2012-07-28 18:08:08

Kuriozitete për Olimpiadat: Lojërat e lashta


Lojërat e para Olimpike u kremtuan në vitin 776 para Krishtit, në Greqi. Fillimisht olimpiada ishte manifestim lokal e zhvillohej vetëm një garë vrapimi (stadion, prej nga vjen fjala ‘stadium’). Më vonë u shtuan sporte të tjera e lojërat nisën të përfshijnë gara vrapimi, boksi, mundje e garën që njihej me emrin ‘pentathlon’. Pentathlon, (nga greqishtja pènte, pesë, e àthlon, luftë) garë sportive që përfshinte pesë disiplina: vrapim, kërcim, hedhje shtize, disku si dhe mundje, praktikohej në Greqi që nga lashtësia. Pesëgarëshi vijon, me pak ndryshime, edhe në olimpiadat moderne.
Nga ajo kohë e largët e në vijim, olimpiadat nisën të bëheshin gjithnjë më të rëndësishme në mbarë Greqinë e lashtë. Kulmin e arritën në shekullin VI e V para Krishtit.
Nisën të merrnin edhe ngjyrime fetare, duke u kthyer në kremtime për nder të Zeusit, një nga shtatoret e të cilit lartohej në Olimpia. Vepër e humbur e Fidias, realizuar me ar e fildish, radhitej ndërmjet shtatë mrekullive të botës së lashtë. Sot një kopje e saj ruhet në muzeun e famshën rus Ermitazh.
Kështu, në sa olimpiadat bëheshin një nga veprimtaritë e rëndësishme në jetën e grekëve të lashtë, vijoi të shtohej numri i garave e edhe i ditëve të lojërave. Fituesit e garave admiroheshin e pavdekësoheshin. Lojërat organizoheshin çdo katër vjet e periudha ndërmjet dy kremtimeve njihej me emrin olimpiada. Gjatë kohës së lojërave (tri ditë), në të gjithë Greqinë ndërpritej çdo lloj konflikti: niste ai, që njihej si armëpushimi olimpik. Grekët i përdornin olimpiadat edhe si metodë për të numëruar vitet. Në to merrnin pjesë grekë të lirë, që mund të krenoheshin si pasardhës të disa breznive të lindura në trojet greke. Duke pasur parasysh se pjesëmarrja në lojëra kërkonte edhe stërvitje të gjatë, kuptohet vetvetiu se në to mund të merrnin pjesë kryesisht përfaqësuesit e klasave më të kamura. Përjashtoheshin skllevërit, barbarët, vrasësit e mëkatarët e mëdhenj, të njohur botërisht.Me forcimin e pushtetit romak mbi Greqinë, lojërat nisën ta humbisnin rëndësinë e tyre. E kur krishterimi u bë fe zyrtare e Perandorisë Romake, lojërat olimpike nisën të shikoheshin si festë pagane e, prej këndej, vlera e tyre vijoi të zbehej, në pëpjestim edhe me shtimin e korrupsionit të atletëve e të falsifikimit të vazhdueshëm të rezultateve të garave. Kur, në vitin 390, në Stadiumin e Thesalonikut (Selanikut), ku zhvilloheshin garat, ndodhi masakra e mirënjohur në histori, Perandori Teodosi I (nxitur nga Shën Ambrozi, ipeshkëv i Milanos, i tmerruar nga gjakderdhja) i ndaloi, duke i dhënë kështu, fund, një historie, që kishte zgjatur më se njëmijë vjet. Ishte viti 393!







All the contents on this site are copyrighted ©.