2012-07-27 16:27:28

Papët e Nëntëqindës dhe Olimpiadat: një shekull admirimi për vlerat etike të sportit.


Interesimi planetar, që ngjalli gradualisht në epokën moderne rifillimi i Lojërave Olimpike, nuk mund të mos njihej nga Kisha. Dëshminë e parë e kësaj vëmendjeje mund ta gjejmë në fjalët e disa papëve. Nga Athina e vitit 1896, tek Londra e 2012-tës, gjithnjë më shpesh afrimi i Lojërave Olimpike i nxiti Papët e Nëntëqindës t’i kushtonin reflektime të thella Lojërave, në kuptimin e ngushtë të fjalës e, më gjerë, vizionit të krishterë për sportin. Po i kujtojmë shkurtimisht, në sa në Londër hapen Lojërat Olimpike:RealAudioMP3
“A nuk e dini se në korsitë e stadiumit vrapojnë të gjithë, por vetëm një fiton çmimin? Vraponi dhe ju, në mënyrë që ta fitoni!”. “Të vrapojmë bashkë drejt cakut, pasi u rrëmbyem nga Krishti i ngjallur, fillesa e fundi i jetës, shkaku e caku i garës. E në se dëshirojmë të marrim kurorën e drejtësisë, duhet të vazhdojmë garën e mirë, e ta ruajmë fenë”.
Është fakt i njohur që kumtuesi i madh i Ungjillit, qe njohës i shkëlqyer i disiplinave olimpike të epokës së tij e se pikërisht prej tyre i merrte metaforat, që i shërbenin për t’u treguar të krishterëve si mund ta fitonin kurorën e dafinave të fesë. Shën Pali është, pa dyshim, i pari që krijoi një hallkë të fortë ndërmjet sportit e Kishës, kur i sporti nuk e kishte akoma këtë emër, e Kisha jetonte orët e agut. Me nëntëqindën, shekull në të cilin sporti, falë sidomos Olimpiadave, nisi të ndezë pasionet globale, edhe papët fillojnë ta vlerësojnë rëndësinë e këtij fenomeni shoqëror masiv. Pa harruar kurrë përmasat e larta etike, siç do të nënvizonte Gjoni XXIII në audiencën me atletët e 83 kombeve, në gusht të vitit 1960, kur mbi Romën, njëherësh me Kupolën e Shën Pjetrit, valëviteshin rrathët olimpikë. Duke u folur atletëve në gjuhën latine, Gjoni XXIII pati theksuar:
“Në zhvillimin e garave olimpike jepni të gjithë shembullin e konkurimit të shëndoshë, pa zili e pa shpirt kundërshtimi, me një luftë, që do të tregojë qëndrueshmërinë e gëzimin, si atletë të vërtetë, duke i bindur, kështu, spektatorët e panumërt për vërtetësinë e fjalës së urtë: “Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë”.
Qortim atëror, gati-gati si të dilte nga goja e një njohësi të madh të sportit, ky i Papës së Mirë, por edhe plot admirim.
E me këtë admirim do ta shikonte sportin edhe Pali VI, në korrik 1976, kur foli për Olimpiadën e Monrealit, që sapo kishte filluar:
“Sfera e virtyteve natyrore depërton në atë të ushtrimeve fizike e u jep atyre vlerën e lartë humane, atë morale, për të fituar, pastaj, vlerë shoqërore e ndërkombëtare, duke i bërë kështu Olimpiadat gati-gati si një kremtim të miqësisë ndërmjet popujve, një festë të vërtetë të paqes” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 18 korrik 1976).
Gjon Pali II, burrë tjetër i shquar i Kishës, që e kuptonte tejet mirë sportin, sepse edhe e praktikonte, nuk harron kurrë ta shikojë si vlerë të krishterë këtë fenomen. E shikimi i tij është shumë pranë kohëve tona, në të cilat lartimi i virtyteve sportive e denoncimi i të gjitha forcave, që mund t’i korruptojnë, janë dy anët e së njëjtës medalje. Jemi në vitin 1982 e Papa Gjon Pali II takohet me drejtuesit e Komitetit olimpik ndërkombëtar, para të cilëve zbulon pikërisht të dyja anët e medaljes:
Si shprehje e veprimtarisë së njeriut, sporti duhet të jetë shkollë e vërtetë dhe përvojë e vazhdueshme e ndershmërisë, sinqeritetit fair-play, flijimit, guximit, solidaritetit, çinteresimit, respektit. Kur në garat sportive ngadhënjejnë dhuna, padrejtësia, mashtrimi, etja për fitime, presionet ekonomike, politike e diskriminimet, atëherë sporti zvetënohet, duke zbritur në rangun e mjetit të forcës e të parasë (Fjalim Komitetit olimpik ndërkombëtar, 27 maj 1982).
Mendimi i Benediktit XVI, pastaj, që më 22 korrikun e kaluar shkoi nga Kastel Gandolfo, në Londër ku sot, nën, hijen e Big Benit, hapen Lojërat XXX Olimpike. Pasi i përshëndeti organizatorët, atletët e sportdashësit, Papa uroi që, në frymën e armëpushimit olimpik, vullneti i mirë, i cili lind nga kjo ngjarje, të japë frytet e veta: fryte paqeje e pajtimi në mbarë botën, këto ditë me sytë ngulur pikërisht në Londër, kryeqytet sportiv i mbarë njerëzimit:
Olimpiada është ngjarja më e madhe sportive botërore, në të cilën marrin pjesë atletë të shumë kombeve e, si e tillë, fiton edhe vlerë simbolike. Prandaj Kisha katolike e shikon me simpati e vëmendje të veçantë. Lutemi që, sipas vullnetit të Zotit, Lojrat e Londrës të jenë një përvojë e vërtetë vëllazërie ndërmjet popujve të tokës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.