2012-08-03 18:15:52

Mbrëmje bavareze për Papën. Kardinali Marks: shtegtim muzikor në dioqezën e Munihut e Frizingës.


Kastel Gandolfo sot pasdite u bë një Bavari e vogël. Në orën 18.00 një delegacion i Munihut e Frizingës, i kushtoi Papës një manifestim muzikor me rastin e 85-vjetorit të ditëlindjes, kremtuar më 16 prillin e kaluar. Këngë, valle e tinguj muzikorë, në praninë e Benediktit XVI, për të ripohuar dashurinë e bavarezëve, që mbeten gjithnjë shumë të lidhur me ish-kryeipeshkvin e tyre të ndritur.
“Bavaria: zemra e krishterë e katolike e Gjermanisë. Atje mbeti përherë një copëz e jetës sime, një pjesë, në të cilën jetova e luftova, që më ndihmoi të bëhem kështu si jam tani, para jush e ashtu, si do të jem një ditë, kur do të paraqitem para Zotit.
Bavaria! Tokë, që mbeti e re, pikërisht sepse gjithmonë një nëpër ndryshime, gjithnjë besnike ndaj vetvetes! Tokë, që vijon të lulëzojë!” Kështu, e përshkruante tokën e tij Papa Ratcinger, pak ditë para 85 vjetorit të Ditëlindjes, duke takuar një delegacion bavarez.
Ndërsa sot, në orën 18.00, në Oborrin e Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfos, Benedikti XVI ishte i pranishëm në mbrëmjen muzikore të dioqezës, në të cilën u shugurua meshtar e së cilës, pastaj, i priu për pesë vjet me radhë, si kryeipeshkëv i Munih-Frizingës.
Ishte një orë e paharrueshme. Nisi me hyrjen në Oborr të alpinëve bavarezë, Bayerischen Gebirgsschützen, veshur me kostume tradicionale, që e nderuan Papën me të shtëna e brohori. Pasoi fjalimi i kardinalit Reinhard Marx, kryeipeshkëv i Munih-Frizingës, e më pas, koncerti me pjesëmarrjen e grupeve, ardhur nga zona të ndryshme të dioqezës. Ndërmjet tyre, ‘përplasësit e këpucëve’, që luajtën vallen bavareze e tiroleze.
Në përfundim, Papa u drejtoi fjalën dhjetëmijë të pranishmëve, që u nisën që më 1 gusht me tren nga Landshut, në zemër të Bavarisë.
Ishte një mbrëmje e ngrohtë, në të cilën u ndje fort afërsia ndërmjet Jozef Ratcinger e njerëzve të tokës së tij amtare, që treguan me tinguj, ngjyra, kostume e sidomos, me zemër, se vijojnë ta duan me gjithë shpirt Papën e tyre!
E nënvizoi këtë edhe kardinali Marx, në mikrofonin tonë.

Përgjigje: - Bah, në të vërtetë, që në fillim patëm menduar të organizonim një grup të madh e të niseshim shumë njerëz nga dioqeza. Sa u mor vesh se Papa e kishte pranuar këtë propozim, se do të dëshironte që kjo ngjarje të ndodhte në verë, në periudhën kur pushon, e kuptuam menjëherë se mund të ftonim shumë njerëz. Jehonën e pamë e më duket shumë e bukur. Ishte shtegtim muzikor nga dioqeza e Papës, që i njeh mirë traditat popullore të Bavarisë, të cilat ia sollëm si dhuratë. Në të vërtetë ishte më e lehtë t’ia sillnim ne, sesa ta shqetësonim me një ftesë të re për të ardhur mes nesh, në Bavari.







All the contents on this site are copyrighted ©.