2012-07-31 13:29:31

Kuriozitete për Olimpiadat: Rilindja e Lojërave Olimpike.


Lojërat Olimpike, dënuar me vdekje nga Perandori Teodosi, nuk vdiqën. U ridukën në shekullin XVII, kur në Angli u kremtua një festë sportive, që u quajt Olimpiadë. Në shekujt që pasuan, festa të tilla u organizuan në Francë e Greqi, por gjithsesi mbetën manifestime të kufizuara, pa pjesëmarrje ndërkombëtare. Interesimi për rilindjen e Lojërave Olimpike rinisi posaçërisht në shekullin XIX, kur arkeologët gjermanë zbuluan rrënojat e Olimpies.
Njëkohësisht një baron francez, Pierre de Coubertin, kërkonte një shpjegim të arsyeshëm për mundjen e Francës në luftën franko-prusiane (1870-1871). Arriti në përfundimin se francezët humbën, sepse nuk kishin edukatën e duhur fizike. Prej këndej, mendoi t’i përmirësonte kushtet e përgatitjes fizike të bashkatdhetarëve. De Coubertin dëshironte të gjente edhe një rrugë sa më të frytshme për t’i afruar kombet, për t’u krijuar të rinjve të botës mundësitë t’i matin forcat në fushat e garave sportive, e jo në fushat e luftës. E rilindja e Lojërave Olimpike ishte tejet e përshtatshme për t’i arritur të dy objektivat. Për ta nisur rrugën e dëshiruar baroni u ndikua nga shembulli i William Penny Brookes, mjek anglez, pionier, që më 1850, i një nisme të ngjashme në qytezën angleze të Much Wenlock.
De Coubertin ia paraqiti publikut idetë e veta në qershor të vitit 1894, gjatë një kongresi, mbajtur në Universitetin e Sorbonës, në Paris. Më 23 qershor, dita e fundme e Kongresit, u vendos që Lojërat e para Olimpike të botës moderne të mbaheshin në Athinë, në trojet greke, ku edhe kishin lindur në lashtësi. U themelua Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (CIO) për organizimin e ngjarjes së madhe, i kryesuar nga greku Demetrios Vikelas.Olimpiada e parë e epokës moderne qe një sukses i madh! Me më se 250 pjesëmarrës, ishte, për kohën, ngjarja më e madhe sportive ndërkombëtare e organizuar deri në atë datë. Greqia kërkoi të bëhej seli e përhershme e Lojërave të ardhshme Olimpike, por CIO vendosi që olimpiadat të organizohen në vende të ndryshme. Lojërat e dyta Olimpike u organizuan në Paris, Francë.







All the contents on this site are copyrighted ©.