Më 6 gusht, 34 vjet më parë, vdiq Pali VI, dëshmitar i guximshëm i së Vërtetës, në
dialog me njeriun dhe me kulturën e kohës sonë.
Ishtembrëmja e 6 gushtit 1978, festa e Shndërrimit të Jezusit, kur u kthye
në shtëpinë e Atit qiellor Papa Pali VI: dëshmitar i përvuajtur e guximtar i së Vërtetës,
apostull i paqes, njeri i dialogut ndërmjet popujve e kulturave, që diti ta çojë deri
në fund Koncilin II të Vatikanit me urti e largpamësi. Sot, tridhjetë e katër vjet
pas vdekjes, në Elterin e Katedrës së Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, u kremtua
Mesha për shpirtin e Palit VI, kryesuar nga kardinali Dionigi Tettamanzi. Ishte i
pranishëm edhe një delegacion nga Konçesio i Breshias, vendlindje e Giovanni Battista
Montinit.
Po kujtojmë ngjarjet më të rëndësishme të papnisë së Tij: “Fidem
servavi”, e ruajta fenë: në këtë pohim, bërë pak ditë para vdekjes, përmblidhet
gjithë papnia e Palit VI. Një papë i butë e i vendosur, i dashuruar me të Vërtetën,
që e drejtoi barkën e Pjetrit në vite të stuhishme për Kishën e për Botën. I zgjedhur
në fronin e papnisë më 21 qershor 1963, Papa Montini pati menjëherë përpara një sfidë
epokale: të përfundonte me sukses Koncilin II të Vatikanit, lindur nga intuita profetike
e Gjonit XXIII por që, pas entuziazmit fillestar, rrezikonte të ngecte në rërë. Në
Meshën e fillimit të papnisë, më 30 qershor 1963, Pali VI nuk i fshehu shqetësimet
dhe u paraqiti besimtarëve vizionin e tij për Kishën: “Do ta mbrojmë Kishën
Shenjte nga gabimet e doktrinës e të dokeve të cilat, brenda e jashtë kufijve të saj,
ia kërcënojnë integritetin e ia vrugnojnë bukurinë; ne do të përpiqemi t’i ruajmë
e t’i zhvillojmë virtytet baritore të Kishës, që ajo i paraqet, e lirë dhe e varfër,
në sjelljen e saj si nënë e mësuese”. Tre muaj më pas, më 29 shtator, Papa
Montini hap solemnisht sesionin e dytë të Koncilit. Në fjalimin e hapjes, numëron
katër qëllime të kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme: shtjellimin doktrinor të natyrës
së Kishës; përtëritjen e saj të brendshme; forcimin e bashkimit të të krishterëve
dhe dialogun e Kishës me botën bashkëkohore. Pali VI, i cili si kryeipeshkëv i
Milanos mori pjesë në sesionin e parë konciliar, nuk do të jetë thjeshtë ‘noteri’
i Koncilit. Ndjek me kujdes e pasion punimet, ndërhyn me urti në rrethanat më delikate.
E, më 7 dhjetor të vitit 1965, mbyll takimin ekumenik me ndjesi gëzimi e emocioni
të thellë: “Concilium hoc nostrum posteris eiusmodi Ecclesiae imaginem tradet… Ky
Koncil i dorëzon historisë figurën e Kishës katolike, e cila paraqitet në këtë sallë
plot me barinj, që praktikojnë të njëjtën fe, përhapin të njëjtën dashuri, kanë të
njëjtin bashkim në lutje, të njëjtën disiplinë, të njëjtën veprimtari – e ç’është
më e mrekullueshmja – të gjithë dëshirojnë një gjë të vetme, të flijojnë vetveten,
si Krishti, Mësuesi ynë e Zoti ynë, për jetën e Kishës e për shëlbimin e botës”. Gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve të papnisë së Tij, Papa Montini u impenjua me
të gjitha forcat për paqen në botë, duke gjallëruar edhe përmasën misionare të Kishës,
nënvizuar në Nxitjen Apostolike “Evangelii nuntiandi’. Themeloi Ditën e Paqes,
që kremtohet çdo vit më 1 janar. U bë apostull i paqes deri në skajet më të largëta
të tokës me nëntë shtegtimet e tij apostolike ndërkombëtare, në të pesë kontinentet.
Mbeti i gjallë në kujtesën historike të njerëzimit fjalimi që Papa Pali VI mbajti
në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, më 4 tetor të vitit 1965. Jehon edhe
sot fuqimisht, në hapësirë e kohë, britma e tij kundër luftës: “Jamais plus
la guerre, jamais plus la guerre! C'est la paix, la paix…” “Kurrë
më luftë, kurrë më luftë! Paqja, paqja duhet t’i udhëheqë fatet e popujve e të mbarë
njerëzimit!”. Papa Pali VI nuk qëndroi indiferent përballë vuajtjeve të kombeve
afrikane, të shtypura nën barrën e rëndë të mjerimit. Në vitin 1967 u botua Enciklika
‘Populorum Progressio’. “Zhvillimi “ – shkruan Papa – është emri i ri i paqes”.
