2012-08-04 11:55:46

Koncili kishtar Ilirik i vitit 515 e herezia e Monofizizmit.


9. Kishtar Ilirik i vitit 515 e herezia e Monofizizmit. Vazhdojmë bisedën për Koncilet Kishtare Ilirike, e sot do të ndalemi te Koncili Kishtar i Ilirikut i vitit 515 që ia preu kokën herezisë së Monofizizmit në Iliri. Me Anastasin I Perandor filloi dhe mbaroi, ndikimi i Monofizizmit në Iliri, ku Koncili i vitit 515 ia preu kokën kësaj herezie.
Anastasi I, perandor i Bizantit (në latinisht: Flavius Anastasius; në greqisht: Φλάβιος Ἀναστάσιος), lindi në Durrës rreth vitit 430, vdiq në Kostandinopojë, më 9 korrik të vitit 518, pasi e sundoi perandorinë bizantine nga viti 491 deri më 518.
Ishte bir heretikësh. E ëma vinte nga manikejtë e i ungji, Klearku, qe arian. Njihet si burrë shumë i pashëm, shtatlartë, i etur për kulturë, i mençur, aktiv, i urtë e durimtar. Kishte një karakteristikë të çuditshme: njërin sy e kishte të zi, tjetrin, të kaltër. Prej këndej, epiteti Dicorus (greqisht: sydyngjyrësh).
Pa u kurorëzuar ende perandor, nisi të interesohej tepër për problemet fetare të perandorisë, aq sa të konsiderohej si kandidat për fronin ipeshkvnor të Antiokisë. Ndërmjet viteve 489 e 491 u ndesh me patrikun e Kostandinopojës, Eufemin, i cili kishte hapur në Kishën e madhe, një katedër, ku jepte privatisht mësime, që ndiqnin bindjet e Eutikut, themelues i Monofizizmit. Më pas edhe vetë hyri në udhën e kësaj herezie, duke u bërë monofizit i bindur. Tepër interesante, historia e sundimit të tij, plot me luftëra të brendshme e të jashtme, beteja tokësore e detare, intriga oborrtare e fetare, nga të cilat doli pothuajse gjithnjë fitimtar. Pas vdekjes së Zenonit, u ul në fronin e Perandorisë romake të Lindjes, me ndihmën e Arianës, vejushë e perandorit. Para se të kurorëzohej, më 11 prill, nga Eufemi, Anastasi u detyrua të nënshkruante një dokument, në të cilin deklaronte ortodoksinë e tij, ndërsa më 20 maj të të njëjtit vit, e forcoi pozitën e vet duke u martuar me Arianën.
Perandori, ndonëse monofizit, ndoqi një politikë kishtare të moderuar; u impenjua të ecte sipas parimeve të Henotikon (Mjeti i bashkimit), dokument me të cilin Zenoni u përpoq të siguronte paqen në gjirin e kishës. Kështu, për shumë kohë, derisa mospajtimi me fanatikët ortodoksë dhe rebelimi i popullsisë bizantine, e detyruan të braktiste këtë poltikë e të pranonte programin monofizit. Me politikën e tij financiare, tejet të matur dhe të prirur nga kursimi, fitoi epitetin koprraci, duke humbur shumë nga popullariteti, që pati fituar në fillim të sundimit.
Me Anastasin I filloi, e me të edhe mbaroi, ndikimi i Monofizizmit në Iliri, ku Koncili i vitit 515 ia preu kokën kësaj herezie.
Shkruan Shën Jeronimi për këtë periudhë, në një letër drejtuar Papës Damazi (ep. 16): “Me tërbim, që zgjat prej shekujsh, popujt e Lindjes vijojnë të ndeshen ndërmjet tyre e ta bëjnë copë e çikë tunikën njëcope të Krishtit. Dhelprat shkelin e dërmojnë Vreshtin e Krishtit; në mes të saranxhave të rrënuara e pa ujë, është e vështirë të kuptosh ku gjendet ‘burimi i vulosur’, ‘kopshti i rrethuar me gardh’, për të cilin flet Shkrimi Shenjt.
Prandaj vendosa të këshillohem me katedrën e Pjetrit, ku ruhet ajo fe, që e lartoi goja e Apostullit: vij të kërkoj ushqim për shpirtin tim atje, ku dikur pata marrë petkun e Krishtit.
E as pafundësia e detit, as largësia e pamasë e tokës, nuk mund të më pengojnë të kërkoj margaritarin e çmuar.
Në perëndim lind dielli i drejtësisë, ndërsa në Lindje ka ngritur fronin mbi yje, ai Luciferr, që pati rënë nga qielli”.







All the contents on this site are copyrighted ©.