Çelësi i fjalëve të Kishës: Lutja "Ati ynë", sipas shën Agostinit të Iponës
Të dashur dëgjues, prej kohësh, Papa Benedikti XVI, në audiencat e përgjithshme të
ditës së mërkurë, flet për lutjen. Edhe dje, në audiencën e parë, zhvilluar në Kastel
Gandolfo, pas një një periudhe pushimi, Ati i Shenjtë iu rikthye lutjes. Sot, me ndihmën
e shën Agostinit të Iponës, do të përpiqemi të shpjegojmë se ç’kuptim ka “lutja”
për të krishterët.
Në “Letrën për Probën”, shën Agostini thotë qartë se
çdo njeri e ka brenda vetes dëshirën për t’u lutur. Në praktikën asketike është e
njohur “lutja e vazhdueshme”, e cila e impenjon njeriun ditë e natë, me një frazë,
sa të shkurtër, aq domethënëse: “O Zot, Jezu Krisht, ki mëshirë për mua!” Kështu,
vetë jeta e njeriut kthehet në lutje, siç thoshte Shën Pali Apostull, i cili në Letrën
e parë drejtuar Selanikasve, i këshillon: “Lutuni pa u ndalur”(5,17). Për shën
Agostinin, kjo frazë do të thotë: “Dëshironi, pa u lodhur, të merrni si dhuratë
prej Atij, i vetmi që mund t’ua japë, jetën e lumnueshme, e cila s’është tjetër, veçse
jeta e amshuar”(Letra 130, Agostini Probes, 8, 15-9, 18, f. 89-93).
Por
një shprehje e Jezu Krishtit në Ungjillin e shën Mateut, na paralajmëron të mos themi
fjalë të kota në lutje, sepse Zoti e di mirë për çfarë kemi nevojë: “Kur të luteni,
mos e teproni me fjalë të kota porsi paganët: ata mendojnë se do t’u plotësohet lutja
nëse thonë shumë fjalë”(6,7). Është pikërisht në këtë çast, që Krishti u mëson
dishepujve të vet lutjen kryesore të krishterimit “Atynën”. Shën Agostini, gjithnjë
në Letrat drejtuar Probës, na udhëheq nëpër frazat e “Atynës”, duke na ndihmuar
ta kuptojmë drejt atë:“Për ne, fjalët janë të nevojshme, sepse kështu i thërrasim
mendjes dhe kuptojmë se ç’i kërkojmë Zotit, por të mos kujtojmë se me këto fjalë mund
t’i sugjerojmë ndonjë gjë Hyjit, ose ta detyrojmë të bëjë vullnetin tonë.
Kur
themi:“U shenjtëroftë emri Yt”, e nxisim vetveten
të dëshirojmë që emri i Hyjit, i cili është gjithmonë i shenjtë, të konsiderohet i
shenjtë edhe në mesin e njerëzve, të mos përçmohet, gjë kjo, që nuk i sjell përfitime
Zotit, por njerëzve. Kur themi:“Ardhtë Mbretëria
Jote”, e cila do të vijë pa tjetër, duam-s’duam ne, e nxisim veten ta dëshirojmë
atë mbretëri, që të vijë për ne e të jemi të denjë për të. Kur themi:
“U bëftë Vullnesa Jote si në qiell ashtu dhe në tokë”, në i kërkojmë
Zotit të jemi të gatshëm e të bindur për të zbatuar vullnetin e Tij, në atë mënyrë,
që ia zbatojnë engjëjt e qiellit. Kur themi:“Bukën
tonë të përditshme, na e jep sot”, me fjalën “sot”, kuptojmë “kohën e tashme”,
në të cilën ose kërkojmë të gjitha gjërat e mjaftueshme për të jetuar, më e rëndësishmja
prej të cilave është “buka”, ose dëshirojmë sakramentin e besimtarëve, që është i
nevojshëm në këtë jetë, për të arritur lumturinë, jo të kësaj bote, por të botës së
amshuar. Kur themi:“Na i fal fajet tona si i falim
ne fajtorët tanë”, i thërrasim mendjes se duhet të bëjmë diçka për ta merituar
këtë hir. Kur themi:“Mos na ler të biem në tundim”,
kërkojmë që të mos na gënjejnë e të mos biem në tundim e në dhimbje, kur
na duket se na mungon ndihma hyjnore. Kur themi:“Na
liro nga e keqja”, i kujtojmë vetes se akoma nuk e zotërojmë të mirën,
në të cilën nuk do të vuajmë asnjë të keqe. Fjalët e fundit të lutjes së
Zotit kanë një kuptim kaq të madh, sa çdo i krishterë, në çdo lloj mundimi, kur i
shqipton, loton e gjëmon, por këtu fillon, këtu ndalet e këtu përfundon lutja e tij…
Fjalët e tjera që themi… nuk shprehin tjetër, veçse gjithçka përmbahet në lutjen,
që na ka mësuar Zoti, nëse e themi mirë e si duhet. Kush thotë gjëra, që s’kanë të
bëjnë me këtë lutje ungjillore, …lutet sipas kërkesave të trupit… të rilindurit në
Shpirtin Shenjt duhet të luten vetëm sipas kërkesave të shpirtit”, përfundon shën
Agostini (Letra 130, Agostini Probes, 11, 21-12, 22, f. 93-95).
Prandaj, mos
thuaj “Atë”, nëse çdo ditë nuk sillesh si bir i vërtetë;
mos thuaj “yni”, nëse jeton i izoluar në egoizmin
tënd; mos thuaj “që je në qiell”, nëse mendon vetëm për gjëra
tokësore; mos thuaj “ardhtë mbretëria jote”, nëse
e ngatërron atë me suksesin material; mos thuaj “u bëftë vullnesa
jote”, nëse nuk e pranon, kur është e dhimbshme, ose përpiqesh të imponosh
idetë e tua; mos thuaj “bukën tonë të përditshme na e jep sot”,
nëse pastaj, e shpërdoron e s’pyet për njerëzit, që vdesin nga uria; mos thuaj
“na i fal fajet tona”, nëse akoma mban inat me vëllain tënd; mos thuaj “mos na ler të biem në tundim”, nëse s’e ke
ndërmend t’i lesh mëkatet; mos thuaj “na liro nga e keqja”,
nëse nuk mban qëndrim ndaj saj e mbetesh indiferent para dhunës që të rrethon; mos
thuaj “Ashtu qoftë”,nëse nuk i merr seriozisht fjalët e
kësaj lutjeje.