2012-07-28 18:08:41

Shenjtorët e javës 29 korrik – 5 gusht 2012


Sot, në të dielën e 17-të gjatë vitit kishtar, Kisha Katolike kremton edhe festën liturgjike të shën Martës, dishepulle e Krishtit, të shenjtorëve Simpliçi, Faustini, Beatriçe e Rufo, të gjithë martirë dhe të shën Feliçit, martir.

Nesër, e hënë, 30 korrik, përkujtohen shën Pjetër Krizologu, ipeshkëv i Ravenës e Dijetar i Kishës, shën Leopold Mandiç e shën Donatela me shoqe. “Ke harruar Zotin, që të ka krijuar”, na paralajmëron psalmi i kësaj dite.

Shën Injaci i Lojolës, meshtar, themelues i Shoqërisë së Jezusit përkujtohet të martën, më 31 korrik. Urime të gjithë jezuitëve për festën e tyre.

Të mërkurën, katolikët kujtojnë shembullin e jetën e shën Alfonso Maria de’ Liguorit, ipeshkëv e Dijetar i Kishës. Është autori i muzikës së këngës së famshme të Krishtlindjes, “Ti ulesh prej Parrizit”.

Më 2 gusht, ditë e enjte, kremtohet festa liturgjike e shën Euzebit nga Verçeli e i shën Pjetrit Gjuliano Einard, meshtar, themelues i Sakramentinëve. “I lum, ai që ka për ndihmë Hyjin e Jakobit”, këndon liturgjia e ditës.

Të premten, më 3 gusht, Kisha Katolike kujton shën Lidien, dishepulle e shën Palit Apostull, shën Eufronin e shën Asprenaton. Është e premtja e parë e muajit, rast për t’u pajtuar me Zemrën e Krishtit.

E shtuna, 4 gusht, është dita e meshtarit, marrë si shembull nga Papa Benedikti XVI për Vitin Meshtarak. Është fjala për shën Gjon Maria Vianejn, pajtor i klerit, që kujdeset për shpirtrat e besimtarëve.

Të dielën, më 5 gusht, e 18-a gjatë vitit kishtar, bie përvjetori i kushtimit të bazilikës së Zojës së Madhe në Romë.








All the contents on this site are copyrighted ©.