Por - vijon të shpjegojë - duhet të jetë një zhvillimi i plotë, për çdo njeri e për
të gjithë njerëzit. Me Koncilin, Kisha përtërihet, rinohet në thellësi. Megjithatë
disa përpiqen t’i japin një shpjegim herë progresist e herë konservator, që nuk përkon
me domethënien e vërtetë të ngjarjes së madhe. Trazirat paskonciliare i shkaktojnë
Palit VI vuajtje të thella, por nuk e bëjnë të heqë dorë nga dëshmimi i së Vërtetës
sepse, si Shën Agostini, ishte i bindur se lumturia s’është tjetër, veçse gëzimi që
buron nga e vërteta ‘gaudium de veritate’. Rasti më i bujshëm në këtë kuptim,
është ai i botimit të ‘Humanæ Vitæ’, më 1968. Enciklika, e përqendruar tek
dashuria e përgjegjshme bashkëshortore, ripohon qëndrimin negativ të Kishës lidhur
me përdorimin e sistemeve artificiale të ndalimit të shtatzanisë. Në vitin simbol
të kundërvënieve, Pali VI bëhet, edhe në botën katolike, objekt kritikash të rrepta,
të cilat nganjëherë përfundojnë edhe në fyerje. Papa Montini mendoi gjatë, para se
ta zgjidhte këtë rrugë, me vetëdijen se nuk do të ishte aspak e lehtë. Më 4 gusht
të vitit 1968, në Engjëllin e Tënzot, Papa i shpjegon arsyet e kësaj zgjedhjeje me
koherencë të plotë: “Fjala jonë nuk është e lehtë, nuk përkon me zakonin
që sot, për fat të keq, vijon të përhapet si i dobishëm e, në dukje, i favorshëm për
dashurinë e për harmoninë familjare. Nuk duam të kujtojmë përsëri se norma e ripohuar
nga Ne, nuk është Jona, por e vetë mënyrës së ndërtimit të jetës, të dashurisë e të
dinjitetit njerëzor”. Pararendës i ‘qytetërimit të dashurisë’, Pali VI
vë krah për krah me përpjekjet e tij për paqe, impenjimin e përhershëm e të frytshëm
ekumenik, me bindjen se vetëm të bashkuar, të krishterët mund të japin kontributin
e tyre të rëndësishëm për pajtimin e popujve. Historik takimi i tij në Jeruzalem me
Patrikun e Kostandinopojës, Atenagora, në vitin 1964. Përqafimi i tyre vëllazëror
i preku thellë si katolikët, ashtu edhe ortodoksët. Një vit më pas arrihet në zhvleftësimin
e shkishërimit reciprok të të dyja Kishave, në fuqi që nga viti 1054. Hapa përpara
bëhen edhe në dialogun me anglikanët. Në vitin 1966, Pali VI takohet me kryeipeshkvin
e Kantërburit, Majkëll Ramsei. Tri vjet më pas është në Gjenevë, për të vizituar Këshillin
ekumenik të kishave. Natyrë tepër e ndjeshme, në vitin 1978 Pali VI jeton një çast
dramatik, pikërisht kur jeta e tij po i afrohej perëndimit: rrëmbehet miku i tij,
Aldo Moro. Të shumta e plot ankth thirrjet që u drejton ‘njerëzve të Brigadave të
Kuqe’, duke nisur nga lutja e Engjëllit të Tënzot e 19 marsit, tri ditë pas rrëmbimit
gjaktar në Rrugën Fani. Njeri me kulturë të gjërë, dashuronjës i arteve e i letërsisë,
Pali VI rizbuloi vlerën e mecenatizmit, të Kishës që mbron artistët e porosit vepra
arti. Skorceli, Manzù e Nervi janë disa nga artistët më në zë, që punuan për Selinë
e Shenjtë gjatë papnisë së Tij. Fuqizoi Radio Vatikanin dhe Akademinë Papnore të Shkencave,
i nxiti njerëzit e kulturës t’i shërbejnë së vërtetës, të promovojnë dinjitetin e
njeriut, të krijuar sipas shembëlltyrës së Hyjit. Ndërmjet fryteve të shumta të shërbimit
të tij papnor, duhet kujtuar edhe reformimi i Kuries e i liturgjisë si dhe kremtimi
i Vitit jubilar 1975. Më 29 qershor 1978, më pak se një muaj para vdekjes, Pali VI,
ashtu si Shën Pali, mund të pohonte se e kishte luftuar me fund betejën e mirë të
Ungjillit: “Detyra jonë është ajo e vetë Pjetrit, të cilit Krishti i besoi
mandatin t’i përforconte vëllezërit (Cfr. Lk. 22,32): është detyra
për t’i shërbyer së vërtetës së fesë (…). Ja, pra, Vëllezër e Bij, ky është qëllimi
që na nxiti të përpiqemi pa u lodhur kurrë, me ngulm e vigjilencë, gjatë këtyre pesëmbëdhjetë
vjetëve të papnisë. “Fidem servavi’! mund të themi sot, me vetëdijen e përvujtë e
të patundur, se nuk e tradhtuam kurrë të vërtetën shenjte".