Ja një biografi e shkurtër e atë Zef Bishës, jezuit, i cili sapo ka përkthyer për
herë të parë në shqip Ushtrimet Shpirtërore të Shën Injacit të Lojolës. Ky Corruculum
Vitae na është dërguar nga vetë autori.
Kam lindur në Vau Dejës (Shkodër)
nga një familje e varfër me 09.06.1973. Studimet e para i kam bërë në fshatin tim
dhe më pas shkollën e mesme e vazhdova në Shkodër. Pas ardhjes së demokracisë
dëshira ishte të filloj studimet universitare. Pasi nuk arrita të filloj menjëherë
studimet, fillova të angazhohem në kishën e Shën’Kollit, fshati ku jetoja. Për arsye
të ndryshme fillimi i universitetit u bë i vështirë. Në vitin 1994 kërkova
të hyj në seminar duke mos qenë krejt dakord me familjen time. Pasi mbarova studimet
e filozofisë në Seminarin Interdioqezan “Zoja e Këshillit të Mirë” kërkova të hyj
në Urdhrin e Jezuitëve, duke dashur diçka më tepër, që akoma nuk e gjeja. Provinciali
Jezuit i atëhershëm më tha që duhej të mendohesha për një vit për ta kuptuar thirrjen
time. Në vitin 1997 shkova në Bologna të Italisë ku fillova t’i njoh më mirë Jezuitët.
Në vitin 1998-2000 bëra Novicjatin në Genova, po në Itali. Më pas në vitin 2000-2002
bëra studimet filozofike në Padova duke thelluar më tepër studimet e bëra në Shkodër.
Nga viti 2002 deri në vitin 2004 shërbeva si mësues në Seminarin e “Zojës
së Këshillit të Mirë” në Shkodër duke ndihmuar gjithashtu edhe në kolegjin “Atë Pjetër
Meshkalla”, i drejtuar prej Jezuitëve, gjithmonë në Shkodër. Nga viti 2004-2007
studiova teologji në Napoli dhe më pas në periudhën 2007-2009 bëra studimet e dyvjeçarit
te teologjisë në Madrid. Në vitin 2008 u shugurova meshtar në Dioqezën e Sapës nga
imzot Lucjan Avgustini. Pas mbarimit të studimeve në Madrid u ktheva në Shqipëri me
misionin si zëvendës Famullitar i Kishës famullitare “Zemra e Krishtit” në Tiranë
e në të njëjtën kohë, ndihmoja edhe në aktivitete të tjera si baritoria e universitarëve...
Formimi im si jezuit nuk ka mbaruar akoma, pasi pres të bëj vitin e tretë dhe të fundit
të formimit tim, pas të cilit do të marr kushtet solemne përfundimtare në Urdhrin
e Jezusit.