2012-07-30 15:00:28

Nunci Apostolik në Siri imzot Zenari, krerëve fetarë: bashkohuni për të ndalur shtypjen e dhunën


Pas thirrjes së djeshme të Papës në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, për ndaljen e dhunës në Siri, sot flet edhe Nunci Apostolik në Damask, imzot Mario Zenari. Ai u drejtohet krerëve fetarë të vendit, që të bëjnë ç’është e mundur për të kontribuar t’i jepet fund luftës. Ne e ftuam në mikrofonin tonë:
Thirrja e Atit të Shenjtë, që të përfundojë dhuna, ngushëllimi i tij për viktimat, afërsia me vuajtjet e njerëzve, janë gjithnjë burim shprese të madhe për barinjtë, besimtarët e për gjithë sirianët, të cilët i janë mirënjohës Papës për interesin, që tregon vazhdimisht për Sirinë, duke i përsëritur thirrjet për të. Për shembull, për thirrjen e djeshme folën pozitivisht edhe mediat lokale qeveritare. Dua të nënvizoj theksin e Atit të Shenjtë mbi dramën e refugjatëve të brendshëm e të atyre, që shkojnë drejt vendeve fqinje e po ashtu, edhe lutjen e tij që Zoti t’u shndrisë zemrat krerëve përgjegjës në çaste kaq të vështira. Kjo më duket shumë e rëndësishme.
Cila është gjendja në Siri? Luftimet në Haleb, Damask e në qytetet e tjera akoma vazhdojnë, jashtëzakonisht të ashpra…
Atmosfera është shumë e rëndë. Ka lokalitete tepër të goditura, për të cilat flitet vazhdimisht, por do të thosha, se kanceri i konfliktit është përhapur në të gjithë Sirinë e njerëzit kanë frikë e nuk kanë siguri për të ardhmen. Këto ditë po mendoja për hapjen e Lojërave Olimpike, të cilat i panë miliona njerëz në të gjithë botën, festë e jashtëzakonshme vëllazërie universale ndërmjet popujve e, nga ana tjetër, e krahasoja me gjendjen në Siri. Megjithatë, kjo festë e ruan shpresën, flakën e vëllazërimit universal, që nuk mund të shuhet nga erërat vëllavrasëse, të cilat fryjnë aty-këtu nëpër botë. Aty ku, përkohësisht, kjo flakë e vëllazërisë universale është shuar, mund të rindizet një ditë me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare.
Cila është thirrja juaj nga mikrofoni i Radio Vatikanit?
Pas thirrjeve të shumta e të zjarrta të Atit të Shenjtë për ndalimin e dhunës në Siri e për zgjidhjen politike të konfliktit - thirrje, jashtëzakonisht të vlerësuara – duke e ditur nga përvoja personale se në Siri ekzistojnë marrëdhënie të mira ndërfetare e se ç’rol luan feja në ato anë, dua t’u drejtohem të gjithë përgjegjësve fetarë, myslimanë, të krishterë e të tjerë: bashkohuni e me forcën e autoritetit tuaj moral paralajmërojini në emër të Zotit të gjitha palët në konflikt, që ta ndalin dhunën, e cila po e çon vendin drejt shkatërrimit, vuajtes së patreguar e vdekjes. U bëni atyre thirrje të fuqishme, në mënyrë që të kenë guximin për të ndërmarrë menjëherë, me sinqeritet e me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, rrugën që çon drejt zgjidhjes së duhur politike të krizës.







All the contents on this site are copyrighted ©.