2012-07-27 14:17:18

Kuriozitete për Olimpiadat: Ceremonia e hapjes


Ceremonia e hapjes së Lojrave Olimpike përbëhet nga një mori elementesh. Përgatitja e saj nis menjëherë pasi caktohet vendi, ku do të mbahen lojërat. Është shfaqje e vërtetë artistike, me valle, këngë e koreografi folklorike nga historia e vendit, ku kremtohen Lojërat.
Ceremonia vijon me parakalimin e vendeve pjesëmarrëse, përfaqësuar nga atletë, të cilët marshojnë në stadium të ndarë sipas Kombeve. Vendet parakalojnë duke ndjekur rendin alfabetik.
Sipas njoftimeve të shtypit, Flamuri shqiptar iu dorëzua sportistes Romela Begaj, ai i Kosovës, xhudistes Majlinda Kelmendi, lindur e rritur në Kosovë, por përfaqësuese e ekipit shqiptar.
Flamurtarja më e vjetër, e pranishme në Lojërat Olimpike 2012 është anglezja Dajana Gould, sot 100-vjeçare, që u duk përsëri me pishtarin nëpër rrugët e Londrës.
Parakalimit i prin Greqia, sepse atdhe i lojërave olimpike e edhe vend, ku u zhvilluan lojërat e para të epokës moderne, ndërsa vendi mikpritës mbyll radhën e delegacioneve pjesëmarrëse. Prijësi i delegacioneve, që mban flamurin e vendit, quhet ‘alfier’. Të mbash flamurin e kombit tënd në Olimpiadë konsiderohet nder i madh, prandaj shpesh herë një rol i tillë u besohet sportistëve më në zë. Pas përfundimit të parakalimit, nisin fjalimet e kryetarit të Komitetit Organizator të edicionit të Lojërave dhe të Kryetarit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Pastaj Presidenti i vendit organizator hap formalisht Olimpiadën.
Dëgjohen tingujt e Himnit olimpik (kompozuar nga Spyridon Samaras, me fjalët e poetit grek, Kostis Palamas) e ngrihet flamuri olimpik, pranë e pranë me atë të vendit mikpritës. Më pas, të gjithë bajraktarët mblidhen rreth një tribune, ku një përfaqësues i atletëve dhe një nga gjykatësit e garave (që të dy nga vendi mikpritës) bëjnë betimin olimpik (duke mbajtur flamurin me pesë rrathë) e duke u impenjuar në emër të të gjithëve t’i matin forcat e të gjykojnë sipas rregullave të Lojërave Olimpike.
Më në fund, në stadium hyn pishtari olimpik, duke përfunduar kështu stafetën e gjatë që ka përshkuar nga Olimpia, në selinë e lojërave. Tedoforit të fundmë, shpesh atlet i mirënjohur botërisht, nga vendi mikpritës, i takon nderi të ndezë, në mangallin olimpik, flakën, që nuk shuhet deri në përfundim të lojërave.Njëherësh me flakën, marrin të përpjetën edhe pëllumbat olimpikë, simbol i paqes, që lëshohen në të njëjtin çast, si urim për fluturime në majat më të larta të arritjeve sportive.







All the contents on this site are copyrighted ©.