Koncili i Ilirikut në vitin 415: ndeshja mes Bonifaci I e Perandorit Teodosi II.
7. Koncili i Ilirikut në vitin 415: ndeshja ndërmjet Papës Bonifaci I dhe
Perandorit Teodosi II. Folëm, në emisionin e kaluar, për Koncilin e Ilirikut,
mbledhur në vitin 415, gjatë e pas të cilit çështja e emërimit të ipeshkvit Perigjeni,
u bë shkas për lindjen e një konflikti të ashpër ndërmjet Papës Bonifaci I dhe
Perandorit bizantin Teodosi II. Pasi ipeshkvijtë, që kundërshtuan zgjedhjen
e Perigjenit i shkruan një letër ipeshkvit të Kostandinopojës, Atikut e, përmes tij,
perandorit të Lindjes, Teodosit II, ky i fundit, që kishte nën pushtetin e tij administrativ
Perandorinë e Lindjes, më 14 korrik të vitit 421 shpalli një dekret, drejtuar pretorit
të Ilirikut. Përmes tij urdhëronte që të gjitha problemet e Kishës në këtë zonë, të
zgjidhen vetëm pas marrëveshjes me ipeshkvin e Kostandinopojës i cili, sipas dekretit,
gëzonte privilegjin e Romës së lashtë (Codex Thodosianus XVI, 2,45; cfr ep. 9 në letërkëmbimin
e Bonifacit, në P. L. XX, col 670). Në se ky dekret do të vihej në jetë, kjo do të
thoshte të anulohej gjithë veprimtaria e papëve paraardhës (Anastasit, Inoçencit e
Zosimos) të cilët kishin bërë përpjekje të pareshtura për bashkimin e Kishave të Ilirikut
në një vikariatit papnor, të shkëputur Kostandinopoja, që synonte të ruante gjithnjë
epërsinë e shtetit mbi Kishën. Papa e kundërshtoi haptazi ediktin perandorak. Ai i
kërkoi perandorit Onori të ndërhynte pranë Teodosit II, duke ia mbushur mendjen t’ia
rikthente Selisë romake të drejtat e lashta mbi Ilirikun. Onori iu bind Papës, e shkroi
dhe e nisi letrën në Kostandinopojë. Përgjigjja e kolegut lindor qe e menjëhershme:
perandori deklaroi se u kishte dhënë urdhër prefektëve të Ilirikum të respektonin
disiplinën apostolike të kanuneve të lashta. Qëndrimi i Teodosit II ndryshoi edhe
për shkak të ngjarjeve të reja politike. Kundërshtitë, që kishte shkaktuar emërimi
i një ipeshvki, i zgjidhi vdekja e një pretetendenti për fronin perandorak lindor,
patricit Kostanci, që ëndërronte të ulej në fronin e Lindjes e të Perëndimit, duke
i shqetësuar jo pak të dyja palët. Dalja e tij nga skena i sheshoi mosmarrëveshjet
ndërmjet Perëndimit e Lindjes dhe vikariati i Selanikut rifilloi veprimtarinë, nën
vartësinë e Selisë Apostolike Romake. Papa nisi menjëherë në Ilirikum legatin e vet,
Severin, “notarius” i Selisë Apostolike, me tri letra. Njëra i drejtohej Rufos së
Selanikut, i cili porositej të vijonte luftën me kundështarët dhe të fuqizonte lidhjen
me Kishën e Romës e me pasardhësin e Shën Pjetrit. Në këtë letër, Papa nënvizonte
se i kishte dërguar Sinodit të mbledhur në Thesali për diskutimin e çështjes së Perigjenit,
letra të tjera, me qortime, porosi e këshilla, duke theksuar se nuk mund të organizoheshin
takime ipeshkvnore, pa miratimin e Rufos. Shtonte, sidomos, se gjykimi papnor ishte
i padiskutueshëm, prej këndej, nuk mund të prapsohej vendimi, që ishte marrë një herë
nga Selia Apostolike. Papa e porosiste Rufon të merrte masa për disa anëtarë të
klerit. Letra mbante datën 3 mars 422, ashtu si dhe letrat e tjera, drejtuar të gjithë
ipeshkvijve të Thesalisë dhe atyre të Ilirikut. Në letrat, drejtuar ipeshkvijve
të Thesalisë, pohohen me forcë privilegjet e Selisë Apostolike, që nisin nga Shën
Pjetri, dhe bëhet thirrje për rishikimin e kanuneve të Koncilit të Nikesë. Letra
drejtuar Rufos prekte sërisht çështjen e Perigenit e edhe atë të thirrjes së sinodit
në Korint, për të shqyrtuar situatën e një ipeshkvi, që Selia Apostolike e kishte
miratuar tashmë për banorët e këtij qyteti, duke e shikuar si shprehje të vullnetit
hyjnor, faktin që Perigjeni qe bërë ipeshkëv i qytetit, ku qe rritur. Në letër Bonifaci
theksonte edhe një herë autoritetin e Shën Pjetrit Apostull, prej nga buronte edhe
misioni i tij, i caktuar nga vetë Krishti, sipas Mateut (Mt 16, 18-19), për
ta përforcuar në fe Kishën universale e, prej këndej, edhe Kishat lindore, ndërmjet
të cilave, ato të Ilirikut. Mendohet të jetë e Bonifacit I edhe një letër, drejtuar
nëntë ipeshkvijve të Ilirikut, përfshirë gabimisht ndërmjet letrave të Çelestinit
I. Përmes saj, Papa mbron çështjen e Feliksit, ipeshkëv i Durrësit, kundra një fraksioni,
që e akuzonte dhe ripohonte privilegjet e Rufos së Selanikut lidhur me shugurimet,
mbledhjet e ipeshkvijve dhe zgjidhjen e çdo problemi, që mund të krijohej në jetën
e provincës. Rufo, që do të vepronte si mëkëmbës papnor, do ta njoftonte Papën për
çdo ngatërresë e kush do nuk do ta pranonte autoritetin e tij, do të përjashtohej
nga bashkësia e vëllezërve.