2012-08-03 14:11:34

Koncili Kishtar i vitit 515 në Iliri kundër herezisë monofizite


8. Në vitin 515 në Iliri mblidhet një Koncil i ri Kishtar kundër herezisë monofizite. Mbas Koncilit të vitit 415, i cili nisi me përçarjen e ipeshkvijve lidhur me emërimin e ipeshkvit Perigjeni, vijoi me konfliktin ndërmjet Papës Bonifaci I e Perandorit Teodosi II e përfundoi me rikthimin e parisë së pasardhësit të Shën Pjetrit mbi Kishat në Ilirikum, në këto troje vijoi ndikimi i herezive të reja, që lindnin në Konstandinopojë e i problemeve të reja, këtë herë, me burim nga monofizizmi (nga qishtja, monè, «unik», e , «natyrë»).
Termi, i përdorur në teologjinë katolike e në historiografinë lindore për kristologjinë, u formulua nga Patriku i Kostandinopojës, Eutiku, sipas të cilit natyra njerëzore e Jezusit ishte shkrirë me atë hyjnore e, prej këndej, Krishti kishte një natyrë të vetme, atë hyjnore. Eutiku, arkimandrit i një manastiri me më shumë se 300 murgjër, zbriti në fushën e betejës teologjike kundër Nestorit, sipas të cilit Krishti kishte dy natyra, të dalluara njëra nga tjetra. Ndërsa Eutiku ngulte këmbë se para mishërimit, Zoti kishte vërtet dy natyra, por më pas, një të vetme, sepse natyra hyjnore e kishte thithur atë njerëzore, si deti, pikën e ujit.
Dante në Komedinë Hyjnore (Parajsa Kanga VI) mendon gabimisht se themelues i monofizizmit ishte Justiniani, gabim që u korrigjua më pas, nga papa Agapito I. Shkruan Dante:
“një natyrë kishte Krishti, jo dy
besonte, e kënaqej fort me këtë besim”...
Ndërsa historia e Kishës bizantine na shtyn të mendojmë se Eutiku hyri në rrugën e herezisë, i nxitur nga e shoqja e perandorit, Teodora, e jo nga vetë perandori i Lindjes.
Në këtë atmosferë, u rishfletuan në të gjithë Kishën e Perëndimit e të Lindjes, edhe dokumentet e Koncileve të para e u mblodh Koncili II i Efezit (449), kryesuar nga Flaviani i Kostandinopojës, në të cilin teza e Eutikut u pranua si e drejtë (ortodokse) ndërsa Flaviani, që e kundërshtonte, u mbyt mizorisht nga ndjekësit e Eutikut. Koncili përfundoi me zgjidhjen e Eutikut e me shkishërimin e Flavianit si dhe të papës Leoni I (440-461).
Por punët ndryshuan pas vdekjes së Teodosit II, kur në fron u ul Marciani, e shoqja e të cilit, Pulkeria, i hodhi poshtë përfundimet e Koncilit të Efezit (449).
Një vit më pas, me nismën e Papës, u nënshkrua, më në fund Tomus ad Flavianum.
Më 451 u mblodh Koncili i Kalçedonisë, që e dënoi monofizizmin. Eutiku u internua, ndërsa Flaviani i Kostandinopojës u shpall martir i fesë. Natyrisht edhe Papës iu hoq shkishërimi. Po kjo nuk mundi ta ndalonte menjëherë ndikimin e kësaj herezie, sepse tashmë ishte përhapur në të gjitha trojet e dy Romave, natyrisht edhe në Ilirikum, duke bërë për vete disa ipeshkvij.
Prej këndej, nuk mund t’i kuptojmë trazirat, që lindën në Kishën e Ilirikut, pa sintetizuar ngjarjet e Kishës Katolike Universale romake e asaj bizantine, sepse prej tyre rrezatonin në të gjithë krishterimin, herezitë, pranimi e kundërshtimi i tyre.
E pikërisht për të luftuar kundër monofizizmit dhe ipeshkvjve ndjekës së kësaj herezie, u mblodh Koncili i Ilirikum, ndoshta rreth vitit 515, kur vdiq Arianna Auguste, bija e Leonit I. Ajo arriti deri atje sa të helmatiste të birin, Leonin II, për t’i siguruar fronin të shoqit Zenonit. Kështu Zenoni, që ishte shpallur bashkëperandor, u bë i vetmi perandor i perandorisë romake, falë ambicieve kriminale të së shoqes, derisa në skenën historike dolën dy figura të tjera madhore, që ndikuan fuqimisht mbi historinë e dy Romave. Papa Gelasi (Gjeloshi) I dhe Perandori heretik durrësak, Anastasi I. Në kohën e tyre u mblodh Koncili ilirik i vitit 515, në një vend të papërcaktuar. 40 ipeshkvij të Ilirisë dhe të Greqisë e dëshmuan me shkrim fenë e tyre ortodokse dhe besojmën e tyre, duke u ndarë nga metropoliti Timoteo i Selanikut, besnik i Perandorit heretik ilir, Anastasi I. (430/431-518). Nuk mund të flasim për Koncilin e mbledhur në Iliricum, në vitin 515 e atë të vitit në vijim, pa u ndalur tek herezia monofizite dhe tek prijësit e dy Kishave: Romës e Kostandinopojës, tek Papa Gjeloshi I e Perandori durrësak, Anastasi I.







All the contents on this site are copyrighted ©.