2012-08-08 15:55:32

Dy dokumentarë përkujtojnë ardhjen e shqiptarëve në Itali, pas rënies së regjimit komunist


8 gusht 1991. Një anije me 20 mijë vetë para brigjeve puljeze. Nuk ishte anije turistësh, që vinin për të parë Italinë, por ishte plot me emigrantë, që iknin nga Shqipëria në kaos, për të kërkuar një jetë më të mirë. 20 mijë vetë në kërkim të demokracisë së ëndërruar për 50 vjet me radhë. Por nga kthetrat e komunizmit ranë mes mureve të një stadiumi, atij të Barit. Pa ujë, pa ushqim, pa ndihmë! Në Stadiumin Vittoria të Barit, atë ditë, të drejtat e njeriut morën një goditje të fuqishme.
E ndërsa në Shqipëri kjo datë kalon pa shumë bujë, Italia vazhdon të reflektojë për emigrantët, e zënë siç është, me pritjen e emigrantëve të rinj afrikanë, që vijnë me varka në ishullin e Lampeduzës dhe, e dëshiruar për zgjidhje të këtij problemi. Regjisori italian Daniele Vikari do të paraqesë në Festivalin prestigjoz të filmit në Venedik, një dokumentar për zbarkimin e shqiptarëve në Bari, 21 vjet më parë, me anijen Vlora, hyrë edhe në analet e publicitetit, përmes objektivit të Oliviero Toskanit, fotografit të firmës Benetton.
Me video të kohës e me intervista, Vikari tregon mbërritjen e anijes në Bari, të “Anijes së ëmbël”, siç e ka quajtur ai dokumentarin. Një odise, që vazhdoi një javë, nga nisja në Shqipëri, në kushte çnjerëzore, për t’u gjetur në të njëjtat kushte brenda stadiumit të Barit. Një pjesë arriti të dilte, e ndihmuar nga qytetarët barezë, para se të tjerët të ktheheshin mbrapsht nga autoritetet italiane. Disa prej tyre janë intervistuar nga regjizori. Kledi Kadiu për shembull, atëherë krejt i ri, tani, balerin i njohur në Itali; por edhe Robert Budina, regjisor, Eva Karafili, ekonomiste, Nicola Montano, të gjithë mbi atë “anije të ëmbël” drejt shpresës. Daniele Vicari e ka quajtur “e ëmbël” pikërisht sepse nuk ishte fjala për “pushtimin” e Italisë, siç u quajt më pas nga shtypi, por vetëm për një udhëtim paqësor drejt një toke, e cila përfaqësonte Lirinë. Ndër të gjitha imazhet e dokumentarit, të bën përshtypje presidenti i atëhershëm i Republikës Italiane, Françesko Kosiga, i cili përdor fjalë tepër të rënda kundër strategjisë së mikpritjes e të solidaritetit të kryetarit të bashkisë së Barit, gati duke u mburrur për faktin se po i kthen shqiptarët mbrapsht, hera e parë, që ndodhte diçka e tillë në Itali, pas rënies së Murit të Berlinit. “Nga ai çast – vëren regjisori – rendi publik ka prirjen të zëvendësojë politikën e të drejtave shoqërore e civile. Një zhvillim i mbrapshtë i demokracisë”.
Por pas Festivalit të Venedikut vjen Festivali i Filmit në Romë. E këtu mund të shohim një dokumentar tjetër për zbarkimin e shqiptarëve në Itali, 21 vjet më parë. Kësaj radhe autori është shqiptar, Roland Sejko, botues i njohur në Shqipëri dhe në Itali, edhe ai vetë zbarkuar në brigjet përtej detit, pak muaj para anijes “Vlora”, me anijen “Legend”. Por të ardhurit para 8 gushtit 1991 u konsideruan refugjatë dhe u pranuan nga shteti. Roland Sejko ka realizuar edhe më parë një dokumentar mbi Shqipërinë (Albania, il Paese di fronte – Shqipëria, vendi përballë), duke shfrytëzuar imazhe filmike historike, marrë nga Instituti “Luce” e nga arkivi shqiptar. Pasqyrohej pushtimi i Shqipërisë nga Italia në vitet 1939-1943. Tani ai realizon dokumentarin “Anija – La nave degli albanesi”, me të cilin tregon periudhën para dhe pas ardhjes së shqiptarëve me anijen “Vlora, përshkruan agoninë e regjimit komunist, që e kishte zhytur vendin në mjerim, euforinë e përfundimit të izolimit nga bota, kaosin e anarkinë e fillimit e më pas, me ç’merren e ku kanë arritur emigrantët e ardhur në Itali me “Vlorën”. Të dy autorëve u urojmë suksese, në pritje për të parë dokumentarët.








All the contents on this site are copyrighted ©.