Kërcënime të papara kundër lirisë së Kishës: kështu Papa, Kalorësve të Kolombit
Në një epokë, në të cilën e drejta e lirisë fetare pëson gjithnjë e më tepër kufizime,
Papa lavdëron dëshminë e Kalorësve të Kolombit, organizatë kishtare, që do të mblidhet
në Kaliforni të SHBA-ve, nga dita e nesërme deri më 9 gusht. Në mesazhin për Këshillin
e 130-të të Lartë, Benedikti XVI shkruan se tema e asamblesë “Ta shpallim lirinë në
të gjithë vendin”, i kujton idealet biblike të lirisë e të drejtësisë, bazë e themelimit
të SHBA-ve. Gjithashtu, ajo u bën thirrjeve brezave të rinj t’i ruajnë, t’i mbrojnë
e të luftojnë për to. “Në një epokë, në të cilën zbatohen akte të organizuara
për të ripërkufizuar e për të ngushtuar fushën e ushtrimit të së drejtës së lirisë
fetare – vë në dukje Ati i Shenjtë – Kalorësit e Kolombit kanë punuar pa pushim për
ta ndihmuar bashkësinë katolike t’i njohë e t’u japë përgjigje këtyre kërcënimeve
të rënda e të papara kundër lirisë së Kishës dhe dëshmisë së saj morale e publike”.
Kështu, vazhdon Papa, ata kanë mbrojtur të drejtat e të gjithë besimtarëve dhe kanë
punuar me përgjegjësi për ndërtimin e një shoqërie të vërtetë demokratike. Duke pasur
parasysh se Kalorësit e Kolombit kanë qenë pionierët e punës me laikët, Benedikti
XVI e inkurajon Këshillin e tyre të Lartë të vazhdojë katekizmin dhe formimin shpirtëror
të besimtarëve, veprimtari këto, që e kanë karakterizuar Urdhërin gjithnjë. Ati i
Shenjtë i siguron Kalorësit se do të lutet, që secili prej tyre ta dëshmojë fenë e
Krishtit me jetën e vet dhe i falenderon për lutjet e tyre me rastin e 35-vjetorit
të shugurimit të tij ipeshkvnor. “Një akt solidariteti shpirtëror – shkruan Papa –
dëshmi e dashurisë për Pasardhësin e Shën Pjetrit, shenjë besnikërie, besimi e përkrahjeje
në këto kohë të vështira”.