2012-07-30 16:18:18

Papa në Engjëllin e Tënzot: të rizbulohen gjestet e vogla të dashurisë. Thirrje për t’i dhënë fund dhunës në Irak. Afërsia me punëtorët e Ilvës.


Gjatë lutjes së djeshme të Engjëllit të Tënzot në Kastel Gandolfo, Benedikti XVI bëri thirrje për t’i dhënë fund dhunës në Siri e në Irak, i siguroi për afërsinë e tij punëtorët e përpunimit të çelikut të Tarantos (Ilva), u lut që drejtësia në botë të zbatohet me dashuri e jo me dhunë dhe falënderoi organizatorët e DBR-së të Rio de Zhanéjros, pikërisht një vit para kësaj ngjarjeje të madhe.
Në Siri lufta bëhet gjithnjë më e tërbuar. Benedikti XVI vijon të ndjekë me vëmendje të madhe episodet e dhunës në rritje; me hidhërim, të dhënat mbi numrin e të vdekurve e të të plagosurve, edhe ndërmjet civilëve e me shqetësim të thellë, ikjen e njerëzve brenda e jashtë kufijve të vendit, duke shtuar, kështu, ditë për ditë, në mënyrë të papërballueshme, numrin e refugjatëve në shtetet fqinje. Prej këndej, Papa kërkoi t’u sigurohet asistenca e nevojshme humanitare dhe ndihma solidare e ripohoi edhe një herë se ndjehet shpirtërisht pranë popullsisë, që vuan, të cilën e kujton çdo ditë në lutje:
“Përsëris thirrjen time të ngushtme t’i jepet fund dhunës e gjakderdhjes. I lypi Zotit dijen e zemrës, posaçërisht për ata, të cilët kanë më shumë përgjegjësi, duke ftuar të mos kursehet asnjë përpjekje në kërkim të paqes, edhe nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, përmes dialogut e pajtimit, e duke pasur parasysh rrugëzgjidhjen e përshtatshme politike të konfliktit”.
Më pas Ati i Shenjtë kujtoi edhe kombin e dashur irakian, tronditur rëndë këto ditë nga një numër shqetësues atentatesh, që lanë pas të vdekur e të plagosur. Uroj, tha Papa që...
“.. ky vend i madh të gjejë udhën e stabilitetit, të pajtimit e të paqes”.
Benedikti XVI shikon me shqetësim edhe situatën kritike të ILVA-as së Tarantos, duke u shprehur afërsinë e tij punëtorëve e familjeve të tyre, që po jetojnë çaste shumë të vështira:
“Ndërsa i siguroj për lutjen time dhe për mbështetjen nga ana e Kishës, i nxis të gjithë të mos e harrojnë ndjenjën e përgjegjësisë dhe inkurajoj institucionet kombëtare e lokale të bëjnë të gjitha përpjekjet për një zgjidhje të drejtë të çështjes, që të mbrojë si të drejtën e shëndetit, ashtu edhe të drejtën e punës, posaçërisht në këto kohë krize ekonomike”.
Më pas Papa inkurajoi organizatorët e Ditës së ardhshme Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në Rio De Zhanéjro të Brazilit, pikërisht pas një viti: takim i rëndësishëm kishtar, të cilin Benedikti XVI e shikon plot me shpresë:
Është rast shumë i çmuar, i cili u krijon të rinjve mundësitë ta provojnë gëzimin e bukurinë që lind në shpirt, kur i përket Kishës dhe e jeton fenë”.
Në katekizmin e së dielës, Papa, duke komentuar Ungjillin e liturgjisë, shpjegoi se mrekullia e shumëzimit të bukëve ishte kumtim i Eukaristisë. Eukaristia, vijoi, është takim i madh e i përhershëm i njeriut me Zotin, në të cilin vetë Zoti bëhet ushqimi ynë, na jep vetveten, për t’u shndërruar në Të.
Pastaj foli për djaloshin, i cili në fillim dyshoi se nuk do të mund ta shuante urinë e gjithë asaj morie njerëzish me dy bukë e pesë peshq e, megjithatë, e dhuroi me gjithë zemër atë pakë gjë, që kishte:
Mrekullia nuk bëhet duke u nisur nga asgjëja, por nga ndarja e përbashkët, sado modeste, e asaj që djaloshi i thjeshtë kishte me vete. Jezusi nuk na kërkon atë, që nuk e kemi, por na bën të shikojmë se, po të dhurojë secili atë pak që ka, mrekullia mund të kryhet përsëri e përsëri: Zoti është gjithnjë në gjendje të shumëzojë çdo gjest dashurie e edhe të na bëjë pjesëtarë në dhuratën e tij”.
Turma mbetet pa mend nga mrekullia e shpreh menjëherë dëshirën ta shpallë Jezusin Mbret, por Zoti mënjanohet kah mali, vetëm:
“Jezusi nuk është mbret tokësor, që ushtron sundimin e vet mbi njerëzit, por mbret, që shërben. Zoti përkulet mbi njeriun, për t’ia shuar jo vetëm urinë materiale, por mbi të gjitha, urinë që nuk shuhet lehtë, urinë e orientimit, të ndjenjës, të së vërtetës, urinë për Zotin”.
Papa lutet që të gjithë ta rizbulojnë rëndësinë që ka të ushqyerit jo vetëm me bukë, por edhe, e kryesisht, me të vërtetën, me dashurinë, me Zotin, me korpin e Krishtit duke marrë pjesë besnikërisht e me vetëdije të thellë në Eukaristi, për të qenë gjithnjë më shumë të bashkuar me Të. E fjalët e fundit të lutjes së djeshme të Engjëllit të Tënzot na përkasin të gjithëve, në këtë kohë të vështirë, kur flitet për thellimin e varfërisë, vetmi, braktisje, indiferencë, dashakeqësi, konflikte, dhunë, atentate, refugjatë, për mungesën e bukës së përditshme, por edhe për Besën e Re të njeriut me Krishtin, që nuk mungon ta shumëzojë shujtën në shekuj, duke përsëritur për njerëzimin, mrekullinë e pesë bukëve e të dy peshqve:
“Në të njëjtën kohë, duam të lutemi që të mos i mungojë kurrë askujt buka e nevojshme për një jetesë dinjitoze e të shemben të gjitha pabarazitë, jo me armë e dhunë, por me ndarjen e përbashkët të të mirave materiale e me dashuri”.







All the contents on this site are copyrighted ©.