2012-08-04 13:20:34

Shenjtorët e javës


E diel 5 gusht Kisha katolike kremton të dielën e 18-të gjatë vitit kishtare, e gjithnjë më 5 gusht, kalendari përkujton edhe përvjetorin e Kushtimit të Bazilikës romake të shën Marisë së Madhe, një nga Kishat më të vjetra kushtuar Virgjërës Mari.
Liturgjia e kësaj feste na fton t’i sjellim sytë nga Maria, Nëna e Krishtit. Ta shikojmë gjithnjë atë, duke u munduar t’i përngjajmë në ndjekjen besnike të vullnetit të Zotit.

Të hënën më 6 gusht, Kisha kremton festën e Shndërrimit të Zotërisë Jezu Krisht. Petkat e tija u bënë të bardha porsi bora (Dn 7,9-10.13-14). Në fytyrën e tij shkëlqen lavdia e Atit (Ps 96). Këtë zë, ne e kemi dëgjuar derisa zbriste nga qielli (2Pt 1,16-19).
Ky është Biri im – djali i Dishirit (Mk 9,2-10).Ngjarja kulmore e jetës publike të Jezusit është Shndërrimi, sikur se pagëzimi ishte fillimi i jetës së tij publike e të Ngjiturit në qiell, fundi. Për besimtarët, kjo ngjarje e Shndërrimit të Jezusit është parashijim e avancim i Pashkëve dhe i lavdisë së jetës së amshuar.

Të martën më 7 gusht, kalendari kishtar përkujton shën Sikstin II-të e shokët martirë; shën Gaetanin e Ananinë.
Liturgjia na kujton se ligji i ri i Krishtit i fton të gjithë të jenë plot dashuri e mëshirë, bujari e solidaritet, si kur fitojnë, ashtu edhe kur, për syrin e botës, humbasin. Duhet të galdojmë përherë në Zotin, që na shpëton.

Të mërkurën më 8 gusht, kalendari përkujton shën Domenikun nga Guzman, meshtar, themelues i Urdhrit të Predikatarëve, si dhe shenjtorët Qiriako, Largo e Smaragdo, martirë.
Kremtoje Zotin, o Jerusalem, thotë psalmi i kësaj dite. Ndërsa në Ungjill, Jezusi është i vetëdijshëm për ditët e errëta që e presin, por, duke pasur parasysh Ringjalljen, vazhdon të na edukojë për të krijuar marrëdhënie të drejta me institucionet fetare e politike.

Të enjten më 9 gusht, përkujtohet shën Tereza Benedikta e Kryqit, virgjër e martire, pajtore e Evropës, e shën Romani, martir.
Ja dhëndri – thotë psalmi i kësaj dite – shkoni ta takoni Krishtin Zot. Edit Shtajn – ky është emri i shën Terezës para se të bëhej murgeshë – shkon të takojë Krishtin në rrugët e filozofisë, të fesë e të martirizimit në kampin nazist të Aushvicit, duke dëshmuar se në çdo çast, në çdo situatë, duhet të jemi gati për ardhjen e Hyjit.

Të premten më 10 gusht kalendari përkujton shën Lorencin, diakon e martir.
Gjaku i derdhur nga shën Lorenci dëshmon se kush e humb jetën për Krishtin në këtë botë, do ta ruajë atë për amshim. Lum njeriu që ka frikën e Tënzot, këndon psalmi i kësaj dite.

Të shtunën më 11 gusht, kalendari përkujton shën Kiarën e Asizit, virgjër, themeluese e Klariseve, shën Tiburcin, martir dhe shën Suzanën romake.
Shën Kiara, me butësinë dhe vendosmërinë e saj, na nxit të imitojmë Atin Qiellor: të falim gjithnjë me zemër të tjerët, duke pasur mëshirë për ata, që e kërkojnë faljen prej nesh. E kështu na mëson edhe Krishti në Ungjillin e ditës.“Dashuria e tij është përgjithmonë” këndon të premten psalmisti.

Të dielën e ardhshme më 12 gusht, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 19-të gjatë vitit, e po më 12 gusht kalendari përkujton edhe përkujtohen shën Gjovana Françeska di Shantal, rregulltare, shën Inoçenci XI, papë, shën Erkolani e shën Leila.
Në Ungjill, Jezusi shndërron thellësisht të gjitha marrëdhëniet, edhe ato ndërmjet burrit e gruas, duke i quajtur farisenjtë zemërgurë, pasi i përzënë gratë për të marrë të tjera. Çifti bashkëshortor, me këtë ndërhyrje të Krishtit, bëhet i pandashëm, simbol i dialogut ndërmjet Zotit e njerëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.