2012-07-30 11:08:37

Benedikti XVI: të burgosurit të trajtohen me drejtësi; të respektohet dinjiteti i tyre njerëzor.


Papa u kërkon besimtarëve të luten, që të burgosurit të trajtohen me drejtësi e të respektohet dinjiteti i tyre njerëzor: ky është ndjeti i lutjes së Benediktit XVI për muajin gusht.
I kujton Papa në lutje të burgosurit, që nuk janë pak. Statistikat flasin për rreth 10 milionë njerëz, që kanë humbur lirinë. Gjysmën e tyre e gjejmë në qelitë e tre vendeve : SHBA (rreth 24%), Kinë (17%) e Rusi (9%). Papa lutet çdo ditë për të burgosurit: në ta shikon vetë Krishtin, siç u shpreh dhjetorin e kaluar, gjatë vizitës në burgun romak Rebibbia, duke theksuar se në Gjyqin e Mbramë Zoti do të bëjë edhe një pyetje për vëmendjen që u është kushtuar të burgosurve.
Duke iu drejtuar të burgosurve, Ati i Shenjtë shtoi se dashuria e Zotit nuk njeh cak as kufi:
Erdha thjesht për t’ju thënë se Zoti ju do me dashuri të pakufishme e se jeni gjithnjë bijtë e Tij. Edhe Biri i vetëm i Hyjit, Zoti Jezus, e provoi ç’do të thotë burg, iu nënshtrua gjykimit para një gjykate dhe pësoi dënimin më mizor, atë me vdekje!”.
Benedikti XVI pohoi se drejtësia duhet të frymëzohet nga dashuria, foli për funksionin riedukues të dënimit, kërkoi respekt e dinjitet për të burgosurit, duke kujtuar se vetëm në Itali rreth 67 mijë vetë janë pas hekurash, ndërsa burgjet nuk mund të zënë më shumë se 45 mijë:
E di se mbipopullimi dhe degradimi i burgjeve mund ta bëjë edhe më të hidhur burgosjen; kam marrë shumë letra nga të burgosurit, që e nënvizojnë këtë. Ka rëndësi që institucionet të bëjnë një analizë të vëmendshme të situatës së burgjeve sot, të kontrollojnë ndërtesat, mjetet, personelin, në mënyrë që të burgosurit të mos pësojnë një dënim të dyfishtë; dhe ka rëndësi të punohet për zhvillimin e sistemit të burgjeve me qëllim që, pa harruar respektimin e drejtësisë, të jetë gjithnjë më i përshtashëm për kërkesat e njeriut, duke pasur parasysh edhe mundësinë për dënime jashtë burgu ose mënyra të tjera dënimi”.
Pati vijuar një dialog i sinqertë ndërmjet Papës e të burgosurve, me pyetje e përgjigje.

Pyetje: - Shenjtëri, jam Federiku. Jemi larg familjeve, por jo larg jetës, u rrëzuam, e duke rënë, dëmtuam edhe të tjerët, por po bëjmë çmos të ngrihemi përsëri në këmbë. Tepër pak flitet për ne, e shpesh me një egërsi të tillë, si të donin të na shkulnin nga radhët e shoqërisë, si të ishim bar i keq. Ju jeni Papa i ne të gjithëve e ne lutemi që, njëherësh me lirinë, të mos na mohohet edhe dinjiteti. Sepse nuk është e thënë që i burgosuri të mbetet pas hekurash përgjithmonë. Kjo na bën ta ndjejmë veten diçka më pak se njerëz. Prandaj prania Juaj është për ne një nder tepër i madh.

Përgjigje: - Më thatë fjalë vërtetë të paharrueshme: ramë, por jemi këtu për t’u ringritur në këmbë! Thatë edhe se për ju shpesh flitet egërsisht. Duhet t’i durojmë edhe ata, që flasin egërsisht; ashtu flasin edhe kundër Papës e, megjithatë, ne ecim përpara. Më duket e arsyeshme t’i nxit të gjithë për t’i kuptuar vuajtjet tuaja. Çdo njeri mund të rrëzohet, por Zoti dëshiron që të gjithë të arrijnë tek Ai. E ne duhet të bashkëpunojmë për këtë me frymë të vërtetë vëllazërie. Zoti do t’ju ndihmojë, e ne jemi gjithnjë pranë jush”.

Pasi kujtoi se grumbullimi i madh i njerëzve dhe zvetënimi i tyre mund ta bëjnë edhe më të hidhur heqjen e lirisë, Papa i i ftoi të gjithë t’i lartojnë sytë kah Zoti:
“T’i lutemi në heshtje e në uratë, që të na çlirojë të gjithëve nga burgu i mëkatit, nga kryelartësia e mendjemadhësia; secili ka nevojë të dalë nga ky burg shpirtëror, për të qenë vërtet i lirë nga e keqja, nga ankthi, nga vdekja”.







All the contents on this site are copyrighted ©.