u shkëputën kësaj dioqeze dhe iu bashkangjiten dioqezës së Shkodrës. Në kohën e Nevjanit këto përbënin një popullsi prej 1 213 frymësh.
Në kohën e Dom Gaspër Gurakuqit, dioqeza kishte një sipërfaqe prej 1 270 km2. Për kufij kishte nga veriperëndimi lumin Drin dhe nga juglindja dioqezat e Mirditës dhe të Lezhës.
Duhet theksuar se, kur qe themeluar dioqeza, nuk ka qenë me këta kufij që përmendëm, por ka qenë shumë më e vogël. Në kohën e themelimit të dioqezës së Sapës qenë formuar dhe dioqeza e Dejës dhe shumë më jetike se këta të dyja ipeshkëvia e qytetit të Sardës.

Ipeshkvijtë e Sapës.


Radha e ipeshkvijve të dioqezës së Sapës fillon me Pjetrin me 11 Qershor të vitit 1291. Ndoshta edhe për mungesë dokumentash ose për arsye të tjera, kjo nuk dihet, radha shkëputet për pak kohë.
Më i pari pas Pjetrit qe vënë Pali, nuk dihet se në cilin vit. Sipas një dokumenti të Papës Gregori XI në vitin 1376 pas Palit, në dioqezën e Sapës emëron Benevenulin, i urdhërit françeskan. Ky e mbajti selinë për 20 vjet.
Pas tij Bonifaci I emëron më 1386 Pjetër Zakarinë. Pas Pjetrit vjen Nikolla, më 1414. Ky qe viti kur Koy Zakaria u Kthye në Kishën Romake. Pas Nikollës, në Mars 1422 u emërua Mikeli, kanonik i Kishës së Sapës.
Në Korrik të vitit 1425 u zgjodh Pjetri III, i cili qe abat i Shën Sergjit të Bahut në Dioqezën e Shkodrës.
Këtij i qe dhënë dhe një manastir në dioqezën e Drishtit, që siç dukej duhet të ketë qenë manastiri i S. Joannis de Strilalio, sepse ky manastir i qe dhënë edhe Mateut, pasuesit të tij për arsye se dioqeza e Sapës kishte të ardhura tepër të pakëta.
Mateu i përkiste familjes Hermollaji në Arbëri. Kjo familje i kishte dhuruar dioqezës së vet 6 ipeshkëvij. Edhe ky qe dërguar në dioqezën e vet, të Arbërisë më 1446, pasi një vit më parë duke u ndodhur në Itali kishte marrë pjesë në Konçilin e Firences.
Pas Mateut, prej Eugenit IV, qe zgjedhur Gjergji, arqiprift i Kishës S. Michaelis de Plebe në Padovë. Deri më 1451 Gjergji sundonte dioqezën e Sapës. Me 1460 qe sjellur këtu Emanueli nga Shkodra, që s’dihet se sa sundoi. E ndoqi një anonim. Me 1472 ky anonim qe dërguar tjetërkund dhe në vend të tij qe sjellur Marin Suma, në vitin 1473.
Marini qe liruar nga pagesa e tagrit të Papës duke qenë se Kisha e Sapës ishte rrënuar dhe shkatërruar prej turqve.
Pas Marinit i qe dhënë ipeshkvia Gabrielit, françeskan më 1479, por ipeshkëv nuk u bë, sepse duket se nuk e pranoi.
Në mbarim të Nëntorit 1489, Sapa shkoi nën administrimin e dioqezës së Lezhës, nën Blasin, i cili u vu ipeshkëv atë vit në atë seli. Kjo nuk zgjati shumë, sepse në janar të vitit 1490 Sapës iu dha ipeshkëvi i vet Prosdoçimi. Me këtë ipeshkëv u bë bashkimi i përjetshëm i Sardës me Sapën në vitin 1491. Prosdoçimi vdiq më 1500.
Më 1501 emërohet Pjetër Stërbinja.
Më 1508 pas Pjetrit në seli vjen Domenik Garcia, françeskan.
Më 1512 Ambroz Montesini.
Më 1513 Gjergji.
