2012-08-01 15:44:03

Papa në audiencën e përgjithshme: sa më shumë lutemi, aq më shumë miqësohemi me Zotin.


Benedikti XVI i rifilloi sot audiencat e përgjithshme, të ndërprera në muajin korrik. Papa iu drejtua besimtarëve nga sheshi para Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfos, i rrethuar nga një atmosferë shumë festive. Ditën, kur Kisha përkujton Shën Alfons Maria de’ Liguorin, Ati i Shenjtë u ndalua posaçërisht tek vendi që zinte lutja në jetën e Shenjtit, themelues i Redemptoristëve. Njeriu duhet të lutet në çdo situatë të jetës, kujtoi Papa.

Entuziazëm e ngrohtësi tejet e madhe, në hapësirën e vogël, ku u mblodhën sot besimtarët për rifillimin e takimeve të së mërkurës me Papën. E Sheshi i ngushtë i Lirisë në Kastel Gandolfo, të kujtonte Sheshin e gjerë të Shën Pjetrit në Vatikan. Edhe këtu, në qytezën laciale, Benedikti XVI u takua me besimtarë nga mbarë bota e vijoi ciklin e katekizmit, kushtuar lutjes.
Sot Papa e mori shtytjen nga festa liturgjike e Shën Alfons Maria de’ Liguorit, një nga figurat më popullore të Kishës në shekullin XVIII, e jo vetëm. Papa kujtoi një nga fjalët e urta të famshme të themeluesit të Redemptoristëve: “Kush lutet, shpëton; kush nuk lutet, dënohet”:
Duke kujtuar se lutja është mjet i nevojshëm, Shën Alfonsi dëshironte që të gjithë ta kuptonin se njeriu duhet të lutet në çdo situatë të jetës, posaçërisht në çaste provash e vështirësish. Duhet të trokasim përherë plot besim në portën e Zotit, duke e ditur mirëfilli se ai ka kujdes për gjithçka u nevojitet bijve të tij”.
E në vijim, Papa pohoi se Shenjti na nxit të kërkojmë çka është më e vërtetë e më e rëndësishme në jetë:
Më shumë se për çdo gjë tjetër, kemi nevojë për praninë e Tij çliruese, që e bën me të vërtetë njerëzore, e prej këndej, plot gëzim, jetën tonë”.
Vetëm përmes lutjes, pohoi me forcë Papa, mund ta presim Zotin në zemrën tonë njerëzore, mund të fitojmë hirin e tij, që na bën ta njohim të mirën e vërtetë. Çdo i krishterë, vijoi të shpjegonte Benedikti XVI, e di mirë ç’është tundimi, prej të cilit mund të shpëtojë vetëm duke i kërkuar ndihmë vetë Zotit:
Edhe ne, të vetëdijshëm për ligështinë tonë, duhet t’i lypim Zotit ndihmë përvujtërisht, plot besim në pasurinë e mëshirës së tij”.
Papa kujtoi se edhe në një periudhë rreptësie, Shën Alfonsi i porosiste rrëfyesit ta mbarështonin Sakramentin e Pendesës, duke u kujtuar përqafimin gazmor të Hyjit i cili, në mëshirën e vet të pambaruar, nuk lodhet kurrë s’e prituri me krahë hapur çdo bir plangprishës, që rikthehet, i penduar, në krahët e Atit. Në gjurmët e Shën Agostinit, Papa kujtoi se Shën Alfonsi i fton gjithë të krishterët të mos kenë frikë nga Zoti, t’i lypin, me lutje, atë forcë që nuk e kanë e që është e nevojshme për të bërë mirë, të sigurtë se Zoti nuk ia mohon kurrë ndihmën njeriut, që i lutet me përvujtëri:
“Të dashur miq, Shën Alfonsi na kujton se lidhja me Zotin është themelore për jetën tonë; pa lidhjen me Zotin mungon gjëja kryesore e lidhja me Zotin realizohet duke folur me Atë të Lumin në lutjen e përditshme personale e me pjesëmarrjen në Sakramente; e kështu kjo lidhje mund të forcohet e në shpirtin tonë mund të rritet prania hyjnore, që e drejton shtegun e jetës, e ndriçon, e bën të sigurtë e të qetë, edhe kur jemi të rrethuar nga pritat e rreziqet”.
Në çastin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, Papa kujtoi posaçërisht besimtarët e ardhur nga zonat e Emilia Romanjës e Lombardisë, dëmtuar rëndë nga tërmeti i kohëve të fundit.







All the contents on this site are copyrighted ©.