2012-07-26 15:00:43

Festa liturgjike e shën Joakinit dhe e shën Anës. Papa: “gjyshërit” e Jezusit, shembull bashkimi e dashurie ndërmjet brezave


Kisha Katolike kremtoi sot festën liturgjike të shën Joakinit e të shën Anës, prindërit e Zojës së Bekuar. Në Vatikan, në hyrjen nga ana e portës së Shën Anës, ndodhet një kishë, që mban emrin e saj, pjesë e famullisë së këtij shteti të vogël. Siç është tradita, edhe sivjet, vikari i përgjithshëm i Papës për Shtetin e Vatikanit, kardinali Anxhelo Komastri kremtoi aty një meshë, gjatë së cilës u lut veçanërisht për të gjitha nënat e botës. Po në këtë kishë, pasdite, në orën 18.00, kremton meshën edhe kreu i Guvernatoratit të Vatikanit, kardinali Xhuzepe Bertelo.RealAudioMP3
Ndoshta pyetja nuk është origjinale, por edhe të krishterit më të humbur do t’i ketë shkuar nëpër mend se ç’do të thoshte për Shën Joakinin e për Shën Anën të ishin ati dhe nëna e Marisë, gjyshi dhe gjyshja e Jezusit? Ndër përgjigjet e mundshme, që mund t’i jepen kësaj pyetjeje, një siguri: dashuria që bashkonte anëtarët e kësaj shtëpie të veçantë është një ikonë, kundrimi i së cilës na bën të kuptojmë bukurinë e lidhjeve familjare, në një kohë kur relativizmi e të ashtuquajturat “modele të reja të familjes” e kanë zbehur rolin e gjyshërve.
Edhe në trevat shqiptare, pavarësisht se vlerat e familjes janë akoma të forta, shumë të moshuar mbeten vetëm për shkak të emigrimit të bijve, duke përballuar një jetë, e cila nuk është e lehtë as për të rinjtë. Duke u kujtuar të gjithëve, pra edhe emigrantëve, se duhet të bëjnë ç’është e mundur të kujdesen për ata, që “u kanë bërë kokën”, siç thonë shqiptarët, ka edhe një aspekt tjetër, që vihet në dukje nga festa e shën Joakinit e të shën Anës. Ja ç’thotë Papa Benedikti XVI për këtë:
“Ky kremtim na bën të mendojmë për temën e edukimit, që ka një vend shumë të rëndësishëm në baritorinë e Kishës. Në veçanti, na fton të lutemi për gjyshërit, të cilët janë depozituesit e shpesh edhe dëshmitarët e vlerave themelore të jetës në familje. Detyra edukative e gjyshërve është gjithmonë shumë e rëndësishme dhe, bëhet edhe më tepër, kur, për arsye të ndryshme, prindërit nuk kanë mundësi t’u qëndrojnë pranë fëmijëve, ndërsa rriten”. (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 26 korrik 2009)








All the contents on this site are copyrighted ©.