Me 31 korrik kalendari kujton shën Injacin e Lojolës
Sot pra me 31 korrik Kisha katolike përkujton një nga Shenjtorët më të mëdhenj të
saj, Shën Injacin nga Lojola, themeluesin e Urdhrit të Jezuitëve. Injaci
lindi në Vendet Baske e pikërisht në Azpeitia në vitin 1491. Në moshën 14 vjeçare
zgjodhi karrierën ushtarake. Pas një lufte të rreptë shpirtërore, natën ndërmjet 24
e 25 marsit 1522, vendosi t’i kushtohej plotësisht Zotit, duke braktisur të gjitha
rrugët tjera që kishte provuar në moshën e ëndrrave. Kështu 33 vjeçar kthehet
në bankat e shkollës në Barcelonë dhe nis të studionte si të ishte fëmijë, derisa
fitoi doktoratën në arte, në Paris, ku u njoh edhe me shokët e parë. Më 15 gusht 1534
në Montmatre në Paris lindi Shoqëria e Jezusit, e miratuar vetëm pas gjashtë vjetësh
nga Kisha. Është e Shën Injacit ideja për ndërtimin e kolegjeve, nga të cilat nisën
jetën një numër i madh universitetesh të mirënjohura në Evropë e në Botë. Vdiq në
Romë më 31 korrik 1556. Për Shën Injacin çdo fjalë e Ungjillit ishte si profeci
për t'u përmbushur në çdo kohë. Kështu Injaci i drejton kohës së tij pyetjen e Krishtit:
"E ju, kush thoni se jam unë?” - duke e ditur se kjo pyetje bëhet përherë në mënyrë
të posaçme, për çdo shekull e për çdo person. Çdo njeri, në çdo kohë, në një mënyrë
më pak a më shumë të qartë, gjindet përballë kësaj pyetjeje themelore. Nuk mjafton
të përsëritësh përgjigjet e përpunuara nga teologët ose nga autorët e mëdhenj të përshpirtërisë,
ndonëse janë këto që na i mëson katekizmi. Shumë nga bashkëkohësit tonë nuk preken
më nga pyetja e Jezusit, sikur kjo pyetje të ishte një - ndërmjet shumë të tjerave,
që janë bërë nga shenjtërit dhe të urtët e feve të tjera. Injaci nuk don tjetër, veçse
t'i ndihmojë njerëzit - siç shprehet ai vetë, - për t'i dhënë një përgjigje të veçantë
pyetjes së Jezusit: "E ti, ç'thua për mua?". Një përgjigje të re e personale, në cilën
çdo njeri vë në lojë jetën e vet. S'ka pikë rëndësie në se ky njeri gjen fjalë të
reja për ta shprehur besimin e tij në Jezusin, apo përsërit fjalët e traditës, për
t'i bërë vërtetë të vetat: fjala është për një përgjigje të dhënë me gjithë zemër,
duke qenë i gatshëm të vesh në shërbim të saj gjithë jetën. Injaci është i bindur
se duke iu përgjigjur kështu pyetjes së Jezusit, njeriu fiton një zemër të madhe,
sepse Zoti, gjithnjë më i madh, e ndihmon edhe njeriun të bëhet i madh Atë Dedë
Pazi, Misionar, Atë Gjon Fausti e Atë Daniel Dajani, kandidatë për nderimet e elterit,
Atë Pjetër Meshkalla, atë Jak Gardini, Atë Anton Luli, Atë Gjergj Vata.... sa e sa
të tjerë, emrat e të cilëve u skalitën në mënyrë të pashlyeshme në kujtesën e popullit
shqiptar, janë disa nga anëtarët shqiptarë e misionarë të asaj Shoqërie, që pati si
kryetar të parë Shën Injacin. E ishin pikërisht këta jezuitë e sivëllezërit e tyre,
emrat e të cilëve do të formonin një listë tepër të gjatë, po t’i kujtonim, ata që
i dhanë popullit shqiptar Misionin Shëtitës, i cili pajtoi aq shumë gjaqe shkrepave
e rrugëve të qyteteve; Kolegjin e famshëm Saverian, që përgatiti nxënës për të gjitha
shkollat e botës; revistën e parë në gjuhën shqipe “Elçinë e Zemrës së Krishtit”;
teatrin e parë, muzeun e parë; revistën ‘LEKA’; një ndër bandat e para muzikore e
shumë e shumë pasuri të tjera, të rrafshuara nga komunizmi, që po rindërtohen me mund
e me djersë nga jezuitë të rinj, misionarë e shqiptarë, ndër të cilët jezuiti më i
ri, i pari pas diktaturës, Atë Zef Bisha, përmbi gërmadhat e vjetra, që rrezatojnë
lavdinë e martirizimit.