2012-07-27 14:17:02

Kisha katolike në Ilirikum dhe Koncilet e para


2. Kisha katolike e Koncilet e para në Ilirikum. Nuk mund të flasim për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kishës Katolike të trojeve të sotme shqiptare në koncilet ekumenike, pa përmbledhur, me dy fjalë, historinë e zanafillës së krishterimit në këto troje. Rrënjët e besimeve në trojet e sotme shqiptare, kufi ndërmjet kristianizmit, ortodoksizmit e islamizmit, duhen kërkuar në thellësi të historisë së tyre, prej kohëve të mugëta parapellazge, pellazge e ilire. Nga gërmimet e shumta të derisotme, mësojmë se Epiri i lashtë dhe pjesa jugore e Ilirisë patën fenë dhe mitologjinë e tyre, vazhdimësia, shndërrimi ose përlyerja e së cilës me kultet e hyjnive greke, shihet qartë në numizmatikën e ashtuquajtur ‘greke’ të vendit. Nuk dihet me siguri kur e si nisi të depërtojë krishterimi në këto troje. Mendohet të ketë filluar në epokën apostolike, të paktën për Epirin. Tri janë rrugët e mundshme të depërtimit të fesë së krishterë në trojet e sotme shqiptare: përmes Greqisë (Patrasit) e Durrësit; Maqedonisë ose bregdetit të Adriatikut. Besimi i ri nisi të përhapej aq shpejt, sa në shumë qytete, si Amantja (viti 334), Shkodra (392), Matja (392), Durrësi (424), Apollonia (431), Bylisi (431) Diokleja (451), Aulona (458), Skampa (458), Prizrendi (458), Shurdhahu (Sarda) (594), u ngritën seli ipeshkvnore (cfr. Thallòczy, Acta et diplomata res Albaniae Mediae aetatis illustrantia. Vol. I, n. Index.). Në historinë e shtatë shekujve të parë të krishterimit, ipeshkvijtë e Ilirisë e të Epirit duken shpesh në skenën historike, sidomos në historinë e Koncileve, si përfaqësues të fortë të fesë katolike kundër herezive.
Duke u bazuar në dokumentet konciliare, mësojmë se për herë të parë ipeshkvijtë e Ilirisë, ishin të pranishëm në Koncilin e Nikesë (325). Dokumentet kishtare e historike vërtetojnë se në këtë Koncil morën pjesë disa ipeshkvij të Dardanisë e të Maqedonisë, troje që përkojnë me Shqipërinë etnike lindore. Ishin: Dominius nga Sirmiumi (Mitrovica e Sremit); Protagoni i Sardikës (Sofia); Dakusi i Skupit (Shkupit) dhe Pistusi i Marcianopolis. Që të gjithë e dënuan mësimin e Arius, ndonëse herezitë e tij do të vijonin ndikimin e tyre në shumë zona të Ilirisë, në ato kohë të trazuara.
Pak më vonë, në Sardikë (343-44) gjejmë 5 a 6 provincat e Dardanisë, të Epirit të Ri, Epirit të Vjetër, e ndoshta edhe atë Prevalitane. Në Sardikë u mblodhën 90 ipeshkvij nga Perëndimi, të kryesuar nga Ozius, ipeshkëv i Kordovës, e 80 ipeshkvij nga Lindja. Ndërmjet tyre: Gaudentius nga Naissus; Paregorius nga Scupi; Machedonius nga Ulpiana, nënshkrimet e të cilëve lexohen ende sot në dokumentet përfundimtare të këtij takimi të madh konciliar.
Dokumente të rëndësishme për studimin e lidhjes së ngushtë të Kishës së Ilirikut me Koncilet e para të krishterimit, janë edhe letrat që Papa Çelestini u dërgon 9 metropolitëve të Ilirikut pas Koncilit të Efezit, si dhe letra e Papës Shën Leoni i Madh, dërguar metropolitëve të Ilirikut, pas Koncilit të Kalçedonisë. E kështu, deri sa përfundon skizma e Akacius.
Duhet kujtuar se, që nga fundi i shekullit IV, përveç organizimit sipas provincave, niste edhe një organizim i ri, ai i vikariateve apostolike. Ndërsa në Jug Papët ia besuan vikariatin apostolik metropolitit të Tessalonikës (Selanikut), në Justiniana Prima, si kryeipeshkvni e Dardanisë, në veri, nisi të ndjehej fort ndikimi i metropolitit të Salonës (Splitit). E ky ndikim u vërejt edhe në Prevalitani. Në këtë provincë Kisha Romake ishte pronare tokash, që mbarështoheshin prej një administratori, i cili mund të ishte delegat i papës ose inspektor, në emër të tij. Legatët papnorë vijuan të ushtrojnë një ndikim të madh mbi këto troje, që mbeten besnike të Romës. Edhe në periudha skizmash e herezish, nuk iu nënshtruan Kostandinopojës, ndonëse u përpoq vazhdimisht të ndërhynte në punët e tyre të brendshme. E jo vetëm Prevalitania, që nuk u prek kurrë nga skizmat e as nga herezitë, por edhe dy provincat e Epirit, me kulturë tashmë të greqizuar. Vetëm në kohën e herezisë akaciane (fund i shekullit V-fillim i shekullit VI), që u mbështet në mënyrë të posaçme nga perandori Anastas, lindur në Durrës (491-518), pas një rezistence të fortë, në Dardani dhe në Epirin e Ri u dukën shenja nënshtrimi. Por, duke nisur nga viti 519, legatët papnorë, të dërguar pranë perandorit dardan Justini për t’i dhënë fund grindjeve, duke kaluar nëpër Epir, siguronin mbështetjen e të gjithë ipeshkvijve, të cilët premtonin se do t’i bindeshin me zell e pa asnjë kundërshtim, metropolitit të Shkodrës.
E, pikërisht kur vijonte lufta kundër herezisë ariane, trojet ilire i dhuruan Historisë së Kishës katolike një nga figurat më madhore të saj, Shën Jeronimin, që luajti një rol të dorës së parë në orientimin e Koncileve të Ilirisë, për t’i dhënë fund kësaj herezie, si dhe në përhapjen e jetës murgare, në lidhje të vazhdueshme me vendlindjen. Do ta njohim në emisionet e ardhshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.