Më 1514 u zgjodh Didak Fernandes, domenikan.
Më 1516 Anonim, ndoshta Pjetër Tallors.
Më 1518 pas tij Joannes Bonaventura de Valderame.
Më 1521, u zgjodh Alfons Cavalciri, françeskan.
Më 1502 ndoshta për shkak se Sulltani u bë zot i gjithë Shqipërisë, për 50 vjet rresht dokumentet heshtin për ipeshkvijtë e Sapës.
Më 1578 heshtjen e then Jossol Bardhi, i shtëpisë së Bardhajve të Sapës.
Ipeshkvijtë që i dha dioqezës shtëpia e Bardhajve janë: Jossol Bardhi, Nikoll Bardhi, Gjergj Grili ose Bardhi, dhe Frang Bardhi.
Më 1583 kanonik dhe primiçer i Metropolit të Tivarit, Gjergj Palma, u bë ipezhkëv kur kishte moshën 50 vjeç.
Më 1594, u zgjodh Nikollë Bardhi, i kërkuar edhe nga populli. Në vitin 1620 u zgjodh ipeshkëv Simon Gjeçi, i lindur në dioqezën e Arbërisë.
Më 1621 e merr selinë Pjetër Budi.
Më 1623 pas Budit del përsëri një i shtëpisë së Bardhajve Gjergj Grili, i biri i të vëllait të Nikollë Bardhit.
Më 1635 u zgjodh Frang Bardhi.
Me vdekjen e Frang Bardhit kërkoi të vinte përsëri Gjergj Grili dhe qe sjellë në seli në vitin 1644.
Më 1647 vjen Simon Suma. Me të ardhur në Sapë u detyrua të largohej, sepse në atë kohë zhvillohej lufta e Kretës mes turqve dhe venedikasve. Më 1625 Simoni hoqi dorë prej dioqezës.
Në këtë kohë që mungonte Simoni, administrimin e Sapës e mori dioqeza e Lezhës. Simoni u kthye përsëri në dioqezën e tij dhe qe zënë prej turqve në vitin 1659.
Më 1673 në dioqezë vjen Shtjefën Gaspari.
Më 1682 në dioqezë vjen Martin Jeliç dy vjet pas vdekjes së Shtjefnit.
Më 1685 Gjergj Teodori.
Pas tij vjen Egidius Quincus ose De Martino.
Ky u gjet ne Konçilin e vitit 1703. Papa Klementi XI e zgjodhi ipeshkëv të Sapës më 1707.
Më 1719 qe vënë Marin Gjini.
Më 1720 Gjon Gallata.
Më 1738 Vasil Lindi.
Më 1746 Lazër Vlladanji që më 1749 qe dërguar në Tivar.
Më 1750 Gjergj Vlladanji.
Me 5 Gusht 1765 Nikollë Lindi.
Pas tij Gjon Logoreci.
Më 1796 Ndoc Radovani.
Pas tij vjen Mark Negri.
Më 1822 Lekë Suma.
Më 1827 Lazër Vlladanji.
Më 1829 Pjetër Borçi.
Më 1840 Gjergj Labella. Ky pati një konflikt me Pjetër Zarishin.
Pas Labella, me 01. 02. 1845, në seli vjen Pjetër Severini.
Me këtë ipeshkëv është e përcjellur edhe një statistikë mbi famullitë e dioqezës së Sapës.
Më 1783 Giulio Marsilli, françeskan
Më 1890 Lorenc De Petris.
Më 1893 Gabriel Nevjani, françeskan.
Pas tij Joakin Serreqi, françeskan, që nuk pranoi dhe në vend të tij qe sjellë Lazër Mjeda.
Pas tij Jakë Serreggi.
Me 21 Qershor 1911 - Gjergj Koleci.
Më 1928, Gaspër Thaçi. (Administrator Apostolik).
Me 13 Qershor 1928 - Zef Gjonali.
Pas Gjonalit, më 1935 Vinçens Prendushi.
Më 1940 Gjergj Volaj. Ky ishte ipeshkëvi i fundit i dioqezës së Sapës që arriti të shkojë deri në vitin 1947. Në atë vit ky u pushkatua dhe dioqeza mbeti pa ipezhkëv dhe kaloi nën administrimin e ipeshkëvit të Shkodrës deri në vitin 1967. Pas këtij viti dhe deri më 1993, ipezhkëvia mbeti pa ipeshkëv dhe pa administrim.



