2012-07-27 14:18:06

Masakra e Munihut në Lojërat Olimpike 1972


Kjo masakër ndodhi pesëmbëdhjetë shekuj pas asaj të Selanikut, në garat olimpike zhvilluar në Munih të Gjermanisë perëndimore. Në shënjestër nuk ishin banorët e qytetit të mirënjohur, por një skuadër e huaj, mysafire në tokën gjermane.
Të dhënat për këtë masakër, që tronditi botën moderne, jo më pak se masakra e Selanikut botën e lashtë, vijnë deri në kohët e Olimpiadës së Londrës, me të gjitha hollësitë tragjike e kriminale.
Masakra e Munihut ndodhi gjatë Lojërave olimpike verore të 1972-shit. Një grup terroristësh të organizatës palestineze ‘Shtatori i zi’ hyri me dhunë në vendbanimin e izraelitëve, në fshatin olimpik, duke vrarë menjëherë dy atletë, që iu kundërvunë e duke marrë peng nëntë anëtarët e tjerë të skuadrës olimpike të Izraelit. Përpjekja e policisë për t’i liruar pengjet, përfundoi me vrasjen e të gjithë atletëve të rrëmbyer, të pesë terroristëve dhe të një polici gjerman.
Një masakër e tillë në Gjermaninë e shekullit XX?
Kujtojmë se Lojërat Olimpike të Munihut, u organizuan edhe për t’i treguar botës fytyrën e re të Gjermanisë së pasluftës e për të shlyer çdo kujtim të tmerreve hitleriane. Prej këndej, u vendos që sigurimi t’u lihej në dorë vullnetarëve, të quajtur “Olyus” e të pëgatitur për të ndërhyrë vetëm në raste grindjesh, dehjesh e sherresh të tilla, pa ndonjë rëndësi të veçantë. Ndërsa në fshatin olimpik vullnetarët u ndodhën ballpërballë me terroristë të përgatitur për të kryer me gjakftohtësi krime, si ai i Selanikut të lashtë, në emër të ardhmërisë së Palestinës.
Ishte 5-6 shtator 1972, ora 04.30-00.04. Palestinezët u munduan ta përligjnin këtë krim të shëmtuar, duke botuar një sqarim në një nga gazetat arabe. Shkruhej se ky akt ishte kryer për të dënuar botërisht Komitetin Olimpik, që nuk qe denjuar as t’i përgjigjej kërkesës së Federatës Rinore të Palestinës për të marrë pjesë, me një delegacion, në Lojërat Olimpike të Munihut. Po bota moderne, ashtu si bota e lashtë, mbetur pa frymë, në pritje të përfundimit të rrëmbimit, nuk mund ta pranonte asnjë lloj përligjjeje për një akt kaq imoral, që nuk e ndihmonte aspak çështjen palestineze. Përkundrazi! E në kohët moderne askush nuk shkoi në Tempull e as në xhami për të qarë me lot pendese para Zotit, për këtë krim kaq të shëmtuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.