Jemi mësuar t’i përfytyrojmë të Lumët e Shenjtorët me Bibla e objekte të tjera të
përshpirtshme në duar. E sidomos, me mjetet e torturës, mbi të cilat i përfunduan
ditët, për dashuri të Krishtit. Por tani Kisha katolike ka një të lum jo të zakonshëm,
që rrëshqiste me ski, ushtronte sportin e kanotazhit e ngjitej shtigjesh malore si
alpinist i pasionuar, me këpucë të rënda malësori. E jo më pak, dhe notonte. Shenjt,
figura e të cilit mund të zërë një vend më se të merituar, në mjediset ku këto ditë
zhvillohen Lojërat XXX Olimpike të Londrës. E edhe më tej. Karol Vojtila nuk e
fshehu kurrë pasionin e tij për sportin. U mor drejtpërdrejtë me sporte, takoi, gjatë
papnisë së tij shumëvjeçare, sportistë nga vise e disiplina sportive të ndryshme,
duke vijuar të merret me sport, edhe atëherë kur kishte veshur veladonin e bardhë
të mëkëmbësit të Krishtit. Madje vijon të kujtohet kështu, edhe tani, kur koka e tij
rrethohet me aureolën e të Lumëve. Prej këndej, Gjon Pali II mund të quhet “Papa
i lum e sportist”. Po mund të quhet edhe, e sidomos, Papa, që la pas më shumë reflektime
për sportin. Po i përsërisim disa nga mësimet e tij, në një kohë kur sportistët
më të njohur të botës matin forcat në Olimpiadën e Londrës, duke i ngritur në lartësi
të reja aftësitë fizike të njeriut. Po e kujtojmë, pra, jo vetëm për praktikimin
e veprimtarive sportive, por kryesisht për fjalimet e paharrueshme, kushtuar sportit.
Nuk ka aspekt të veprimtarisë sportive, tek i cili Gjon Pali II nuk u ndalua, duke
e shikuar në një këndvështrim vërtet origjinal e modern.
Me vdekjen e Karol
Vojtilës, sporti humbi një mik të madh, të vëmendshëm e të sinqertë, ndonëse të papajtueshëm
me shfaqje të padenja për sportin e të aftë për të gjykuar rreptë, kur ishte nevoja.
Nuk është i vetmi Papë, që u interesua për sportin, si shenjë e qartë e kohëve
moderne, por ndërmjet paraardhësve, vetëm Gjon Pali II mund ta meritojë titullin “Papa
i sportit’, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Kur Karol Vojtila u ul në fronin
e Shën Pjetrit, në jetëshkrimet e tij të para u vu, pa ngurrim, në dukje, se Papa
i ri praktikonte disa lloje sporti, nga të cilat nuk e kishte aspak në mend të hiqte
dorë. Në vitet, që pasuan, bota mbarë u çudit duke parë fotografitë, në të cilat meshtari
i ri Karol Vojtila, më pas Papa Gjon Pali II, rrëshqiste me ski, lundronte në barkë
me rrema a ngjitej në shtigjet e thepisura malore. Po Papa sportist do ta meritonte
këtë emër jo aq për barkat e alpinizmin, sa për mësimet, që na la për sportin, shpesh
herë edhe shqetësuese për shumëkënd. S’la sferë sportive pa prekur, që nga dinjiteti
i trupit, tek mbrojtja e vlerave edukative, nga rëndësia e sportit për njerëzit me
kufizime fizike, tek nevoja e një praktike, të aftë për të respektuar karakteristikat
psiko-fizike të moshave të ndryshme. E nuk ka aspekt problematik të sportit, mbi të
cilin Gjon Pali II nuk shqiptoi fjalë vërtet moderne, duke nisur nga rreziku i humbjes
së vlerave humane të sportit bashkëkohor, tek kujtimi i detyrës për ta vënë gjithnjë
sportin mbi baza të shëndosha etike. Disa nga thëniet e Papës sportist duhet t’i
ketë parasysh çdo njeri, që merret me sportin: “Sporti është, sidomos, vlerësim
i trupit, përpjekje për të arritur kushte sa më të mira fizike. Sporti është shpirt
luftarak, garë për të fituar një kupë, një pari. Sporti është gëzim i të jetuarit,
është lojë, është festë, e si i tillë edhe duhet vlerësuar e, ndoshta, edhe duhet
shpëtuar, sot, nga teprimet e teknicizmit e të profesionizmit, duke i rikthyer natyrën
e tij të vërtetë, si veprimtari që nuk ka të bëjë me interesin, si rrugë për lidhjen
e miqësive të reja, si forcë shtytëse, që favorizon dialogun e aftësinë e njerëzve
për t’ia hapur zemrën njëri-tjetrit, si shprehje e një pasurie të pashoqe, që të