------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Këto të dhëna janë marrë nga libri i Dom Gaspër Gurakuqit: “ Dioçezi i Sapës ”, botuar në vitin 1941.


Dioqeza e Sapës në shtigjet e errta të diktaturës


Siç shihet nga përshkrimi që kemi bërë, dioqeza e Sapës ka një traditë të hershme dhe të lashtë me një histori me mjaft oshilacjone ( luhatje ) për shkak të pushtimeve të shumta dhe të gjata. Këtu flitet për pushtimin për afro 5 – shekullorë osman.
Por mgjt Zoti e ka ruajtur ndezur dritën e tij në këtë dioqezë që nga themelimi i saj e deri në ditët tona.
Siç duket ato që Zoti i do më shumë, i provon edhe më shumë.
Kjo frazë nuk ka për qëllim të justifikojë të gjitha ngjarjet negative që kanë ndodhur në dioqezën e Sapës por të tregojë se Zoti e ndërton dhe shkruan historinë e tij edhe në vija të shtrembëra dhe pa asnjë lloj shprese për të shkruar në të.
Por historia e një krahine, dioqeze apo edhe vendi nuk mund të merret kryekëput e shkëputur dhe e izoluar në vetvete, pa marrë parasysh dhe historitë e krahinave, dioqezave dhe vendeve që i kufizojnë ato. Ajo histori merr kahet dhe zhvillimet e vendit që i përket dhe vendi merr kahet e zhvillimit në drejtim të vendeve më të forta dhe më me influencë në të.
Kjo gjë vërtetohet më së miri edhe për vendosjen e sistemit komunist në Shqipëri për afro 50 – vjet.
Gjatë kësaj përiudhe kohore breshëri s’do të ndalonte së godituri Kishën Katolike në Shqipëri në të gjitha dioqezat e vendit pa përjashtim. Sistemi i atëhershëm kërkoi që Kisha të shkëpuste lidhjet me Vatikanin dhe të shpallej Kishë Kombëtare. Kjo kërkesë nuk u pranua dhe sulmi ndaj Kishës u bë i pashmangshëm dhe I pamëshirshëm në të gjitha dioqezat.
Deri në atë kohë, dmth, deri me ardhjen e sistemit komunist, feja katolike në këtë dioqezë, kishte marrë një hov të ri dhe një zhvillim të dukshëm. Famullitë ishin të plotësuara me famullitarë qoftë ato në fushë ashtu edhe ato në male. Dioqeza ishte pothuajse e plotësuar me Kisha në të gjitha famullitë. Kisha kishte marrë një autoritet jo të imponuar ndër njerëz por të respektueshëm dhe të nderuar, tamam atë autoritet që e ka pasur Krishti në mes të popullit të tij.
Katolikët e atëhershëm ishin të vetëdijshëm dhe të bindur se feja e tyre është një thesar i madh që s’duhej ta humbisnin. Kjo bindje ishte formuar për shumë arsye. Disa prej tyre ishin: mbijetesa shumë shekullore që kishin arritur të bënin nën sundimin turko – myslyman, ipeshkëvinjtë dhe meshtarët jepeshin me shpirt shërbese dhe me vetmohim për popullin e Zotit që u ishte besuar, krenaria dhe nderi që nuk e kishin tjetërsuar fenë e tyre dhe bashkë me të ata mendonin se kishin trashëguar edhe kombin e tyre pa u asgjësuar dhe pa u shuar ashtu siç kishte ndodhur me shumë popuj të tjerë. Ata kishin bindjen se feja e krishterë ishte si nënë dhe ata e ndienin veten bij të saj.
Për këtë arsye dhe sulmi që iu bë Kishës Katolike nuk ishte i menjëhershëm por gradual dhe tepër i dëmshëm dhe i rrezikshëm edhe për dioqezën tonë.
Ipeshkëvijtë dhe meshtarët më të përgatitur të të gjitha dioqezave akuzoheshin si kolaboracjonistë ( bashkëpunëtorë ) që kërkonin të rrëzonin pushtetin popullor. Në shënjestër të rregjimit u vunë të gjithë ato që ishin më të përgatitur dhe dyshoheshin që mund të ishin një kërcënim për rregjimin e ri. Ipeshkëvinjtë dhe meshtarët që dilnin haptazi në mbrojtje të popullit, jo vetëm të pjesës katolike, u goditën të parët. Pastaj të njëjtin fat pësuan gati edhe të gjithë priftërinjtë e tjerë. Ky ishte shpërblimi për punën e bërë dhe djersën e derdhur që iu bë Kishës Katolike në të gjitha dioqezat. Ipeshkvi i fundit i Sapës, Mons Gjergj Volaj u pushkatua i pari në dioqezën tonë, tamam si bariu që jep jetën për grigjën e vet. Ky qe në shënjestër të regjimit për shkak të predikimit që mbajti me rastin e meshës së dritës të Mons Gaspër Thaçit, ipeshkëv Metropolit i dioqezës së Shkodrës, i cili vdiq më 1945.
Mons Gjergj Volaj ishte nga Shiroka. Meshën e parë e tha në vitin 1930. U emërua si famullitar në Mal të Jushit dhe në Shkrel. Kur ishte prift në famullinë e Shkrelit u shugurua ipeshkëv dhe emërohet ipeshkëv i Sapës. Këtë detyrë e merr me 08 gusht. 1940, në moshën 35 – vjeçare. Ekzekutohet me vdekje ditën e shën Vlashit martir me 03 shkurt 1947.
Pas ekzekutimit të tij, administrimi i dioqezës së Sapës i kaloi dioqezës së Shkodrës.
Radha u takonte meshtarëve më të “rrezikshmëve” të të gjithë Shqipërisë dhe të dioqezës së Sapës po ashtu. Njëra pas tjetrës, famullitë mbeteshin pa meshtarë, sepse meshtarët arrestoheshin dhe dënoheshin me dënime nga më absurdet: dënime kapitale, d.m.th. ekzekutime me vdekje, dënime me burgime të përjetshme, me burgime të gjata, dënime në kampe përqëndrimi, me punë të detyruar, të sforcuara dhe të papërshtatshme. Kjo kohë pasigurie zgjati deri në vitin 1967, vit në të cilin ndalohet rreptësisht me ligj çdo lloj shërbimi fetar. Deri në atë vit regjimi e kishte pastruar mirë lëmën e tij prej Kishës. Meshtarët e lirë ishin shumë të pakët në numër, ndërsa në burgje dhe të ekzekutar zinin një ndër vendet e para të “ Listës së Zezë.” Pas këtij viti, sulmi kundër Kishës Katolike u bë i hapur. Ato pak meshtarë që kishin mbetur jashtë burgjeve, burgosen. Të numëruar me gisht kanë qenë meshtarët që nuk kanë bërë burgje të gjata. Pronat e Kishës u shtetëzuan, arkivat e Kishave iu kaluan shtetit. Disa prej Kishave dhe shenjtoreve më në zë për vlerat e tyre historike dhe muzeale shkatërrohen, si:

