2012-07-31 17:07:04

Shën Injaci i Lojolës e porosia e tij për sot


“O Zot, më jep dashurinë tënde e hirin tënd, e kjo më mjafton!”: kështu shkruante Shën Injaci i Lojolës, kujtimin liturgjik të të cilit Kisha e kremtoi sot. Me këtë rast, po kujtojmë se në Kishën e Jezusit në Romë, nderohet trupi i Shenjtit. Për shën Injacin nga Loloja, që themeloi Shoqërinë e Jezuitëve e shkroi ‘Ushtrimet shpirtërore’, flet jezuiti atë Lorenco Gjilardi, drejtor i Shtëpisë për ushtrimet shpirtërore “Vila e Shëna Krqyt”, në San Mauro Torineze të Italisë:
Përgjigje: - Përshpirtëria injaciane është sidomos kërkim i vullnetit të Zotit: është përpjekje për ta njohur, për ta pranuar atë, që dëshiron Zoti për ne. Prandaj përshpirtëria injaciane e nxit njeriun, i cili e pranon dhe e jeton, drejt kundrimit, për ta zbuluar vullnetin e Zotit në të gjitha sendet e për ta jetuar, pastaj, në veprim: kundrim në veprim.
Pyetje: - Çfarë vlere kanë sot Ushtrimet Shpirtërore të Shën Injacit?
Përgjigje: - Shën Injaci me ushtrimet shpirtërore i shërben Kishës, mbarë Kishës: ushtrimet janë për të gjithë. Janë përvojë e Zotit, por edhe pedagogji e përvojës shpirtërore, pedagogji e kërkimit të vullnetit të Zotit, kërkim i lutjes personale. Prandaj janë shumë të rëndësishme e shumë të dobishme, posaçërisht në mjediset evropiane, tejet të shekullarizuara. Në sa e dimë mirë se pas shekullarizimit ndjehet fort etja për Zotin.
Pyetje: - Shën Injaci ka qenë misionar edhe në zona të vështira. Ç’mësim marrim nga një përvojë e tillë?
Përgjigje: - Shën Injaci qe zemra e veprimtarisë misionare të Shoqërisë së Jezusit, frymëzues i të gjitha misioneve të mëdha të Shoqërisë. Roli i madh i tij për misionet qëndron në faktin se arriti të përcaktojë cilat ishin nevojat më urgjente të Kishës së kohës së tij e t’i dërgojë jezuitët e misionarët pikërisht në këto zona. Karizma e Shën Injacit është ajo e Gjeneralit të Shoqërisë: ai u frymëzua nga Zoti, njohu nevojat e pastaj i nisi misionarët. Situata më simbolike, më domethënëse, është ajo e nisjes së Shën Françesk Saverit për në Indi: ishte vërtet çast karizmatik.
Pyetje: - Në vitin 1540 Shën Injaci themeloi Shoqërinë e Jezusit. Kanë kaluar pesë shekuj që asokohe. Kohët e reja kanë sjellë sfida të reja edhe për etërit jezuitë...
Përgjigje: - Pas pesë shekujsh shumë gjëra kanë ndryshuar: Kisha ka ndryshuar, shoqëria ka ndryshuar, shkenca ka bërë përparime të mëdha. Po frymëzimi themelor i Shoqërisë së Jezusit mbetet i njëjtë, edhe pse tejet aktual e i dobishëm. Shoqëria e Jezuitëve është urdhër misionar, që u themelua për t’i ndihmuar njerëzit të gjejnë Zotin: domethënë, të gjejnë lumturinë e amshuar. Kjo ishte karizma e Shoqërisë, e kjo vijon të jetë. T’i marrë njerëzit për dore, për t’i çuar tek Zoti, e në këtë udhë, t’i ndihmojë edhe për zhvillimin e tyre të gjithanshëm, t’i ndihmojë në këndvështrimin shpirtëror, por edhe në këndvështrimin material, gjë që e tregon themelimi i kolegjeve, që në kohën e Shën Injacit e që e gjejmë edhe tek Kushtet injaciane. Shën Injaci përpiqet për rritjen e gjithanshme të njeriut, si për edukimin shpirtëror, ashtu edhe atë kulturor: domethënë zhvillimin njeriut në tërësi. Kjo është e veçanta e Shoqërisë së Jezusit: zhvillimi i gjithanshëm i njeriut, për ta ndihmuar të arrijë deri te Zoti.







All the contents on this site are copyrighted ©.