2012-07-31 13:28:39

Imzot Fizikela: të krishterët të dalin nga bashkësitë e tyre, për t’ia çuar Ungjillin çdo njeriu.


U hap, të shtunën e kaluar, në Kostrzyn të Polonisë, Kongresi I kombëtar kushtuar ungjillëzimit të ri. Në kongres, së bashku me 1500 vetë, merr pjesë edhe kryeipeshkvi Rino Fizikela, kryetar i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri. E intervistuam:

Përgjigje: - Ungjillëzimi i ri ka si detyrë të veçantë të ringjallë në zemrën e atyre, që janë të krishterë e të pagëzuar, vetëdijen se janë njëkohësisht edhe ungjillëzues. E vetëm duke u nisur prej këtu, krijohen mundësitë për të arritur edhe tek të tjerët, tek ata, që e mbajnë veten për të krishterë, ndërsa janë zhytur në indiferencë; tek ata, që nuk marrin më pjesë në jetën e krishterë si dhe tek ata, që nuk e njohin ende Krishtin. Ndoshta në këtë çast krize të thellë në kulturë e në gjithë jetën e shoqërisë, të krishterët mund të ndjehen më të sigurtë brenda kishave të veta, në gjirin e bashkësive të veta. Po kjo do të thotë ta bësh fare të kotë ngjarjen e madhe të Rrëshajëve. Rrëshajët i ngarkojnë të krishterët me detyrën të jenë të pranishëm në botë, domethënë, të jenë të pranishëm atje, ku jeton njeriu, për t’ua çuar të gjithëve Ungjillin e Krishtit. Prej këndej, as që mund të mendohet që Kisha të jetojë privatisht, duke përjashtuar përmasën e kumtimit: kumtim është universal, u duhet çuar të gjithëve e kërkon një prani domethënëse në shoqëri. Pa praninë e katolikëve, natyrisht që shoqëria do të ishte më e varfër e më e trishtuar, sepse do t’i mungonte pasuria e Ungjillit, do t’i mungonte shpresa jonë.

Pyetje: - Ju keni pohuar disa herë se Kisha duhet ta ndryshojë gjuhën e kumtimit...

Përgjigje: - E po.... edhe i Lumi Gjon Pali II thoshte se ungjillëzimi i ri kërkon gjuhë të re, metodë të re e edhe entuziazëm të ri. Natyrisht ne duhet të jemi të aftë të flasim gjuhën e bashkëkohasve tanë, pa harruar kurrë se përmbajtja e kumtimit tonë mbetet gjithnjë e njëjtë: si dje, sot e edhe nesër. Atëherë ne duhet të jemi të aftë të depërtojmë në kulturën e shekullarizuar, ta bëjmë të kuptojë se edhe ajo ka kufizimet e veta. Të jetuarit në botë, sikur Zoti të mos ekzistonte, jo vetëm nuk e ka pasuruar fare kulturën, por e ka varfëruar njeriun, sot, në krizë të thellë.

Pyetje: - Cilat janë frytet, që prisni nga impenjimi i Kishës për ungjillëzimin e ri?

Përgjigje: - Ne sot kemi përvoja të shumta e të ndryshme të ungjillëzimit të ri. Ja: unë pres që një nga frytet e para të jetë të kuptuarit e kërkesës së unitetit në veprimtarinë e Ungjillëzimit, duke respektuar gjithnjë kontributin e veçantë të secilit. Dua të them se duhet të rigjejmë unitetin e thellë të ndërgjegjes, me vetëdijen se ungjillëzimi i ri është vërtet urgjent, e duhet të aftësohemi edhe për të njohur edhe përvojat e ndryshme, shumë të rëndësishme, por pa harruar kurrë se janë përrenj, që duhet të derdhen në të njëjtin lum.









All the contents on this site are copyrighted ©.