2012-08-02 14:58:21

Papa ka përfunduar librin për fëmijërinë e Jezusit. Kardinali Bertone flet për një Enciklikë të re


Papa Benedikti XVI ka përfunduar librin kushtuar fëmijërisë së Jezusit. Lajmin e dha Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, dje në Valle d’Aosta të Italisë, ku po vazhdon pushimet. E sot, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë saktësoi se po bëhen përkthimet në gjuhë të tjera, nga origjinali në gjermanisht (Die Kindheitsgeschichten).

Libri i tretë i Benediktit XVI mbi Jezusin e Nazaretit i kushtohet Ungjijve të fëmijërisë se Jezusit , e sipas kardinalit Bertone, është një dhuratë e madhe për Vitin e Fesë. E sot, Salla e Shtypit e Vatikanit paralajmëron se do të duhet kohë, për të pritur përkthimin dhe korregjimin e tekstit të këtij vëllimi të tretë të veprës së Papës për Jezuin e Nazaretit.

Sekretari i Shtetit të Vatikanit Bertone foli dje edhe për një Enciklikë të re të Atit Shenjtë Ratcinger, e katërta e papnisë së Benediktit XVI, ndoshta kushtuar fesë, në kuadrin e Vitit të Fesë, shpallur nga Papa për në tetorin e ardhshëm. Kujtojmë se Enciklikat e mëparshme janë “Deus caritas est” e vitit 2005; “Spe salvi”, në vitin 2007; dhe “Caritas in veritate” më 2009-ën.







All the contents on this site are copyrighted ©.