Na ndajnë vetëm dy muaj nga fillimi i Vitit të Fesë, i cili do të hapet me një kremtim
solemn, të kryesuar nga Papa Benedikti XVI, paraditen e së enjtes, më 11 tetor,
në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Kalendari i këtij Viti, i cili do të përfundojë
më 24 nëntor 2013, parashikon disa ngjarje me praninë e Atit të Shenjtë, por
edhe një sërë takimesh, kuvendesh dhe nismash, për të reflektuar mbi tema fetare e
kulturore. Kalendari u paraqit javën e kaluar në Vatikan. Do të kemi rastin të
flasim më tej për të gjitha veprimtaritë kishtare gjatë Vitit të Fesë, por sot po
ndalemi në veprimtaritë e fillimit, ato të tetorit. Më 6 tetor, nisma e Këshillit
Papnor të Kulturës, “Oborri i jo besimtarëve”, që ka qenë edhe në Tiranë në nëntor
të vitit të kaluar, zhvendoset në Asizi, në qytetin e Shën Françeskut, për një dialog
ndërmjet besimtarëve dhe jo besimtarëve mbi temat e fesë. Nga data 7 deri më
28 tetor, në Vatikan, do të zhvillohet asambleja e 13-të e përgjithshme e Sinodit
të Ipeshkvijve, me temë “Ungjillëzimi i ri për transmetimin e fesë së krishterë”. Më
11 tetor, siç e thamë më parë, në orën 10.00, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan,
Papa Benedikti XVI kremton Meshën Solemne për hapjen e Vitit të Fesë, së bashku me
etërit sinodalë dhe me kryetarët e Konferencave Ipeshkvnore nga e gjithë bota. Po
atë ditë, nga ora 18.30 deri në orën 21.30, anëtarët e Veprimit Katolik Italian do
të përshkojnë, me qirinj të ndezur në duar, rrugën nga Kështjella e Shën Engjëllit
deri në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në kujtim të 50-vjetorit të Koncilit II
të Vatikanit. Të nesërmen, më 12 tetor, në kishën e Jezusit në Romë, në
orën 21, Këshilli Papnor i Kulturës, Rektoria e Emrit të Shenjtnueshëm të Jezusit
në sheshin Argjentina dhe Shtëpia e Dantes në Romë, organizojnë një mbrëmje kulturore
dhe artistike me temë “Feja e Dantes”. Do të recitohet kënga XXIV e Parajsës, e cila
përmban besojmën e poetit të madh italian të “Komedisë Hyjnore”. Më 20 tetor,
Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve organizon një shtegtim në kodrën e Xhanikolos,
pranë Vatikanit dhe mbrëmjen e lutjes për misionet. Më 21 tetor, Papa Benedikti
XVI kremton në Vatikan, meshën e shenjtërimit të gjashtë martirëve dhe besimtarëve
të shquar të fesë katolike. Nga data 26 deri më 30 tetor, në Romë
zhvillohet Kongresi i Bashkimit botëror të mësuesve katolikë, në të cilin do të diskutohet
mbi rolin e mësuesit e të familjes në formimin e përgjithshëm të nxënësve e të studentëve.