1. Kisha e Shën Kollit në Shkodër,

2. Shenjtorja e Zojës së Shkodrës ose e Zojës së Këshillit të Mirë,

3. Shenjtorja e Shna Ndout në Laç të Kurbinit,

4. Kisha e Dejës në Dejë, e cila ka qenë një pasuri monumentale për kombin shqiptar. Aty mendohet të ketë vënë kurorë Skënderbeu, edhe pse disa studjues thonë se Skënderbeu mund të ketë vënë kurorë në Manastirin e Ardenicës. Kjo Kishë ka qenë një objekt i rrallë dhe i rëndësisë së veçantë për kulturën tonë por është shkatërruar. Ky objekt ka qenë në dioqezën e Sapës

Tani, në ditët e sotme, imazhi i saj është vendosur në kartmonedhën 1000 lekëshe. Në vitin 1967 e në vazhdim të sistemit komunist, janë prishur edhe Kisha të tjera, por më pak. Qëllimi i regjimit ishte të ndalonte sa më shumë grumbullimet e njerëzve që mund t’i dilnin jashtë kontrollit. Shumë prej Kishave u shndërruan në objekte të ndryshme civile,si:
a. në salla gjyqi, Kisha Stigmatine në Shkodër, ku është bërë proçesi i gjyqit të shumë priftërinjëve, në kinema,

b. Kisha e Zemrës së Krishtit në Tiranë, në burgje,

c. Kuvendi i fretërve në Gjuhadol, në Shkodër, në pallate sporti,

d. Kisha Katedrale në Shkodër, në magazina:

e. Në dioqezën e Sapës Kisha e Troshanit dhe Kabashit. Në shkolla, në zyra të nëpunësve të rregjimit, deri edhe në stalla.

f. Kemi shembull Kishën e Shenjtes Trini në Piraj.

