2012-08-06 13:10:22

Eprori i përgjithshëm i jezuitëve: çelësi për të përballuar krizën është hyrja në zemrat e njerëzve


Çelësi i çdo gjëje është të hysh në zemrat e njerëzve. Eprori i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit, atë Adolfo Nikolàs, reflekton mbi problemet e shkaktuara nga kriza botërore dhe kërkon që qeveritë e përgjegjësit e ekonomisë botërore të mos humbasin rrugën nëpër projekte dytësore, fryt ndarjesh e kundërshtish, por të zbulojnë se mund të punojnë më thellë, në mënyrë më ungjillore. Sipas tij, kriza përfaqëson edhe një çast për të menduar një të ardhme ndryshe, për të vendosur në qendër të zhvillimit familjen. E ftuam atë Adolfon Nikolàs, në mikrofonin tonë, për të na sqaruar më mirë idetë e tij. Ta dëgjojmë:RealAudioMP3

Ka dy aspekte, që duhen marrë parasysh: njëri është ai, që ka të bëjë me familjen njerëzore, tjetri është ai, që ka të bëjë me bërthamën familjare. Duke reflektuar për jetën e krishterë, jam bindur gjithnjë e më shumë se familja është vërtet vend ku personat rriten si qënie njerëzore, edhe duke ndjekur Krishtin, sepse familja u shtron përpara shumë çështje prindërve e prindërit mësojnë, brenda kësaj familjeje, ta harrojnë vetveten. E kjo është diçka e vazhdueshme: çdo moshë ka problemet, sfidat e rrugët e veta të rritjes e gjithçka është kaq konkrete, kaq krijuese e kaq dinamike. Nuk mund të jesh egoist brenda familjes – “ti ke vëndin tënd, unë kam vendin tim” – sepse kjo nuk funksionon. Janë marrëdhënie aktive, një sfidë e vazhdueshme për prindërit: ose rritemi të gjithë së bashku, ose familja bëhet ferr. Atëherë, nëse Kisha dëshiron të flasë sot për shenjtëri e për ndjekjen e Krishtit, familja është vendi ku kjo mësohet. E ata, që nuk kanë si detyrë kryesore familjen, duhet të ndihmojnë familjen e të tjerëve, ta shoqërojnë me dëshminë e tyre. Roli kryesor i familjes është se ajo duhet të shërbejë si vend për rritjen e personit.

Familja është pikë referimi për individin, por edhe për shtetet, për marrëdhëniet ndërmjet vendeve të pasura e atyre të varfëra…

Po, ky do të ishte aspekti i dytë: familja e konceptuar si familje njerëzore në përgjithësi, që përfshin të gjithë njerëzimin. Sot jemi të vetëdijshëm për ekologjinë e botës: e dimë se nëse e shkatërrojmë atë, vuajmë edhe ne, vemë në rrezik jetën njerëzore. Nuk është fjala vetëm për jetën e gorillave, apo të disa kafshëve që po zhduken, por është fjala për jetën e njeriut. Mund ta vërejmë këtë në shumë vende: për shembull, në Tokio, njeriu ka shkatërruar kushtet e jetesës për korbat e këta janë zhvendosur nëpër qytetet, ku përbëjnë një problem jo të vogël. Korbat mbërrijnë, përpiqen të gjejnë për të ngrënë në mes të plehrave, duke i përhapur ato andej-këndej. Vendosen rrjeta për ta penguar këtë përhapje, por krijohen vetëm probleme të tjera, pasi korbat janë të zgjuar dhe gjejnë rrugë të tjera. Këtë situatë e shohim edhe nga sinjale të tjera, të vogla e të mëdha: mungon uji, mungon ajri… Nuk është thjesht çështje ekologjike, është para së gjithash, ‘ekologji njerëzore’. Përvoja jonë e fundit në Afrikë (me rastin e mbledhjes së Eprorëve të Shoqërisë së Jezusit, në Nairobi të Kenias, në javën e dytë të korrikut) ishte shumë e rëndësishme, pasi atje pamë se popujt afrikanë, të privuar nga burimet natyrore, të shkatërruar nga konfliktet e shkaktuara nga të tjerët, e kanë ruajtur humanitetin e tyre, që e tregojnë përmes mikpritjes, afërsisë, dashurisë për të tjerët. Afrikanët e ndjejnë veten të lidhur me pjesën tjetër të botës. Sa e vërtetë tingëlloi ç’na tha Eprori Provincial i Afrikës Lindore, kur na përshëndeti me fjalët “Mirë se u kthyet në shtëpi”, sepse Afrika është shtëpia e të gjithëve, është vendi ku gjithçka filloi, ku mund të gjejmë akoma atë humanitet, që ndoshta, Evropa e ka harruar.

Cili ishte qëllimi i asamblesë së Nairobit?

Ishte mbledhja e delegatëve nga e gjithë bota. Mbledhje e rëndësishme, megjithëse jo aq sa Asambleja e përgjithshme, që mbahet gjithnjë në Romë, por shërbeu për t’i dhënë udhëheqjes së Shoqërisë së Jezusit perspektiva të reja, të ndryshme nga ato, që gjejmë zakonisht në kuadrin e Provincave.

Ju folët për krizën aktuale si rast për të ndryshuar. Duke pasur parasysh figurën e themeluesit të jezuitëve, shën Injacit të Lojolës, çfarë shpresash mund t’i japë mendimi i tij njerëzimit të sotëm?

Koha jonë është shumë e ngjashme me kohën në të cilën jetonte shën Injaci. Një epokë, ku çdo gjë po ndryshonte: kishte ndryshuar komunikimi, kishin zbuluar shtypin, fillonin udhëtimet e mëdha për të shkuar në Amerikë, në Azi… Por gjendja ishte e ngjashme me të sotmen, përsa u përket ndryshimeve në fushën e vlerave, të perspektivave… risi në fushën shkencore, mundësi të reja. Një situatë, që e çon Shën Injacin drejt këtij zbulimi: çelësi i gjithçkaje është të hysh në zemrat e njerëzve. Të mos humbasësh nëpër projeket sipërfaqësore, por të shkosh drejt e në zemrën e njerëzve për t’u dhënë atyre mundësi të zbulojnë se ka diçka më të thellë se gjeografia, politika, apo ndarjet e asaj Evrope të vockël të së kaluarës, që kujtonte se përfaqësonte botën. Prandaj, mendoj se është çasti të përfitojmë nga kriza, pa u ankuar shumë, për të zbuluar ato forma të reja komunikimi e shkëmbimi, që i lejojnë familjes njerëzore të zhvillohet, sidomos sot, që e dimë se kriza është shumë e ndërlikuar dhe e ndryshme nga ajo, që mendonin evropianët e kohës së Shën Injacit.

Pra nuk shërbejnë tonet katastrofike. Ç’duhet bërë për të parë drejt të ardhmes së njerëzimit?

Tonet katastrofike i përdorin, ata që kanë një këndvështrim shumë të ngushtë mbi botën, me kufi gjeografikë shumë të fortifikuar, por kur shihet bota si e tërë, me të gjitha mundësitë e saj; kur shohim se vlerat, që kanë humbur në Evropë vazhdojnë të jetojnë në Afrikë, kjo na jep shpresë. Janë vlera që kthehen e Afrika do të ketë më tepër peshë në të ardhmen, në krahasim me sot. E njëjta gjë vlen edhe për Azinë.








All the contents on this site are copyrighted ©.