2012-08-06 16:08:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: Zoti kërkon nga ne të mos mendojmë vetëm për shqetësimet materiale.


Besimi në Jezusin nuk është ide, por takim me një Vetje të gjallë, që i jep kuptim jetës sonë. Këtë nënvizoi Benedikti XVI në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Kastel Gandolfo. Papa i ftoi besimtarët të mos habiten pas telasheve të përditshme aq, sa të harrojnë se në jetë ka gjëra shumë më të rëndësishme. Edhe në ditët më të ngarkuara me probleme të vështira, porosit Papa, besimtarët nuk duhet ta harrojmë Zotin, por ta forcojnë gjithjë më shumë lidhjen me Të.RealAudioMP3

Jezusi, vijoi Papa, na fton të mos mbyllemi në horizonte thjesht njerëzore, por të shikojmë shumë më larg, ta hapim zemrën për të parë horizontet e pafundme të Zotit, horizontet e fesë. Duke komentuar fragmentin e Ungjillit të së dielës, në të cilin turmat e kërkojnë Jezusin, sepse kishte kryer punë të mrekullueshme, Papa nënvizoi se Zoti dëshiron t’i ndihmojë njerëzit të shkojnë përtej plotësimit të menjëhershëm të nevojave të tyre materiale, ndonëse edhe ato, pa dyshim, të rëndësishme:
“Dëshiron t’u hapë një horizont jete, që nuk është thjesht ai i shqetësimeve të përditshme, shqetësimit për të ngrënë, për t’u veshur, për të ngjitur shkallët e karrierës. Jezusi flet për një ushqim, që nuk mbaron kurrë, të cilin njeriu duhet ta kërkojë e ta bëjë të vetin”.
Moisiu, kujtoi Papa, i pati dhënë Izraelit manën, bukën e rënë nga qielli. Ndërsa Jezusi nuk jep ndonjë gjë. Jezusi jep vetveten: është Ai vetë, buka e zbritur nga qielli:
“Por Jezusi, buka e vërtetë e gjallimit, që na shuan urinë e kuptimit të jetës, të së vërtetës, nuk mund të ‘fitohet’ me punën njerëzore. Vjen ndër ne vetëm si dhuratë e dashurisë së Zotit, si vepër e Zotit, që duhet kërkuar e duhet pranuar”.
Në ditët e ngarkuara me shqetësime e probleme, por edhe në çastet e prehjes e të vetëharrimit, shtoi Papa, Zoti na fton të mos harrojmë gjënë më të rëndësishme. Vërtetë, kujtoi, është nevojshme të shqetësohemi për bukën e gojës e për t’i ripëtrirë forcat e shkalitura, por më e rëndësishme është të kërkojmë lidhjen me Zotin, ta forcojmë këtë lidhje me Atë, që është buka e jetës, që na e përmbush dëshirën e zjarrtë për vërtetësi e dashuri:
Qendra e jetës, ajo që i jep kuptim e shpresë të patundur udhës sonë të përditshme, shpesh tepër të vështirë, është besimi në Jezusin, takimi me Krishtin”.
E këtu nuk bëhet fjalë, kujtoi Papa, për të ndjekur një ide, një projekt, por për të takuar Jezusin si Vetje e gjallë, për ta lëshuar plotësisht vetveten në dorën e Tij, për t’i besuar me gjithë zemër Ungjillit të Krishtit. Besimi në Të është gjëja më themelore për zemrën njerëzore, gjithnjë në kërkim të jetës së vërtetë. Prej këndej, në ditën kur Kisha përkujtonte kushtimin e Bazilikës romake të Shën Marisë së Madhe, Benedikti XVI iu lut Zojës së Bekuar t’i ndihmojë të gjithë njerëzit të ecin në rrugën e drejtë të fesë.
Gjatë përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, duke folur në gjuhën polake, Papa i ftoi besimtarët që, në këtë kohë pushimesh, të mos e harrojmë lutjen, në sa vizitojnë kisha e kapela e sodisin mrekullitë e gjithësisë, vepër e Kryemjeshtrit të bukurisë, gjë që e nxit njeriun t’i përgjigjet gjithnjë e më besnikërisht thirrjes për shenjtëri, të cilën Krishti vijon t’ua drejtojë të krishterëve edhe në çastet e prehjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.