Pas vitit 1967 shërbimet fetare kryheshin në mënyrë ilegale. Njerëzit kërkonin priftërijtë që të pagëzonin fëmijët e tyre. Ata shtegtonin fshehtas në vendet ku kishin qenë Shenjtorja e Shna Ndout në Laç të Kurbinit dhe në vendin ku kishte qenë Shenjtorja e Zojës së Shkodrës, lutnin Zotin nëpër shtëpitë e tyre, festonin sipas zakonit me miq festat fetare të pajtorit të famullisë së tyre etj. Në krye të çdo varri vendosnin kryqe duke ia besuar Krishtit të kryqëzuar të vdekurit e tyre.

Ringjallja


Ardhja e demokracisë e gjeti dioqezën e Sapës të rrënuar dhe të shkatërruar thuajse plotësisht.
Data 11 Dhjetor 1991 shënon pikërisht fundin e regjimit dhe ardhjen e demokracisë. Në Kishën e varrezave të Rrmajit në Shkodër thuhet Mesha e Parë pas diktaturës nga Dom Simon Jubani. Në atë kremtim marrin pjesë më shumë se 50 mijë qytetarë. Që nga ajo ditë edhe fetë mundën të marrin frymë lirisht. Kisha në të gjitha dioqezat ishte në një gjendje të mjerueshme. Çfarë kishte lënë pa prishur dhe pa shkatërruar regjimi e kishte prishur dhe shkatërruar koha.
Gjendja e dioqezës së Sapës ishte shumë e ndryshme nga ajo e vitit 1945, vit kur zyrtarisht regjimi merr në dorë pushtetin.
Në këtë datë dioqeza e Sapës ashtu si e gjithë Kisha në Shqipëri u gjend e rrënuar dhe e shembur plotësisht. Prej shumë priftërinjëve që kishte pasur dioqeza e Sapës, numërohej i gjallë vetëm Dom Jakë Zeka nga Baqli, Mons Nikollë Troshani, nga Troshani, ipeshkëv i Mirditës gjatë kohës së regjimit deri në vitin 1967, dy motra stigmatine në Troshan dhe një në Pistull. Gjendja e Kishave linte shumë për të dëshiruar. Selia ipeshkvnore kishte arritur të mbijetone deri në fundin e diktaturës, e lënë në mëshirë të fatit dhe të kohës. Ipeshkëv nuk kishte dhe famullitë ishin të zbrazura totalisht, d.m.th. pa meshtarë.
Besimtarët ishin tepër të etur dhe të ankthshëm për ti parë edhe një herë të hapura dyert e Kishave. Dita e kremtimit të asaj meshe ka pasur emocjone të veçanta jo vetëm për ata që morën pjesë për edhe për të gjithë të tjerët që e Kjo ishte një ngjarje historike për krejt Shqipërinë dhe e përzier me shumë politikë, por njerëzit kishin shkuar për të marrë pjesë jo vetëm se donin të hapnin ndrydhjen e gjatë por edhe sepse katolikët i kishte marrë malli për të parë, të paktën një herë në jetën e tyre, meshtarë duke celebruar meshë.
Edhe besimtarët e dioqezës sonë kërkuan që, tani që feja ishte liruar, të rregulloheshin nga Kisha, me sakramente. Shumë prej tyre vraponin për t’i gjetur vetë meshtarët e mbijetuar që t’ u shkonin në shtëpia dhe nëpër fshatrat e tyre për t’i pagëzuar, krezmuar, kurorëzuar e për t’iu bekuar shtëpitë. Meshtarët kanë pagëzuar dhe kurorëzuar shumë njerëz në ato vite të para dhe nuk kanë rregjisturar askënd ose shumë pak. Ky problem na paraqitet dhe ekziston akoma. Njerëzit vijnë dhe thonë se janë pagëzuar dhe nuk janë të rregjistruar në asnjë rregjistër.
Pas kësaj ngjarje historike, misjonarë të ardhur kryesisht nga Italia dhe Kosova vërshuan në Shqipëri. Disa prej tyre u vendodën edhe në dioqezën tonë, si në Dajç, Blinisht, Nënshatë, Vau - Dejës, Pukë, etj.
. Secili prej tyre filloi të punojë me entuziazëm duke mos pyetyr shumë për vështirësitë që hasnin në shpalljen e Ungjillit. Ky lloj aktiviteti zgjati deri në ngjarjen tjetër historike për kombin shqiptar të të gjitha kohërave.
