Zoti e shumëzon bukën e ne duhet ta ndajmë bashkë me të tjerët. Ja përsëri
në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, Kësaj herët do të lexojmë e
meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të dielës së 17-të gjatë
vitit kishtar të ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik. Edhe këtë të diele kthehet
tema e bukës së bashku me temën e përndjekjes e të fitores së atij që mbahet si i
ligsht para të fuqishmëve e pushtetshmëve të botës. Meditimi ynë mbi Fjalën e
Zotit të kësaj së diele niset nga skena e ikjes së Elisë nga përndjekjet e mbretëreshës
Gezabela (2Mbr 4,42-44). Elia është i lodhur, ndjehen i vetmuar, dëshiron ta mbyll
misionin e tij tokësor e megjithëkëtë shkon drejt rrënjës së historisë së popullit
të vet, drejt Horebit, malit të shenjtë ku Zoti i pati folur Moisiut. Atje Zoti e
thërret e i ofron bukën që do t’i japë forcë për të vazhduar udhën. Në pjesën
e Ungjillit të kësaj së diele, Gjoni e vijon temën e bukës në debatin ndërmjet Jezusit
e bashkëbiseduesve të vet, të cilët kërkojnë zgjidhjen e problemeve të tyre duke shpresuar
të vazhdojë mrekullia e shumëzimit të bukëve. Jezusi ofron një bukë tjetër,
një ushqim për të vijuar udhën e misionit e për t’i shërbyer Mbretërisë së Atit. Bashkëbiseduesit
mendojnë në manën, bukën e shkretëtirës, Jezusi mendon në Bukën Qiellore që është
personalisht Ai, i zbritur nga qielli. Ai është i dërguari i Atit, si bukë e gjallë
për të gjithë ne. Leximet biblike të kësaj së diele na flasin për përdëllimin
që Zoti ka kurdoherë për njeriun, e sidomos për njeriun në nevojë. Zoti ynë nuk ka
vdekur, as nuk është Zot që lë pas dore krijesën e Tij. Po është Hyj At që kujdeset
shumë për ne në çdo kohë e moment. E këtë na porosit të bëjmë ndaj tjerëve edhe ne.
Jezusi, përmes mrekullisë së shumëzimit të bukëve, na tregon e varfërinë e madhe
shpirtërore që kemi, mund ta plotësojë vetëm Ai dhe na thërret të bashkëpunojmë me
Të në ndërtimin e Mbretërisë së Atit përmes gjesteve të thjeshta, gjesteve të vogla
sikur tregon shembulli i një djali të pa emër i cili i dhuroi ato pak bukë e peshq
që pati, e nga gjesti i tij Jezusi e nisi mrekullinë e shumëzimit të bukëve duke shuar
urinë e turmës së njerëzve. Leximi i parë nga Libri i Dytë i Mbretërve:
në pjesën e dytë të Librit të Mbretërve kushtuar Eliezut profet, gjejmë mrekullinë
e shumëzimit të bukëve që paraprijnë e kujton atë më të rëndësishme e më domethënëse
që Jezusi do të bëjë në dobi të turmës së popullit që e pati ndjekur për ta dëgjuar.
Leximi dytë e kësaj së diele nga Letra e Shën Palit drejtuar Efezianëve: Pali
i nxit Efezianët ta ruajnë bashkimin në dashuri, përmes sjelljeve e veprave të frymëzuara
nga përvujtëria, butësia, mirësia e durimi i anasjellët. Në pjesën e Ungjillit
të kësaj së diele marrë nga Gjoni, kemi tregimin mbi mrekullinë e shumëzimit të
bukëve që Jezusi bëri për turmën e popullit të uritur për shpëtim e të etur për fjalën
e tij. Jezusi pasi kënaqi nevojat e kërkuara të shpirtit, vetvetiu interesohet për
nevojën trupore të turmës që njerëzve që e dëgjonin. Në realizimin e shenjës së mrekullueshme
të shumëzimit të bukëve, për ne të krishterët e të gjitha shekujve është e natyrshme
të shohim paralajmërimin e pranisë së Krishtit-Bukë, Eukaristinë tonë ushqim për jetën
e amshuar. E më tepër mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit nga 2Mbr 4,42-44; Ef
4,1-6; Gjn 6,1-15, të kësaj së diele, mund të dëgjoni kështu........