2012-08-06 16:08:19

Udhëtimi i Papës në Liban pritet me padurim. Patrikët e Lindjes së Mesme e shohin Benediktin XVI si lajmëtar të paqes e të shpresës


Patrikët e Kishave të Lindjes së Mesme i kanë dërguar Papës Benedikti XVI mesazhe, me të cilat i urojnë mirëseardhjen në trojet e tyre, në prag të udhëtimit apostolik të Liban, ku Ati i Shenjtë do të shkojë nga data 14 deri më 16 shtator. Janë shtatë dokumente, që mund të lexohen në faqen zyrtare të internetit për vizitën papnore. Në të gjitha nënvizohet padurimi për një ngjarje, e cila quhet historike. Patrikët urojnë që vizita në Liban, 15 vjet pas asaj të Papës së lum Gjon Pali II, t’i japë hov të ri shpresës për paqe, dialog e zhvillim të popujve të Lindjes së Mesme.
Atë i Shenjtë, shkruan Patriku maronit Bekara Butros Raji, do të vini në Liban si “shtegtar i solidaritetit e i mëshirës”. Vizita juaj u jep guxim të gjithë atyre, që vuajnë nga mungesa e lirisë dhe e dinjitetit. Patriku i Cilicës së Armenëve, Nersès Bèbros XIX, ndalet në temën e paqes dhe e sheh vizitën e Papës si ftesë për të ecur në rrugën e ndryshimit të shoqërive të Lindjes së Mesme. Ai shpreson që të krishterët të bëhen tharmi i paqes dhe i bashkëpunimit, në të gjitha lëvizjet për demokraci në rajon.
Nga ana e tij, Patriku latin i Jeruzalemit, Fuad Tval vë në dukje se Lindja e Mesme, e përshkuar nga konfliktet, ka nevojë ta dëgjojë zërin e Papës, mësimin dhe lutjet e tij. Ai nënvizon rëndësinë e dorëzimit të Këshillimit Apostolik pas-sinodal për Lindjen e Mesme, që do t’i ndihmojë të krishterët të jenë shenjë bashkimi e shprese, në dialog me myslimanët e zonës. Patriku i Babilonisë së Kaldejve, Emanuel III Deli e falenderon Benediktin XVI për faktin se e ka ngritur gjithnjë zërin kundër padrejtësive, në favor të paqes e të pajtimit në Lindjen e Mesme. Ne të krishterët, shkruhet në mesazhin e tij, kemi shumë nevojë për bashkim, për dialog e për impenjim kolektiv.
Islamofobia e kristianofobia, në qendër të mesazhit të Patrikut melkit Gregorios III, i cili nënvizon se Këshillimi Apostolik pas-sinodal do t’i ndihmojë të krishterët arabë të kuptojnë rolin, misionin dhe nevojën e dëshmisë së tyre në vendet, ku shumica janë myslimanë. Ai vë në dukje urgjencën që ka zgjidhja e konfliktit izraelito-palestinez e i kërkon Selisë së Shenjtë të punojë me diplomacinë e vet, për arritjen e njohjes së shtetit të pavarur të Palestinës. Patriku kopt, Anba Bulos Naxhib, vëren se vizita e Papës do t’i mbushë njerëzit me gëzim e do t’i përforcojë në fe të krishterët. Ndërsa, Patriku i siro-katolikëve, Injac Jusef III Junan, shkruan se vizita e Benediktit XVI do të çojë guxim aty ku ka frikë, qartësi, aty ku mbretëron konfuzioni. Kujton masakrën e tmerrshme në katedralen siro-katolike të Bagdadit, dy vjet më parë, që tregon se shpallja e Ungjillit është njëkohësisht dëshmi e martirizim. Patriku shpreson që pas udhëtimit të Papës në Liban, të drejtat e të krishterëve të respektohen më shumë.








All the contents on this site are copyrighted ©.