2012-07-31 17:12:55

Rezultatet e Ungjillit të jetuar: 94 histori njerëzish që besojnë, në një libë botuar nga Città Nuova.


Libri, që doli kohët e fundit nga shtëpia botuese Città Nuova, lind si kontribut për Sinodin e ardhshëm kushtuar Ungjillëzimit të ri. Titullohet “Lajmi i mirë, njerëz që besojnë, njerëz që lëvizin”. Propozon 94 histori të shkurtëra, nga të katër anët e botës, me protagonistë të rinj, familje, profesionistë, punëtorë, rregulltare e meshtarë, që e përballojnë me Ungjillin në zemër, jetën e përditshme, edhe kur ajo bëhet e papërballueshme e në dukje, pa pikën e kuptimit, në një botë që shkon nga fryn era. Në tekst gjejmë më se 200 citime nga dëshmitarë të besueshëm të Lajmit të mirë, në kushte nga më të ndryshmet. Nëntitulli flet vetë: njerëz që besojnë, njerëz që lëvizin. Na e shpjegon këtë Chiara Favotti, redaktore e veprës.

Përgjigje: - Jetojmë në një çast shumë të vështirë: në një vit të tmerrshëm krize ekonomike, pasigurie, pështjellimi, kur njeriu nuk arrin të kuptojë cilat janë sfidat, brenda e jashtë jetës së tij, që ia vënë në rrezik gjithçka. Sfidat nisin me bukën e domosdoshme, që kushton për ditë më shtrenjt. E arrijnë deri tek ndjenjat më të fisme, të fshehura thellë në zemrën njerëzore. Botës së shekullarizuar mund t’i duken si përralla, që tregoheshin në ca kohë të perënduara rreth vatrës, kur mendimet njerëzore nuk trazohesin akoma nga boshllëku i ekranit të vagëlluar, me një botë shumë më irreale se përrallat e dikurshme.
Në këtë vit sfidash, edhe Kisha përpiqet ta lexojë faqen e re, që shkruhet çdo ditë mbi pergamenën e globit tokësor, e në jetën e çdo njeriu. Prej këndej, propozon një reflektim të fuqishëm mbi fenë; e po prej këndej, vendosi të kremtojë një sinod me temën e Ungjillëzimit të ri, në kuadrin e Vitit kushtuar Fesë.
Po kush janë ata, që sot ecin nëpër rrugët e ndërlikuara të botës, me krishterimin në zemër? Rreth kësaj teme do të diskutohet, e për të vendosëm të japim kontributin tonë me këtë libër. Flet për njerëz, që jetojnë në përkim të plotë, me atë që besojnë. Sepse ka akoma njerëz të tillë. Madje shumë, ndonëse ky tip njeriu nuk di të bërtasë tribunash, nuk di të mburret, për aftësitë, që nuk i ka. Njeriu, që jeton sipas Ungjillit, nuk ka nevojë të mburret: për të duhet të flasë puna vetë! Prej këndej, di vetëm të japë shembullin konkret, që duan s’duan, e shikojnë edhe njerëzit syverbuar për këtë mënyrë jetese.
Libri i ri flet për ata, që i shndërrojnë fjalët në përvojë të përditshme, në jetë konkrete. Kur Ungjilli hyn me të vërtetë në jetën e njeriut, ai nuk mund të jetë më i keq, nuk mund të mendojë e as të bëjë keq. Ungjilli e shndërron njeriun. E, përmes tij, shndërron edhe ata, që e rrethojnë. Prej këndej “njerëz që besojnë, njerëz që lëvizin”, që e shndërrojnë vetveten e mjedisin rrethues.

Pyetje: - Sipas jush, ky libër tregon se Ungjilli mund të vihet në jetë në të gjitha rrethanat?

Përgjigje: - Kjo është përvoja, që jetuam edhe ne vetë, në sa e shkruanim këtë libër, duke u ballafaquar me shumë dëshmi, që na erdhën nga të katër anët e botës. Pjesa e dytë e librit është e ndarë sipas fushave, ku jetojnë e punojnë njerëzit: flet për mjediset e familjes, të punës, të shkollës, universitetit, e pastaj për mjedisin e qytetit e të lagjes, ku jeton secili nga dëshmitarët. Pa harruar bashkësitë famullitare, e as sportin...