Me 25 Prill, 1993, Ati i Shenjtë, Papa Gjon Pali i II viziton tokën e njomur dhe të etur shqiptare. Me atë rast, Ai shuguron 4 ipeshkëvij, për dioqezat më kryesore të Shqipërisë. Ipeshkëvi i Shkodrës, Mons. Frano Illia, nga Jubani i Shkodrës, emërohet edhe me detyrën e Administrtorit Apostolik të Sapës. Me ardhjen e tij në seli të Shkodrës, ky kërkoi që të organizojë aq sa ishte e mundur pastoralin edhe në dioqezën e Sapës. Gjthashtu kërkoi të koordinojë punën me të gjithë misjonarët që ishin të pranishëm dhe që vepronin edhe në atë kohë në dioqezën e Sapës.
Ndër veprat e para që kërkuan të bëjnë të gjithë misjonarët që erdhën në dioqezën tonë ishin, shërbesa eukaristike në sa më shumë fshatra që të ishte e mundur, ardhja në ndihmë varfërisë ekstreme që kishte kapluar vendet ku ata ishin vendosur, ndërtimi i Kishave që ishin shkatërruar gjatë rregjimit, dhe i Kishave të reja. Këto ishin urgjencat që paraqiteshin.
Ardhja e tyre u erdhi shumë në ndihmë vendeve ku ato u vendosën e në të njëjtën kohë e thirrën në apel kujtesën e më të moshuarve që kishin jetuar kohën e Kishës përpara se ajo të mbyllej. Tani Kisha ishte postkonçiljare dhe funksjonet fetare që kryenin meshtarët ishin ato të paskonçolit. Në fillim njerëzit patën pak vështirësi t’i pranonin misjonarët sepse kishin frikë mos pranonin shizmatikë dhe heretikë, dmth rryma e sekte që ishin të ndarë nga Kisha Katolike Romake, por gradualisht u mësuan pasi u bindën se misjonarët janë vërtetë të Kishës Katolike. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në dioqezat tjera të vendit.
(Prandaj edhe sektet protestante kanë pasur shumë pak sukses në punën e tyre në mes të katolikëve. Kudo që shkonin pyeteshin nga njerëzit nëse janë të Kishës Katolike Romake ose jo dhe nëse nuk ishin, paralajmëroheshin që të largoheshin vetë nga fshati i tyre pa ndonjë përzënje të mundshme. Kjo është një meritë e punës së palodhur që kishte bërë Kisha përpara se të mbyllej dhe një hir i lutjeve të të gjithë atyre që kanë derdhur gjakun e tyre për fenë e Krishtit. Kjo gjë tregon edhe karakterin e atyre që me fanatizëm e kishin ruajtur fenë të paprekur për 500 – vjet. Në ditët e sotme protestantët në dioqezën tonë kanë mbetur të izoluar me ato bashkësi të vogla që kanë formuar që në fillim aty ku kanë arritur të vendosen.)
Nën administrimin e dioqezës nga Mons Frano Illia, kanë nisur ndërtimet dhe rindërtimet prej misjonarëve shumë Kisha dhe objekte të tjera me karakter socjal për banorët. Shtegtimi në Kishën e Shna Ndout në Laç të Kurbinit nuk është lënë në harresë prej besimtarëve të dioqezës por është ushqyer edhe më shumë.
Pas vdekjes së Mons Frano Illisë më 1997, ipëshkëv i Shkodrës dhe njëkohësisht Administrator i Sapës bëhet Mons Angjelo Masafra. Ky ipeshkëv kërkon të ridimensjonojë organizimin e Kishës për të dyja dioqezat.
Nën adminstrimin e Shkodrës, Sapa, pjesa fushore e saj mbulohej pothuajse e gjitha me funksjonet fetare, pjesa malore, vetëm në disa famulli të veçanta, si në Pukë, Kçirë, Fushë – Arrës, Iballë dhe Dushaj.
Duke pasur selinë në Shkodër, dioqeza e Sapës kishte një disavantazh për arsye se ipeshkëvi i Shkodrës e kishte të vështirë të mbulonte edhe një dioqezë tjetër. Prandaj ishte e nevojshme që dioqeza e Sapës të kishte ipeshkëvin e vet ose të të paktën Administratorin e vet.
Kështu Selia e Shenjtë kishte menduar që me kërkesën e Konferencës Ipeshkvnore shqiptare t’ u japë dioqezave të Sapës, Lezhës, Rrëshenit Administratorët e tyre Apostolikë. Selia e Shenjtë e pranon kërkesën dhe me 06 Janar të vitit 2000, Vit Jubilar për krejt Kishën Katolike, ipeshkëvia e Sapës ka Administratorin e saj Apostolik, Mons Dodë Gjergji. Po ashtu edhe ipeshkëvitë e tjera.