mbush me gëzim, të kujton se je, e jo se ke, duke të lartuar mbi ligjet e prodhimit
e të konsumit e mbi çdo prirje tjetër, me bazë thjesht fitimin a kënaqësinë e zbrazët”. (Jubileu
Ndërkombëtar i Sportistëve, Stadiumi Olimpik, 12 prill 1984). “Sporti do
parë në dinamikën e shërbimit, jo të fitimit” (Takim i KII mbi temën “Sporti
etika e feja për zhvillimin e shoërisë italiane, 25 nëntor 1989) E akoma:
“Duhen dalluar e duhen kapërcyer rreziqet, që kërcënojnë sportin modern; nga kërkimi
me çdo kusht i fitimit, tek komercializimi i çdo aspekti të tij, nga karakteri i tepruar
spektakular, tek fryma acaruese e garës; nga përdorimi i dopingut dhe formave të tjera
të mashtrimit, tek dhuna.Vetëm duke kryer me sukses detyrën e vet, si veprimtari me
ndikim të fuqishëm mbi edukimin dhe shoqërizimin, sporti mund ta luajë rolin e tij
tejet të rëndësishëm dhe të ndihmojë për të ngjallur shpresat, që venë në lëvizje
zemrën e njerëzve, posaçërisht të të rinjve”. (Përurimi i Stadiumit Olimpik,
31 maj 1990). “Ndjenja e vëllazërisë, e bujarisë, e ndershmërisë, e respektit
për trupin, virtyte pa dyshim të domosdomshme për çdo atlet të mirë, japin ndihmesën
në ndërtimin e një shoqërie civile, ku antagonizmi zëvendësohet me garën, ndeshja,
me takimin; kundërvënia, me ballafaqimin e ndershëm. I kuptuar kështu, sporti nuk
është qëllim në vetvete, po mjet: mund të bëhet udhë qytetërimi e çlodhjeje të vërtetë,
duke e nxitur njeriun të japë në fushën e sportit ç’ka më të mirë nga vetvetja e të
ruhet nga gjithçka, që mund të jetë e rrezikshme ose e dëmshme për të e për të tjerët”.
(Takimi “Fytyra e shpirti i sportit, organizuar nga CSI, 28 tetor 2000). “Nuk
janë, për fat të keq, pak, e sa vjen e bëhen më të dukshme shenjat shqetësuese, që
nganjëherë i vënë në diskutim vetë vlerat etike, në bazë të praktikës sportive. Pranë
e pranë sportit, që e ndihmon njeriun, është edhe një tjetër që e dëmton; pranë sportit,
që e larton trupin, është një tjetër, që e poshtëron, e tradhton; pranë sportit, i
cili frymëzohet nga ideale të fisme, është edhe një tjetër, që shikon vetëm fitimin;
pranë sportit, që bashkon, është një tjetër, që përçan”. (Takimi “Fytyra
e shpirti i sportit, organizuar nga CSI, 28 tetor 2000) “Të mëdha janë përgjegjësitë
e sportistëve në botë. Ata janë të thirrur ta bëjnë sportin rast takimi e dialogu,
duke kapërcyer çdo pengesë, të krijuar nga gjuha, nga raca, nga kultura. Sporti mund
të sjellë një ndihmesë shumë të çmuar për mirëkuptimin paqësor ndërmjte popujve e
të kontribuojë për të ndërtuar në botë qytetërimin e ri të dashurisë”. (Jubileu
i Sportistëve, Stadiumi Olimpik, 29 tetor 2000). Së fundi, urimi, që tingëllon
kaq aktual, në sa Olimpiada XXX e epokës moderne vijon, me dritë-hijet e veta, për
të cilat sapo dëgjuam të na flasë i Lumi Gjon Pali II, Papa Sportist: “Uroj
që ky Jubile t’u krijojë të gjithëve, drejtuesve, teknikëve e atletëve, rastin për
një hov të ri krijues e shtytës, kështuqë sporti t’u përgjigjet, pa e humbur natyrën
e vet, kërkesave të kohëve tona: të jetë sport, që mbron të ligështit e që nuk përjashton
askënd, që i çliron të rinjtë nga kurthet e amullisë e të indiferencës e që zgjon
në shpirtin e tyre dëshirën e bukur për t’i matur aftësitë në fushat e garave; një
sport, që t’i japë shtytje të re emancipimit të vendeve më të varfëra; të ndihmojë
për të shlyer intolerancën e për të ndërtuar një botë më vëllazërore e më solidare;
sport që të ndihmon ta duash jetën, që të edukon të mos zmbrapsesh para flijimesh,
të mëson ta respektosh përgjegjësinë, duke të ndihmuar ta vlerësosh lart çdo njeri” (Jubileu
i Sportistëve, Stadiumi Olimpik, 29 tetor 2000).
Nuk jemi mësuar t’i përfytyrojmë
Shenjtorët e të Lumët me ski e këpucë alpinisti. Por si kemi njohur një papë sportist,
si Gjon Pali II, e kuptojmë menjëherë se Krishti e përfshin edhe sportin, duke e shenjtëruar.