2012-07-28 18:06:51

Misioni i Sat-7, emitente e krishterë në Lindjen e Mesme, ndiqet edhe nga myslimanët


Të përhapë vlerat e fesë së krishterë, në një zonë me shumicë islamike, në Lindjen e Mesme, ku të krishterët janë pakicë, rreth 12 milionë vetë, në pakësim të vazhdueshëm për shkak të atentateve e persekutimit, në gjirin e një popullsie prej 200 milionë banorësh. Ky është misioni i Sat-7, emitente televizive e krishterë, themeluar në vitin 1995 me mbështejen e Fondacionit Papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”.
Për shumë të krishterë irakianë, është Kisha, ku nuk mund të shkojnë, për shkak të mungesës së sigurisë. Për mijëra fëmijë të Lindjes së Mesme, programet e saj janë një pikë e përditshme takimi. Por Sat-7, që transmeton në 22 vende islamike, nuk u drejtohet vetëm të krishterëve. Ndërmjet 9 milionë teleshikuesve të zakonshëm, shumë janë myslimanë, siç nënvizon, në mikrofonin tonë, drejtori i zyrës evropiane Sat-7, Kurt Johansen:

Përgjigje: - Ne jemi zëri i të krishterëve e secili është i lirë ta shikojë ose jo kanalin Sat-7. Duket se shumica e teleshikuesve tanë nuk është e krishterë, por myslimane, e këtë e kanë zgjedhur ata vetë. Në kanalin tonë mund të flasim haptazi për shumë gjëra, sepse i gjithë stafi ynë përbëhet nga të krishterë të Lindjes së Mesme, që takohen ditë për ditë me myslimanët në mjedise nga më të ndryshmet, duke nisur nga rruga. Kështu mund t’u flasim për fenë tonë, mund të ndërtojmë ura, të zhdukim moskuptimet e ta bëjmë Kishën të njohur, me identitetin e rolin e saj, në gjirin e shoqërisë.
Ky është një nga kanalet e pakta të Lindjes së Mesme kushtuar fëmijëve e duket se njihet mirë edhe nga familjet jo të krishtera, sepse ne nuk flasim kurrë për urrejtje dhunë, krime, por vetëm për vlera pozitive.

Në Lindjen e Mesme, ku po jetohet atmosfera e pritjes së Papës Benedikti XVI, që do të vizitojë Libanin nga 14 deri më 16 shtator, transmetojnë 300 emitente televizive. Ç’vend zë, ndërmjet tyre, Sat-7, për të krishterët e kësaj zone? Të dëgjojmë dëshminë e atë Ramsine Hage Moussa, i Kongregatës së Misionarëve Libanezë maronitë:
Përgjigje: - Për të krishterët e Lindjes së Mesme, një emitente si Sat-7, ose emitente të tjera të krishtera, i ndihmojnë shumë të krishterët për ta pasuruar kulturën kombëtare. Një emitente, që flet arabisht, është hap i madh përpara, që na nxit ta vijojmë këtë mision. Mos të harrojmë: krishterimi lindi këtu e këtu duhet të përcillet mesazhi i krishterë, në gjuhën arabe: mesazhi i Krishtit, në arabisht”.







All the contents on this site are copyrighted ©.