2012-07-28 18:06:18

Atë Federiko Lombardi: Lojërat Olimpike të Londrës, më shumë se ar – More than gold


Lojërat Olimpike të Londrës, që filluan ditën e premte, më 27 korrik, kanë eklipsuar çdo vëmendje tjetër të sportdashësve, duke e përqendruar në stadiumet e në fushat, ku atletë nga mbarë bota janë në garë për medaljen e artë në disiplinën e tyre. Një nismë ekumenike e Kishave të krishtera shkon përtej këtij ari. Vërtet, titullohet “Më shumë se ar”, e kuptimin e saj e sqaron zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, në mikrofonin tonë:
“Olimpiada! Edhe një herë, bota i drejton sytë kah ngjarja sportive më e madhe, më e pritura, më tërheqësja. Edhe Kishat e krishtera mobilizohen për këtë rast. Që nga Lojërat e Barcelonës, në vitin 1992, ungjillorë, baptistë, metodistë, episkopalianë kanë ndërmarrë nismën ekumenike “More than Gold – Më shumë se ar” për të ndërtuar së bashku Mbretërinë e Zotit në atmosferën entuziaste dhe kozmopolite të Olimpiadave. Këtë vit, edhe Kisha Katolike angleze merr pjesë në to me plot dëshirë. E të premten paradite, më 27 korrik, të gjitha këmbanat e vendeve të krishtera të kultit ranë në të njëjtën orë, për t’u uruar mirëseardhjen atletëve, turistëve, kujtdo, që merr pjesë në këtë ngjarje të jashtëzakonshme dhe për t’i ndihmuar gjithë këta njerëz t’ia hapin zemrën Hyjit.
Çfarë të presim “më shumë se ari” i medaljeve më prestigjoze, më shumë se admirimi për një sukses, në fund të fundit, kalimtar? Admirimi për forcën, elegancën, hijeshinë dhe aftësinë e atletëve nuk duhet të ndalet në kultin e bukurisë së trupit njerëzor, por duhet të kuptojë se ky trup edukohet dhe udhëhiqet nga mendja e nga vullneti, nga shpirti, që banon në të. Prandaj, më duket mëse e drejtë të bashkohen Olimpiadat me Paraolimpiadat për atletët me të meta fizike. Këto të fundit nuk janë më pak se të parat. Janë të nevojshme për të kuptuar domethënien pozitive të të parave. E drejtë është edhe të bashkohen pazgjidhshmërisht Olimpiadat me shpresën e paqes për gjithë bashkësinë njerëzore. Kështu thotë qartë tradita e lashtë e “armëpushimit olimpik”, të cilën Papa e kujtoi në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës së kaluar: “Të lutemi që Lojërat e Londrës të jenë përvojë e vërtetë vëllazërimi ndërmjet popujve të Tokës!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.