44-vjetori i “Humanæ Vitæ”, Enciklikë e Palit VI, tekst guximtar e largpamës.
Më 25 korrik të vitit 1968 botohej Enciklika e Palit VI Humanæ Vitæ. Dukumenti,
që paraqet vizionin e Kishës mbi dinjitetin e jetës njerëzore, posaçërisht mbi zënien
e saj dhe paligjshmërinë e teknikave kundër shtatzanisë, qe fryt i një pune të gjatë
e shpesh edhe të kundërshtuar ashpër, realizuar nga një Komision studimi. “Detyra
e vështirë për ta transmetuar jetën njerëzore, në të cilën bashkëshortët janë bashkëpunëtorë
të lirë e të përgjegjshëm të Hyjit Krijues, ka qenë gjithnjë burim gëzimi, ndonëse
nuk kanë munguar kurrë as ankthi e vështirësitë…”. Me këto fjalë nis enciklika
e Palit VI Humanæ Vitæ, mësimet gjithnjë aktuale të së cilës, u ripohuan me
forcë nga papët pasardhës. E edhe Benedikti XVI e ka lavdëruar disa herë largpamësinë
e Enciklikës, siç po e kujtojmë në këtë 44 vjetor.
“Seksualiteti është pasuri,
që vjen nga Zoti, jo mall tregu”. Duhej guxim për ta pohuar këtë parim themelor, në
një epokë, si ajo, nisur me ‘68-tën, në të cilën “çlirimi seksual” qe flamur i shpalosur
me agresivitet nga ata, të cilët donin të këpusnin çdo lidhje me rregullat e së kaluarës,
sepse i shikonin - e i shikojnë - si pengesë për lirinë e vërtetë të njeriut. E pikërisht
guximin, njëheresh me largpamësinë profetike të Palit VI, Benedikti XVI e ka theksuar
disa herë, duke e vlerësuar lart këtë dokument, nënshkruar më 25 korrik, 44 vjet më
parë: “Ky dokument u bë shumë shpejt shenjë kundërshtie. I hartuar në dritën
e një vendimi jo të lehtë, është gjest guximtar në përpjekjen për të ripohuar vazhdimësinë
e doktrinës e të traditës së Kishës. Ky tekst, shpesh herë i keqkuptuar e i vënë në
dyshim, shkaktoi diskutime të ndezura edhe pse pa dritën në një kohë mohimesh të thella,
që ndikoi mbi jetën e breznive të tëra”. Ishte data 10 maj 2008, kur Benedikti
XVI shprehej kështu para pjesëmarrësve në takimin ndërkombëtar, organizuar me rastin
e 40-vjetorit të ‘Humanæ Vitæ’.Dashuria bashkëshortore, që pranon dhuratën
e paçmuar të jetës, duhet t’i lidhë ngushtësisht lirinë me të vërtetën, pohonte Papa,
duke theksuar se është fjala për një mësim jo të lehtë, mbi “një të vërtetë të pandryshueshme”,
që pas kaq kohe e nxjerr edhe më në pah “largpamësinë me të cilën përballohet problemi”. “T’i
lidhësh ngushtësisht lirinë me të vërtetën, kur është fjala për të vlerësuar dhuratën
e paçmuar të jetës njerëzore”: mbi këtë temë themelore, sa të vjetër, aq edhe të re,
u përqendrua fjalimi i Benediktit XVI. Një fjalim me frymëmarrje të gjërë mbi një
nga vlerat e padiskutueshme, aq të dashura për Papën. Audienca e asokohsme i krijoi
Benediktit XVI mundësinë të kujtojë guximin dhe largpamësinë e Papës Montini në publikimin
e enciklikës e cila, për fat të keq, shpesh herë nuk u kuptua si duhet. Papa Ratcinger
theksoi edhe një fjalë kyçe, për të kuptuar enciklikën e Palit VI, fjalën “dashuri”.
Një dashuri, që i ka rrënjët në Zotin e, prej këndej, nuk mund ta shikojë kurrë trupin
njerëzor si mall, i cili mund të shitet e të blihet: “Në një kulturë, që
i nënshtrohet sundimit të pasjes mbi qenien, jeta njerëzore rrezikon ta humbasë fare
vlerën. Në se ushtrimi i seksualitetit shndërrohet në drogë, që kërkon t’ia nënshtrojë
partnerin dëshirave e interesave vetjake, pa i respektuar fare kohët e njeriut të
dashur, atëherë nuk duhet mbrojtur më vetëm koncepti i dashurisë, por, në radhë të
parë, vetë dinjiteti i njeriut”. Dashuria, parë si dhuratë e jo thjesht
si akt, na kujton, sipas Papës, veprën e Zotit në zanafillën e krijimit. Gjithsesi
sot, ashtu si në kohët e Palit VI, vëren Papa, ekziston prirja për t’u krijuar, posaçërisht
të rinjve, një vizion të shtrembëruar të dashurisë, idenë se dashuria është vetem
kënaqësi, larg çdo lloj përgjegjësie: “Të ushqesh shpresa të rreme për dashurimë
ose të gënjesh për përgjegjësitë e vërteta që duhen marrë mbi vete, kur ushtron seksualitetin,
kjo nuk e nderon një shoqëri, që ngre vazhdimisht zërin në mbrojtje të parimeve të
lirisë e të demokracisë. Liria duhet të përkojë me të vërtetën, me përgjegjësinë e
me forcën e përkushtimit ndaj tjetrit, edhe kur është fjala për fljime”. Pa e lënë vetën të sundohet nga joshja e teknikës, Kisha vijon ta shikojë
dashurinë bashkëshortore ndërmjet burrit e gruas si pjesëmarrje në veprimtarinë krijuese
të vetë Hyjit. Eshtë një vështrim plot respekt, i vëmendshëm ndaj asaj gjëje misterioze
e mahnitëse, që ndodh në transmetimin e jetës. Natyrisht, logjika e reciprocitetit
të mirëpritjes, e sundimit të vetvetes, e respektit të bashkëshortit, e përshpirtërisë
dhe e përgjegjësisë, që karakterizon këtë vizion, mund të duket me vjet drite larg
prej ndarjes së seksualitetit nga përgjegjësia, prej përpjekjes “për ta shndërruar
seksualitetin në drogë”, që sot çirret nga çdo çdo skaj i rrugëve tona e i qyteteve
tona, nga çdo ekran i TV -ve e i kompjuterave tonë. Por pikërisht për këtë enciklika
Humanæ Vitæ është largpamëse. Duke marrë guximin të thotë fjalë të vështira, na
kujton të vërtetën mbi dinjitetin e njeriut, të jetës e të dashurisë, që tepër shpesh
bie në harresë. E, si pasojë, njeriu nuk bëhet aspak më i lumtur, përkundrazi,
“mbyllet në rrethin e egoizmit mbytës që, siç thotë Papa, rri gjithnjë në pritë”.
Ndërsa “dashuria dhe arsyeja së bashku, vijon Benedikti XVI, mund të bëjnë diçka shumë
të madhe”: Po: duhet shpëtuar dashuria, për të sotmen e për të nesërmen. Për të gjithë!