2012-07-26 13:25:20

Ilirët e historia e tyre


1. Ilirët e historia e tyre. Vijojmë bisedën kushtuar historisë së Koncileve kishtare. Sot flasim për Ilirinë, ilirët e historinë e trojeve të tyre, ku u mbajtën Koncilet kishtare ilirike, të cilat do të jenë në qendër të vëmendjes sonë, në bisedat e ardhshme. Folëm, në emisionet e kaluara, për Koncilet e para të Kishës Katolike universale, duke u ndalur edhe tek termat përkatëse, për të kaluar, në vijim, tek Koncilet e para kishtare në Illyricum. Por, para se t’i përshkruajmë shkurtimisht këto Koncile, nuk mund të mos kujtojmë, më parë, ç’do të thotë Illyricum dhe Ilirë.Është fjala për tokat e Ballkanit dhe të Evropës së Mesme që, në kohën e romakëve njiheshin me emrin Illyricum, emër që e morën sepse banoheshin nga raca e ilirëve, shumë e përhapur në atë kohë. Mbetjet e tyre jetojnë edhe sot në skajin jugor të trojeve të gjera, ku shtriheshish në zanafillë të historisë së tyre, humbur në mugëtirën e kohëve. Populli i vogël, që e quan veten shqiptar dhe që njihet nga të huajtë si Albanez a Arnaut, ruajti në rrjedhë shekujsh gjurmët e kësaj lashtësie, kombësinë e gjuhën.
Kujtojmë se ilirët u vendosën në Ballkan në shekullin X para Krishtit, domethënë, shumë kohë para se popujt e Evropës të fillonin ta shkruanin historinë e tyre. Vetë ilirët, me sa dihet deri më sot, nuk lanë ndonjë dokument të shkruar. Prej këndej, njoftimet e para mbi zanafillën e tyre i gjejmë duke shfletuar shkrimet e historianëve grekë e latinë
Me që u shkruan disa shekuj pas ardhjes së Ilirëve, rrëfimet e tyre morën ngjyrimin e legjendave e të miteve greke, më shumë se të historisë.
Sipas variantit kryesor, kushtuar zanafillës së Ilirëve, historia e tyre fillon me Ilirin, birin e Kadmit e të Harmonisë, që u dëbuan nga Teba e Greqisë. Ravgues nëpër udhët e gadishullit, ata më në fund zunë vend në viset, që më pas morën pikërisht emrin e Ilirit: Ilirí. Ndërsa popujt që i banuan, u quajtën Ilirë.
Sipas një varianti tjetër, atij të historianit të lashtë latin Appian, Iliri ishte biri i Qikllopit Polifem, pikërisht atij, që u verbua nga Odiseu, dhe i gruas së tij, Galatea.
Nga kjo martesë, përveç Ilirit, lindën edhe dy djem të tjerë, që u quajtën Kelt e Gallat. Këta emigruan drejt Sicilisë dhe u dhanë emrin dy popujve parahistorikë. Kështu bijtë e Polifemit themeluan Ilirët, Keltët e Gallatët.
Ndërsa vetë Iliri pati gjashtë djem, të cilët, sipas gojëdhënës, themeluan gjashtë fiset kryesore ilirike: Taulantët, Enkelët, Autariatët, Desaretët, Dardhanët dhe Partenët. Më vonë në skenën e historisë së këtyre trojeve dolën fise të tjera luftarake, që lanë pas kujtimin e bëmave të tyre historike, edhe këto, të përshkruara nga historianët grekë e latinë. Ishin: Albanët, Dorsejtë, Japodët, Labeatët, Molosët, Parthinët, Thesprotët, Pirustët, Japigët, Kaonët, Mesapët, etj.
Tek Farlati, autor i veprës munumentale “Illyricum Sacrum”, (shek XVIII) lexojmë se mbreti i parë i Ilirisë ishte Ylli, i cili jetoi në shekullin XII para Krishtit. Pasardhësi i tij, Kliniku, mbretëroi në kohën e luftës së Trojës dhe luftoi përkrah grekëve, duke marrë pjesë në betejat detare me 72 anije.
Bashkësitë fisnore ilire u formuan në shekujt e parë të mijëvjeçarit të fundit para Krishtit. Në përgjithësi ata zunë vend në trojet e tyre historike. Ndër fiset më të hershme ilire, që luajtën dhe një rol ku më shumë e ku më pak të rëndësishëm në ngjarjet historike të mëvonshme, për t’u përmendur janë:Thesprotët, të cilët zinin ultësirën bregdetare që nga gjiri i Ambrakisë e deri tek lumi i Thiamit (Kalama); në veri të tyre vinin Kaonët, vendbanimet e të cilëve arrinin deri tek malet e dhe gryka e lumit. Molosët banonin në pllajën pjellore të Janinës. Gjatë luginës së Vjosës, në të majtë banonin Amantët, ndërsa në të djathtë, Bylinët. Në lindje të Bylinëve shtrihej territori i Atintanëve. Taulantët shtriheshin në zonën bregdetare nga Vjosa e deri tek lumi i Matit, ndërsa në veri të tij, përgjatë brigjeve të të Mesëm, shtrihej fisi i Ardianëve.
Në viset e Ballkanit Qendror dy ishin fiset më të mëdha dhe më të rëndësishme ilire: Paionët në luginën e mesme të Vardarit, dhe Dardhanët, që banonin në rrafshin e Kosovës. Shtriheshin në veri, në tokat midis degëve jugore e perëndimore të Moravës, deri aty ku këto bashkohen për të formuar Moravën e Madhe.
Ndërmjet fiseve të hershme të Ballkanit Veriperëndimor ndër më të fuqishmit ishin Liburnët, të cilët banonin në bregdet dhe në ishujt deri tek lumi Krka; në jug të tyre vinin Dalmatët; kurse në viset e Bosnjës së brendshme, Autariatët.
Këto troje u bënë teatër i lindjes së Krishterimit. Këtu u themelua hjerarkia e lashtë e Kishës Katolike e u mbajtën edhe Koncilet e para Ilirike, për të cilat do të flasim në emisionet e ardhshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.