Pyetje: - A mund të na rrëfeni ndonjë shembull nga historitë, që përmblidhen në këtë libër?


Përgjigje: - Po, janë të gjitha shumë të bukura e edhe shumë të larmishme: më vjen në mendje historia e Robertit. Roberti është inxhinier hidraulik, që merret me drejtimin e impianteve të filtrimit të ujit. Duke punuar me shumë sipërmarrje, një ditë kuptoi se punëdhënësit nuk shqetësohen aq për pastërtinë e ujit, sa për fitimet. Papritmas zbuloi se në një komune, për të fituar sa më shumë, mbeturinat e pastrimit flakeshin në det. Kjo i binte ndesh plotësisht parimeve, mbi të cilat inxhinieri i ri e kishte ngritur gjithë jetën. Ç’mund të bënte? Po të ngrinte zërin, do ta humbiste menjëherë punën. Bukën e gojës për vete e për familjen. Duhet shumë guxim të marrësh një vendim të tillë, në një çast kur vështirë se gjen lehtë punë tjetër. Por njeriu që e jeton Ungjillin, e gjen pikërisht në Lajmin e mirë guximin, për të mos pranuar asnjë kompromis, kur i bie ndesh parimeve. Njeriu i Ungjillit di të kryqëzohet, por jo të shitet për 30 aspra! Inxhineri i ri, nuk pret ta pushojnë: jep vetë dorëheqjen. Kolegët, që vijojnë të punojnë e të marrin rroga të majme, kanë shtëpi e makina luksi. Ai jeton me qira e udhëton me një makinë tejet të përdorur, blerë me këste. Po zemrën e ka të qetë. Është më mirë të jesh i varfër, po i ndershëm, mendon inxhinieri i ri, që më në fund e gjen një punë, në një realitet të vogël privat e edhe në sistemin komunal të kullimit të ujërave. Rezultati: uji i filtrit të inxhinier Robertit është aq i kulluar, sa të ngjallë menjëherë interesin e teknikëve të ardhshëm të laboratorit, që vijojnë studimet e vijnë të marrin përvojën e tij.
Më kujtohet edhe historia e Razijes, në Paksitan. Razija punon në një sallon bukurie. Pret e përcjell zonjat e rënda pakistaneze, që vijnë të zbukurohen, të shoqëruara nga shërbëtoret, të cilat presin gjithnjë përjashta, në vapë vere e ngricë dimri. Razija është katolike. Në veshë i tingëllon urdhëri ungjillor: në ca situata, si kjo, duhet shkuar kundër rrymës! Pa u trembur fare se mund t’i humbasë klientet e pasura, ua hap portën edhe shërbëtoreve, i fton të ulen e u shërben pije, të freskëta ose të nxehta, sipas stinës.
Ose, një histori, që vjen nga burgjet e Nigerisë ku, një ditë, shkon për vizitë një grup të krishterësh. Ata thonë se Ungjilli mund të vihet në praktikë. Mund të jetohet edhe në një birucë burgu. Po ç’mund të bëjë një njeri në pranga, për ta jetuar Ungjillin, përveçse të lutet? Pikërisht këtë pyetje i bën vetes njëri nga të burgosurit, që dëshiron ta jetojë këtë fe kaq të bukur. Ç’mund të bëj unë për Ungjillin? Ç’mund të bëj? Ai nuk ka bërë kurrë ndonjë gjë për dashuri të Krishtit e të afërmit. Por dëshiron ta provojë. Është çasti kur shpërndahet ushqimi e ai e di mirë se shoku i qelisë nuk ngopet kurrë. Ka shumë më tepër uri, se ai vetë. Diçka mund të bëjë, pra, edhe në atë vend mjerimi. Vendos menjëherë. E ndan ushqimin përgjysëm e gjysmën ia dhuron shokut të hekurave, duke i thënë: “E di se stomaku im do të jetë më i zbrazur, por zemra, më plot se kurrë. S’e kisha provuar asnjëherë një mrekulli të tillë”.
Këto e të tjera histori tregon ky libër, botuar në prag të Vitit të Fesë, si ftesë për t’u shtuar edhe histori të tjera, të patreguara. Sepse ka shumë. Presin vetëm të mblidhen!







All the contents on this site are copyrighted ©.