Bazilika romake e Shën Marisë së Madhe rijeton ‘mrekullinë e dëborës’
Siç tregon gojëdhëna, natën e 5 gushtit të vitit 358, Zoja e Bekuar iu duk njëherësh
Papës Liberit e patricit romak, Gjonit dhe i ftoi t’i ndërtonin një Kishë në atë vend,
ku do të binte dëborë atë natë të nxehtë romake. E dëbora ra. Të nesërmen, në prani
të një turme romakësh, Papa ravijëzoi në dëborë perimetrin e asaj Kishe, që do të
bëhej bazilika e parë e ndërtuar në këtë vend e që u quajt Shën Maria e Dëborës. Kështu,
çdo 5 gusht në bazilikë kremtohet festa e Shën Marisë së Dëborës. E në të njëjtën
ditë, edhe shugurimi i saj. Gjatë të dy kremtimeve, sipas traditës, mbi besimtarët
reshet nga lart një shi me petale të bardha trëndafilash, në kujtim të flokëve të
dëborës, që ranë mrekullisht natën e largët të vitit 358. Natyrisht Bazilika aktuale,
që njihet si e Shën Marisë së Madhe, është rindërtuar disa herë gjatë shekujve, përmbi
themelet e lashta, shënuar së pari mbi dëborë. Në lutjen e Engjëllin e Tënzot të
5 gushtit 2007, Benedikti XVI i lartonte lutjen e tij Virgjërës Mari, në festën e
Zojës së Dëborës, që na kujton kohën e largët, kur nisi ndërtimi i bazilikës romake
të Shën Marisë së Madhe, një nga kishat më të vjetra e më të mëdha në botë kushtuar
Nënës së Zotit: “Virgjëra, e cila më shumë se çdo krijesë tjetër mori pjesë
në misterin e Krishtit, na ndihmoftë në shtegtimin tonë të fesë me qëllim që, siç
na fton të lutemi liturgjia e sotme - duke u përpjekur me të gjitha forcat ta nënshtrojmë
tokën, të mos lejojmë të sundohemi nga lakmia dhe egoizmi, por të kërkojmë gjithnjë
atë që vlen para syve të Zotit”. Ndërsa, gjatë audiencës së përgjithshme
të 5 gushtit 2009, Papa Ratcinger kujtoi festën e Zonjës së Borës në përshëndetjen
drejtuar posaçërisht të rinjve, të sëmurëve e të sapomartuarve: “Sot, në
kujtimin liturgjik të Kushtimit të Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, liturgjia na
fton t’i sjellim sytë nga Maria, Nëna e Krishtit. Shikojeni gjithnjë atë, të dashur
të rinj, duke u munduar t’i përngjani në ndjekjen besnike të vullnetit hyjnor; drejtojuni
Asaj me besim, të dashur të sëmurë, për të provuar, në çastin e provës, frytin e mbrojtjes
së saj; besojani Zojës, të dashur bashkëshortë të rinj, familjen
tuaj, që të jetë gjithnjë e mbrojtur me ndërmjetësimin e saj amtar”. E
sot, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe u kremtuan Mesha pontifikale dhe lutjet e
dyta mbrëmësore të solemnitetit, kryesuar nga kardinali kryeprift i bazilikës, pasuar
nga kremtimet e mbylljes. Si çdo vit besimtarët, mbledhur me shumicë në të tre
kremtimet, rijetuan ‘mrekullinë e dëborës’, që të rikujton dukjen e Zojës së Bekuar
në Eskuilin, në vitin e largët 358…