2012-07-30 11:52:35

Shën Jeronimi e Koncilet e Ilirisë


4. Shën Jeronimi e Koncilet kishtare të Ilirisë. Ndërsa flasim për Koncilet e para kishtare në Ilirikum, në skenën e historisë së krishterimit, e prej këndej edhe të Koncileve Ilirike, do të delte Shën Jeronimi, një nga figurat më të shquara të Kishës katolike gjatë shekujve të parë mbas ediktit konstantinian: polemist i mprehtë, skripturist i thellë, punëtor i palodhshëm, me ndikim të fuqishëm mbi ngjarjet kishtare të atmes.Lindi në Stridon të Dalmacisë ilire rreth vitit 347 në një familje të krishterë. Që në fëmijëri u dallua për karakter të pavarur e të pasionuar si edhe për kujtesë e inteligjencë të jashtëzakonshme. Studioi në Romë, por pa i humbur kurrë lidhjet me vendlindjen, ku jetonte familja e tij e ku kishte edhe një motër, emri i së cilës nuk dihet. Ndërsa dihet mirë, nga letërkëmbimi i pasur i Shenjtit iliras, se edhe ajo, si i vëllai, kishte zgjedhur rrugën e jetës vetmitare, duke u mbyllur në shtëpinë e vet, në Stridon.
E pikërisht përmes letërkëmbimit, burim i pallogaritshëm të dhënash për historinë e Kishës Katolike të kohës, Jeronimi i mbajti gjithnjë gjallë lidhjet me vendlindjen, me Koncilet ilirike, me Romën e me Kostandinopojën. “Letrat tona kapërcejnë detet – shkruan - e kështu jemi të bashkuar në dëshmimin e Krishtit”(Ep. 60,n. 19).
Duhet kujtuar edhe se shumica e miqve të Jeronimit ishin pikërisht ilirë të Panonisë e të Dalmacisë. Me ta, ai themeloi për herë të parë, në një nga ishujt e Adriatikut verior, një formë origjinale të jetës vetmitare, shumë e përhapur në Kishën lindore, por krejt e panjohur në Perëndim. Kjo formë u përhap me shpejtësi në të gjithë ishujt dalmatë. Që në vitin 407 Jeronimi ishte në lidhje me senatorin dalmat Julianus, që i ndihmonte bashkësitë e murgjërve të strehuar në ishujt e Dalmacisë.
Me Jeronimin dhe ndjekësit e tij, rreth viteve 370, monakizmi nisi të përhapej në të gjitha trojet e Ilirisë perëndimore, në të gjitha format, që njiheshin deri në atë kohë. U krijuan bashkësi asketësh e asketesh në qytete; nisi praktika e jetës vetmitare, u themeluan grupe murgjërisht e klerikësh, që jetonin në kushte asketizmi. Zunë, kështu, fill, format asketike, sipas modelit lindor.
Në veprën vigane të Jeronimit gjinden shumë të dhëna për këtë periudhë të mugët të historisë së Kishës Katolike, sidomos, lajme për vetmitarët e veçantë, ose për bashkësitë e tyre në Ilirinë perëndimore. Mësojmë, kështu, se ekzitojnë dorëshkrime kushtuar jetës së vetmitarëve më në zë (‘Jeta e Antonit’ e ‘Jeta e Martinit’), të cilët merreshin si modele për gjithë të tjerët. Kanë rëndësi të dorës së parë këto të dhëna, që vijnë deri në kohën tonë nga vepra e Shën Jeronimit, duke pasur parasysh se burimet për këtë periudhë janë shumë të varfëra. E është pikërisht periudha, kur Perandori Teodosi (379-395), me politikën e tij fetare, shënonte kulmin e forcimit të unitetit të shtetit, ngritur mbi bazën e Besojmës niçeane, duke e ndaluar rreptësisht përhapjen e herezive në të gjitha trojet e Perandorisë. Por, pas herezive të Arius, në skenën e dy Romave do të nisnin përsëri ndeshje, do të krijoheshin probleme të ndërlikuara, si ai i zgjedhjes dhe emërimit të ipeshkvijve, për shembull, do të lindnin herezi e do të mbinin shqetësime gjithnjë të reja, që nuk kanë munguar në shekuj.
Por, të rikthehemi tek Shën Jeronimi. Stridonasi u pajis me kulturën më të lartë klasike të kohës dhe u thellua në studimin e Shkrimit Shenjt sipas tekstit grek. Talentin e vet e vuri në shërbim të papës Damazi, i cili e ngarkoi me detyrën të përkthente latinisht tekstet origjinale të Shkrimit Shenjt, në mënyrë që besimtarët t'i kuptonin sa më mirë gjatë kremtimeve liturgjike.
Më pas u tërhoq në Betlehem, ku u dha pas pendesës, të luturave e studimit të gjuhëve lindore, të aramaikishtes e hebraishtes së vjetër. Kuptoi se të mos e njohësh Shkrimin Shenjt do të thotë të mos njohësh Krishtin. Nisi, prandaj, të përkthejë krejt Besëlidhjen e Vjetër e të Re nga tekstet origjinale, në latinisht, bashkë me komentet përkatëse, fryt i mendjes dhe i kulturës së tij të ndritur. Kështu doli në dritë “Vulgata” e cila ende sot, mbas gati 20 shekujsh, përdoret në liturgjí të Kishës. U përdor, natyrisht, edhe në Ilirinë, për të cilën po flasim.Shën Jeronimi vdiq në Betlehem të Palestinës më 30 shtator të vitit 420, duke përsëritur lutjen që ia kishte drejtuar vazhdimisht Zotit: "Më fal, o Zot, se jam dalmat". Kërkonte falje për temperamentin e tij kolerik, që e kishte bërë shpesh të humbiste kontrollin mbi vetveten. Kishës, të cilën e kishte dashur aq shumë, i la trashëgim thesarin e pallogaritshëm të veprave të tija.







All the contents on this site are copyrighted ©.