2012-08-08 15:48:20

Papa në audiencën e përgjithshme kushtuar Shën Dedës: të lutemi me korp e me shpirt, për të hyrë në rrezen e ndritshme të pranisë së Zotit.


Në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Kastel Gandolfo, Papa vijoi ciklin e katekizmit kushtuar lutjes, duke u frymëzuar, sot, nga kujtimi liturgjik i Shën Domeniko Guzman, që në shqip njihet si Shën Deda, meshtar e themelues i Urdhërit të Vëllezërve Predikatarë, Domenikanëve.RealAudioMP3
Në katekizmin e mbajtur më 3 shkurt 2010, Benedikti XVI pati folur gjërë e gjatë për këtë figurë dhe për kontributin tejet të rëndësishëm në risimin e Kishës, në kohën e tij. Sot Papa ndriçoi një aspekt themelor të përshpirtërisë së Themeluesit të Domenikanëve: vendin që zu lutja në jetën e tij. Shën Deda ishte njeri i lutjes. I dashuruar me Zotin, nuk dëshironte tjetër, veç shpëtimit të shpirtrave, posaçërisht atyre, që kishin rënë në rrjetat e herezisë së kohës. Në përpjekjen për t’i përngjarë sa më shumë Krishtit, mishëroi plotësisht tri këshillat ungjillore, duke jetuar ashtu si predikonte e duke u frymëzuar nga Shpirti Shenjt në çdo hap të rrugës për arritjen e përsosurisë së krishterë. E në çdo hap, lutja qe për të rreze drite, që ndriçonte edhe errësirën më të dendur. Lutja dhe lidhja personale me Zotin e ndihmuan atë e na ndihmojnë edhe ne, t’i përballojmë edhe çastet më të vështira. Duke u nisur nga kjo tezë, frymëzuar nga Shën Domeniko Guzman, u zhvillua reflektimi i sotëm i Papës. Benedikti XVI i ftoi besimtarët të gjejnë çdo ditë kohën e duhur për t’ia kushtuar lutjes, duke ndihmuar, në këtë drejtim, edhe ata, që kemi pranë.

Njeri i lutjes, i dashuruar me Zotin, i etur për t’i përngjarë Krishtit. Papa e skicoi kështu figurën e ndritshme të Shën Domeniko Guzman. Shenjti përparoi në rrugën e përsosurisë së krishterë, falë lutjes së vazhdueshme, që i përtëriu e i bëri gjithnjë më të frytshme veprat e tij apostolike. E më pas, Papa citoi një frazë, që të mbetet e skalitur në mendje: “Ditën ia kushtonte të afërmit, natën ia dhuronte Zotit”, shkëputur nga vepra e Shën Jordanit të Saksonisë, pasardhësit të Shën Dedës në krye të Urdhërit të Domenikanëve:
“Në Shën Domenikun shikojmë shembullin e shkrirjes në një të kundrimit të mistereve hyjnore me veprimtarinë apostolike. Sipas dëshmive të njerëzve, që jetuan pranë tij “Ai fliste gjithnjë me Zotin, ose për Zotin”. E kjo tregon sa ngushtë ishte i lidhur me Zotin, e njëkohësisht, sa shumë përpiqej t’u printe edhe të tjerëve kah Zoti”.
Në qendër të vëmendjes në katekizmin e sotëm të Papës nuk ishte aq jetëshkrimi i Shenjtit, sa mënyra fizike e lutjes së tij. Sjelljet korpore e shpirtërore, nënvizoi Papa, që përkojnë njëra me tjetrën, ndihmojnë shumë në përqendrimin shpirtëror e edhe në afshin e lutjes drejtuar Zotit. Duke kujtuar, më pas, “Nëntë mënyrat e lutjes së Shën Domenikut”, vepër e një rregulltari domenikan, shkruar aty nga fundi i viteve ‘200. Benedikti XVI u ndalua tek shtatë mënyrat e para të lutjes së Shenjtit, hapa përshpirtërie në rrugën kah bashkimi me Zotin:
“Shën Deda lutej në këmbë, i përkulur paksa, për të shprehur përvujtërinë; i shtrirë përdhe, në kërkim të ndjesës për mëkatet e veta; në gjunjë, duke bërë pendesë për të marrë pjesë në mundimet e Krishtit; me krahët hapur e sytë e ngulur mbi të Kryqëzuarin, për të kundruar dashurinë më të lartë; me sytë kah qielli, duke e ndjerë veten të thithur në botën e Zotit”.
Më pas Papa u ndalua posaçërisht tek dy nga mënyrat e lutjes së Shën Dedës. Së pari, tek meditimi personal, gjatë të cilit lutja fiton një përmasë thellësisht shpirtërore, qetësuese:
I ulur, qetësisht, hynte brenda shpirtit të vet, duke dëgjuar aty zërin e Zotit, duke lexuar ndonjë libër ose duke ia ngulur sytë kryqit. I jetonte, kështu, me forcë tronditëse këto çaste të lidhjes me Zotin, që pasqyroheshin edhe në sjelljen e tij të jashtme, duke u shoqëruar me gaz e me lot”.
Pastaj Ati i Shenjtë kujtoi edhe çastet e lutjes së Shenjtit në shtegtimet e tij nga një kuvend në tjetrin:
Atëherë nga zemra tij gurronte një këngë gëzimi e falënderimi lartuar Zotit për dhuratat e shumta, posaçërisht për mrekullinë më të madhe: shpërblimin e kryer nga Krishti”.
Jashtëzakonisht aktuale, figura e Shën Domenikut, posaçërisht për të krishterët e sotëm:
Shën Domeniku na kujton se në zanafillë të dëshmisë së fesë, që çdo i krishterë duhet të japë në familje, në punë, në impenjimin shoqëror, e edhe në çastet e prehjes, është lutja, takimi personal me Zotin, sepse vetëm kjo lidhje e përhershme me Zotin na jep forcë për ta jetuar me fund çdo ngjarje, posaçërisht kur është fjala për çaste tejet të vështira”.
Të lutemi, prandaj, në gaz e në vaj, duke u frymëzuar, edhe fizikisht, nga shembulli i Shenjtit! Të lutemi në gjunjë, në këmbë, me sytë drejtuar kah Zoti, të ndaluar një të imtë, mes zhurmës shurdhuese a heshtjes së thellë, sepse çdo çast është i përshtatshëm për t’ia hapur zemrën Zotit.
Prej këndej, edhe ftesa e Papës për të gjetur çdo ditë kohën e përshtatshme për lutje, e jo vetëm në vete e për vete:
“Do të jetë një mënyrë për të ndihmuar edhe atë, që e kemi pranë, që të hyjë në rrezen e ndritshme të pranisë së Zotit, në reshjen e paqes e të dashurisë të Tij, për të cilat kemi aq shumë nevojë në këtë botë tejet të trazuar”.
Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Papa i ftoi të gjithë ata që prehen në gjirin e natyrës a të mrekullive të artit, në këto kohë pushimesh, të frymëzohen nga Shpirti Shenjt për ta thelluar bashkimin me Zotin, përmes lutjes së përditshme. Lutja, kujtoi Benedikti XVI, është forcë konkrete, që na ndihmon t’i jetojmë krishterisht çastet e bukura e edhe ato të vështira, me bindjen se është prani e vetë Zotit në jetën tonë, kur kemi më shumë nevojë për Të.







All the contents on this site are copyrighted ©.