Gjeografia e dioqezës së Sapës


Territori i dioqezës së Sapës nuk ka qenë ky që është tani. Ka qenë shumë më i vogël. Në fillim të themelimit të saj ka qenë nën adminisrrimin e saj vetëm zona fushore e Zadrimës së poshtme. Dioqeza e Sardës është bashkuar me dioqezën e Dejës me Shtjefën Dukagjinin ipeshkëv, në vititn 1444. Më vonë, këta dy dioqeza, e Sardës dhe e Dejës i janë bashkangjitur, Sapës në vitin 1491 në kohën e Prosdoçimit ipeshkëv të Sapës. Pas këtij bashkimi, territori i dioqezës së Sapës është zgjeruar shumë sepse kishte nën jurusdiksjonin e saj edhe territorin e dy ipeshkëvive të tjera. Duhet thënë se me gjithë vështirësitë që kanë kaluar njerëzit nën sundimin osman, përqindja e katolikëve ka qenë gjithmonë domethënëse për atë përiudhë. Asnjëherë nuk është braktisur totalisht prej njerëzve feja Katolike.
Me ndarjen e re të të gjitha dioqezave në vitin 2000, dioqezës së Sapës i janë shtuar edhe tre rrethe të tjera, rrethi i Kukësit, i Hasit, dhe i Tropojës. Në të tre këto rrethe pjesa më e madhe e banorëve janë të fesë islame. Në Tropojë, pjesa e Lek – Bibajve, Dushaj dhe Cërnicë janë katolikë. Në rrethin Kukësit kemi një fshat të vogël, Dukagjini i Ri që janë katolikë, mirditorë të vendosur aty që në kohën e rregjimit për punë. Pastaj kanë mbetur aty.
Pjesa më e madhe e kësaj dioqeze, aktualisht, shtrihet në male. Mbulimi me meshtarë bëhet tepër i vështirë për arsye se meshtarë ka pak duke përfshirë edhe misjonarët që aktualisht ndodhen në dioqezë.
Njerëzit, me gjithë davaritjen që kanë pasur në kohën e regjimit janë të ngulitur në fetë e tyre trdicjonale, katolikët, katolikë dhe myslymanët, myslymanë.
Por përsa i përket njohjes dhe përjetimit të fesë, të dyja palët lënë shumë për të dëshiruar, edhe pse katolikët kërkojnë t’i kryejnë disa rite tradicionale që i kanë bërë vazhdimisht edhe gjatë regjimit, si: shtegtimi në Kishën e Shna Ndoit në Laç të Kurbinit, kremtimi me miq i festave të pajtorëve të famullive, thënia e rruazares prej më të moshuarve nëpër shtëpia, etj.


Dom Kastriot Gjoka
Violeta Marashi







All the contents on this site are copyrighted ©.