Në kuadrin e Olimpiadës së Londrës, një libër kujton takimin e Piut X me De Coubertin
në Vatikan
Me ceremoninë e hapjes, sonte, në Londër, nisin Lojërat XXX Olimpike moderne. Takim,
ky, që kryeqyteti britanik e jeton për herë të tretë në histori: herën e parë, më
1908 , kur Roma hoqi dorë për shkak të një krize të rëndë ekonomike. E pra pikërisht
asokohe, shpikësi i Lojërave, De Coubertin, kërkoi ndihmë nga Vatikani për t’i favorizuar
Lojërat e u mbështet nga Papa Piu X. Për këtë kohë e këto rrethana, flet libri i ri,
që sapo pa dritën e shtypit, “Piu X e sporti”, shkruar nga Antonella Strelitano, Quirino
Bortolato e Alejandro Mario Dieguez, asistent i Arkivit Sekret të Vatikanit. Të dëgjojmë
Antonelën, që i kushtohet prej vitesh studimeve mbi sportin:
Përgjigje:
- Merrem më shumë me temat e olimpizmit, të sportit, të marrëdhënieve
ndërkombëtare e, duke lexuar “Kujtimet e Coubertin”, pata gjetur një fragment, në
të cilin flitej për një nga shtegtimet e tij në Qytetin e Amshuar, lidhur me përgatitjet
e Lojërave Olimpike të vitit 1908, për zhvillimin e të cilave Komiteti Olimpik kishte
zgjedhur Romën. Flet pikërisht për një takim në Vatikan, që duhet të shërbente për
të siguruar më shumë dashamirësi nga ana e Papës dhe e Vatikanit për veprimtaritë
sportive. Pastaj dihet si përfundoi kandidatura e Romës; qeveria Giolitti e bllokoi
për arsye ekonomike, ndërsa Coubertin na la dëshminë, që tregon se me Vatikanin u
mor vesh shumë më mirë se me qeverinë italiane. Kur e gjeta këtë citim, që shprehte
qëndrimin e Papës Piu X, trevinjan, si unë, u bëra kureshtare e nisa të gërmoj më
tej, për të ditur ç’kishte ndodhur në takimin ndërmjet këtyre dy figurave të njohura
të nëntëqindës.
Pyetje: - Me ç’sy, sipas jush, i shikonte Piu X
olimpiadat?
Përgjigje: - Besoj se në atë kohë ishte tejet
e vështirë ta kuptoje forcën e sportit. Sporti ishte fenomen shumë i kufizuar në këndvështrimin
shoqëror. Praktikohej nga më pak se 1% e popullsisë; sot, nga më se 30%, sa për të
krijuar një ide të qartë. Sporti ushtrohej vetëm në stërvitjet ushtarake, nga ushtarakët
e karrierës ose nga klasat e fisme të shoqërisë, për të kaluar kohën. Në fillim të
nëntëqindës nisën veprimtarinë Oratoret e para e qendrat e lojërave. Lindën edhe federatat
e para. Sporti dilte në skenën e kohës si diçka krejt e re. Besoj se Piu X, pikërisht
për shkak të vëmendjes që u kushtonte njerëzve rreth tij, arriti të kuptojë vlerat
e mëdha edukative të sportit. Prej këndej, fakti se sporti, siç u duk pastaj në frymën
e Lojërave Olimpike të De Coubertin, nisi të shikohej si mjet me vlera të mëdha edukative,
si mënyrë për t’i afruar të rinjtë, për t’i mësuar të rrinë bashkë, sipas disa rregullave
e duke e respektuar kundërshtarin. Besoj që Papa e kuptoi menjëherë se ishte e mundur
që njerëzit të rrinin bashkë, pa u kacafytur, pa probleme race, feje e bindjesh të
ndryshme politike.
Pyetje: - Ndërmjet tjerash, Piu X ishte papë
sportist, shumë para Gjon Palit II. E kjo është diçka e re....
Përgjigje:
- Ne u çuditëm shumë që nuk ishim kujtuar më parë për këtë prirje të tij,
sepse Piu X kujtohet jo vetëm nga Gjon Pali II, por edhe më parë, nga Gjoni XXIII
që, duke pritur atletët e Olimpiadës së Romës në Vatikan, pati thënë: “Piu X priti
i pari De Coubertin e ne ju prisnim prej vitesh”. Ai ishte sportist në mënyrën si
lëvizte, si luante me gjyle, me besimtarët e famullisë, kur ishte famullitar në Salcano.
Ka të dhëna që tregojnë se vlerësonte me çmime gondolierët, që fitonin garat, kur
ishte në Venedik. E ka edhe të dhëna, që tregojnë se atij i pëlqente të shëtiste,
të lëvizte. Tregohet edhe një anekdotë për të e për vendin që zinte sporti në Vatikan.
Me që roli e vlera e sportit nuk kuptohej aq lehtë, ai u pati thënë një ditë kardinajve:
“E po mirë, me që nuk e kuptoni se kjo gjë mund të bëhet, atëherë do të merrem unë
vetë me gjimnastikë para të gjithëve, kështu të gjithë do ta kuptojnë se me që Papa
bën gjimnastikë, mund ta bëjnë të gjithë”.