Karitasi ndihmon të shpërngulurit sirianë në Liban, Jordani dhe Turqi
Karitaset kombëtare të rajonit të Lindjes së Mesme janë aktivizuar për të përballuar
emergjencën e refugjatëve sirianë, të cilët janë dyndur në vendet fqinje, për t’i
shpëtuar konfliktit të ashpër. Ndër mëse 200 mijë refugjatët, 30 mijë kanë shkuar
në Liban e qeveria libaneze ka vendosur trupat ushtarake në kufi. Mikpritja organizohet
më së shumti nga familjet, shkollat, apo struktura të tjera të këtij lloji. Mëse 9
mijë vetë i janë besuar Karitasit lokal, i cili ka ngritur edhe një klinikë të lëvizshme
me pediatër, gjinekologe e infermiere. Mëse 150 mijë sirianë janë drejtuar ndërkaq,
për në Jordani, megjithëse janë regjistruar vetëm rreth 35 mijë. Pra, pjesa më e madhe
është strehuar nga miq e dashamirë. Gjithsesi, duke parashikuar ardhje të tjera, në
Zaatari, po ngrihet një kamp për 100 mijë vetë. Në Jordani, Karitasi kujdeset për
rreth 25 mijë vetë, duke u shpërndarë ushqime, duke u marrë me asistencën shëndetësore
dhe atë shkollore për fëmijët. Në Turqi, kanë mbërritur 43 mijë sirianë, të ndarë
në 8 kampe qeveritare. Autoritetet po përgatisin edhe dy të tjera. Këtu, Karitasi
punon kryesisht për shpërndarjen e ushqimeve, mbështetjen psikologjike dhe mbrojtjen
juridike të refugjatëve pa dokumente. Organizata bamirëse katolike vazhdon punën edhe
brenda Sirisë, sidomos në Homs, Haleb dhe në Damask, por me shumë kujdes, për shkak
të konfliktit në vazhdim. Nga çdo vend, arrijnë kërkesa për fonde, në mënyrë që kjo
ndihmë të vazhdojë, për të gjithë ata që kanë nevojë.