2012-08-01 13:00:16

Dom Ndre Mjeda në 75 vjetorin e vdekjes.


Dom Ndre Mjeda, Mësues Feje e Poezie - në 75 vjetorin e vdekjes.
Sot më 1gusht mbushën 75 vjet nga vdekja e poetit të madh, dom Ndre Mjedës 1866 – 1937). I mbylli sytë në Shkodër, më 1 gusht 1937, pas një veprimtarie të palodhur fetare, kulturore e atdhetare. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ishte nismëtar për formimin e Komisisë letrare, themeloi shoqërinë kulturore "Agimi", punoi shumë për gjuhën shqipe, shkroi poezitë e përmbledhura në "Juvenilja", ndërmjet të cilave shkëlqejnë poemthat "Andrra e jetës", "Vaji i bylbylit", "Liria", "Lisus", "Skodra"…
Në një ditë si kjo, ia vlen jo vetëm të kujtosh artin e dom Ndre Mjedës, por, mbi të gjitha, të mendosh sesi mund të nxirren në dritë thesare ende të pa zbuluara të krijimtarisë së tij. Nuk është aspak e çuditshme që edhe veprat e Mjedës, ndonëse i vetmi prift katolik i pranuar ndërmjet shkrimtarëve që studioheshin ndër shkolla, gjatë periudhës së diktaturës komuniste, iu nënshtruan censurës.
Këtë fat patën kryesisht veprat me karakter fetar edhe disa krijime më pak të njohura poetike si “Majerling”, “Bija e verbtë ç’prei t’lémi”, dhe “Kânga e Mahmud Pashës”, botuar (ndërmjet poezive të tjera të Mjedës në Shahiri Elierz. Do bejta qi ka qít N. M. i S.J.) si shtojcë e një flete fetare nga Jak Junku në Kulshedra e Shpirtit, zblue t’rijve prei P. J. Junkut t’Shoqnís Jezu. Deri më sot nuk kemi një përmbledhje të veprave të Mjedës në prozë, studimet e tij për shkrimtarët e vjetër të Veriut dhe sidomos librat si “Jeta e shejtit sh’Njon Berchmans”, “T’pergiamit e Zojs Bekueme”, “Katekizmi i madh” në tre vëllime, “Historija Shêjte”.
Janë vepra që mbushin një zbrazësi të madhe në historinë e letërsisë shqipe, ku mungon plotësisht studimi i veprave me karakter hagjiografik, dmth tregimeve mbi jetën e shenjtorëve. Një nga veprat e munguara të Mjedës, me vlera të mëdha studimore në lëmin e gjuhës shqipe e sidomos të terminologjisë fetare, është oficja “Vizari Shpirtënuer”, punuar nga poeti-meshtar në bashkëpunim me fratin françeskan, Atë Benedikt Dema, pa kujtuar këtu letërshkëmbim tepër të pasur të Priftit-poet e gjuhëtar.
Në përvjetorin e vdekjes së tij, dom Ndre Mjeda na flet përsëri për veprën e tij të palodhur në dobi të fesë e të kombit, me të cilën është marrë plot përkushtim individual studiuesi Mentor Quku, i cili botoi vëllime të reja mbi gjithçka ka lidhje me emrin e madh të Ndré Mjedës.
Po dom Ndré Mjedja qe i madh në të gjitha fushat e dijes, posaçërisht në fushën e gjuhës shqipe, siç dëshmon edhe shkrimtari prof. Ernest Koliqi (Dom Ndre Mjedja, Cika, v.2, nr. 28-29, fq. 202, Shkodër, 5 shtator 1937.):
"Po t'ishte qénë Dom Ndreu vetëm nji erudit mbledhës citatash klasike apo vetëm nji ligjerues i hollë mbi systemet e ndryshme filozofike, vepra e tij sigurisht do të kishte humbun me tê. Nji tjetër gjâ e bâni të Madh e të padekëshëm: dashunija e stërfuqishme për gjuhë shqipe. Ai njoftës i rrallë i gjuhve të vjetra, ai qi shkruente mjeshtrisht pesë gjuhë të mëdhaja europjane dhe lexonte e kuptonte njâ tri a katër tjera, dashunonte me nji dashuní të njomë e luftarake kët gjuhë të palavrueme t'onë. E dashunonte si Dijetar e si Atdhetar, e dashunonte edhe si Poet. Shkrimtarët e moçem gegë e toskë dhe italo-shqiptarë i studjonte pajadá dhe dinte këthelltas historín e çdo fjale të shqipes. Ai i vetmi ndër ne, po të kishte dashun, mund të përpilonte nji fjaluer historik të gjuhës, sepse përveç përdorimit të saj në popull dhe ndër tekste letrare njifte mirfilli edhe burimin ethimologjik. Ndoq përherë me vërejtje studjimet e albanologve dhe mbajti letër-shkembim të vazhdueshëm me Pedersenin, Joklin, Tagliavinin. Qe në riní dishepull i Gustav Mayerit. Mjerisht shum pak prej vërejtjeve të shumta, qi ai përmblodhi në këto studjime të parreshtuna, Dom Ndreu botoi. Ai shpërndante dijen e vet në gjuhësí ndër këshille miqve, nxânësvet, kujdo qi i siellej. Auktorë fjalorësh e shkrimtarë të vjetër e të rij (ndër të cilët edhe unë) i detyrohen ndihmës së tij zêmër-bardhë për spjegime, ndriçime, qortime e shllime. Ai epte landen e vet të grumbullueme me vishtirsí, i knaqun kur dikuj i hinte në punë për naltësim të shqipes e të Shqipnís".







All the contents on this site are copyrighted ©.