2012-08-06 16:07:49

Festa e Shndërrimit të Krishtit. Papa: ta lëmë dritën e Zotit të depërtojë në errësirën e botës.


Sot Kisha kremton Festën e Shndërrimit të Krishtit. Ngjarje, kjo, pohon Benedikti XVI, që na fton ta ndjekim dritën e Zotit, për të dalë nga errësira e jetës. Po rikujtojmë disa nga fragmentet më shprehëse të katekizmit të Papës, kushtuar kësaj faqeje të ndritur ungjillore.
Misteri i së keqes e mbështjell jetën e njeriut dhe jetën e botës, duke depërtuar edhe në jetën e Kishës, sepse armiku e mbjell kudo egjrën e tij. Mendja njerëzore nuk e ka aspak të lehtë ta kuptojë rrjedhën e ngjarjeve, e sidomos kur vuajtja dhe e keqja bëhen të padurueshme, në shtegtimin tonë tokësor:RealAudioMP3
“Jeta njerëzore, në të vërtetë, është rrugë feje e, si e tillë, rrjedh më shumë në gjysmë hije, sesa në dritë të plotë, e nuk i mungojnë edhe çastet e errësirës, madje të errësirës së plotë. Përderisa jemi këtu poshtë, lidhja jonë me Zotin zhvillohet më shumë në dëgjim, sesa në vegim; i njëjti kundrim realizohet si me sy mbyllë, në sajë të dritës së brendshme, që ndez në ne fjala e Zotit”(Lutja e Engjëllit të Tënzot, 12 mars 2006).
Mali Tabor, ashtu si Sinai, na kujton Papa, është vendi në të cilin njeriu e ndjen veten shumë më pranë Zotit, sesa në jetën e përditshme. Është maje mali, ku mund të thithësh ajrin e pastër të krijimit. Prandaj edhe ne, ashtu si Pjetri, dëshirojmë të rrimë mbi Tabor, për të shijuar çaste parajsore mbi tokë. Po rruga për të aritur mbi majën e malit të Shndërrimit nuk është rruga e vetdashjes, e mbylljes në vetvete, në kërkim të kënaqësive. Rruga, që tregon Jezusi, është krejt tjetër:
“Kjo është pika vendimtare: shndërrimi është përshpejtim i ngjalljes, por kjo të kujton vdekjen. Jezusi u tregon Apostujve lumninë e tij, që të kenë forcë për ta përballuar shkandullin e Kryqit e të kuptojnë se duhet të durojnë shumë mundime për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit”(Lutja e Engjëllit të Tënzot 17 shkurt 2008).
Shndërrimi, na kujton Papa, është ngjarje, që lidhet ngushtë me lutjen: duke u lutur, Jezusi shkrihet në Hyjin, bëhet një me Të, bashkon vullnetin e tij njerëzor me vullnetin e dashurisë së Atit, e kështu pushtohet nga drita e duket ai që është në të vërtetë: “Hyj prej Hyjit, Dritë prej Drite”:
Për të krishterin, të lutet nuk do të thotë të ikë nga realiteti e t’i shmanget përgjegjësisë, por ta pranojë deri në fund të fundit, duke besuar plotësisht në dashurinë besnike e të pashterrshme të Zotit”(Lutja e Engjëllit të Tënzot, 4 mars 2007).
Shndërrimi i Jezusit në sa lutej mbi mal, sipas rrëfimit të Shën Lukës ungjilltar, i jep Papës shtytjen për të nënvizuar se Jezusi, kur dialogon me Atin e vet qiellor, nuk del nga historia, nuk i shmanget misionit për të cilin ka ardhur në botë, ndonëse e di mirë se duhet të kalojë përmes kryqit për të arritur në lumni. Madje Krishti, na kujton Papa, hyn edhe më thellë në këtë mision, duke iu nënshtruar me gjithë vetveten vullnetit të Atit. Tregon, kështu, se lutja e vërtetë është ajo, që na ndihmon ta bëjmë vullnetin tonë një me atë të Zotit.
Në Shndërrimin e Krishtit duket një re e ndritshme: është errësirë e është edhe dritë: errësira e moskuptimit tonë e drita e brendshme e zemrës së hapur, për të dëgjuar zërin e Atit, që jehon nga lart, duke shpallur se Jezusi është Biri i tij i dashur e duke shtuar: “Dëgjojeni!”. Duhet ta dëgjojmë, ashtu si e dëgjoi Maria:
“Ta dëgjojmë në fjalën e tij, që ruhet në Shkrimin Shenjt. Ta dëgjojmë në vetë ngjarjet e jetës sonë, duke u përpjekur të lexojmë në to mesazhet e Provanisë hyjnore. Ta dëgjojmë, në fund, ndër vëllezër, posaçërisht në të vegjëlit e të varfërit, të cilët Jezusi na fton t’i duam si vetveten. Të dëgjosh Krishtin e t’i bindesh zërit të Tij: kjo është udha kryesore, e vetmja, që çon në gëzimin e plotë e të dashurisë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.