Willy Kamsi: mos të harrohet roli që pat Luigj Kurakuqi në shpalljen e Pavarësisë.
Kush don ta zhdukë Luigj Gurakuqin nga historia e Shqipërisë? Në këtë vit Jubilar
të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë konstatojmë me keqardhje se nga institucionet
shtetërore dhe madje edhe nga personalitete të politikës shqiptare, nuk përmendet
fare Luigj Gurakuqi, për rolin që ka luajtur në atë ngjarje madhore të kombit shqiptar.
Përmenden gjithfarë emrash të tjerë, por jo ai i “krahut të djathtë” të Ismail Qemalit. Duhet
të mos harrohet, sidomos sot në këtë 100-vjetor, roli kryekreje që luajti Luigj Gurakuqi
në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912. Veprimtaria e tij politike
e atdhetare nis që kur, ende student, është ndër bashkëpunëtorët më të zellshëm të
revistës “Albania” të Faik Konicës. Merr pjesë në Kongresin e Manastirit për Gjuhën
shqipe (1908). Është drejtori i parë më 1909 i Shkollës Normale të Elbasanit. Më 1911
merr pjesë me Ismail Qemalin në Kryengritjen e Malësisë së Madhe, nën drejtimin e
Dedë Gjo’ Lulit, dhe harton Librin e Kuq të Gërçes me kërkesat e malësorëve ndaj Perandorisë
Osmane. Dhe ishte vetëm 32 vjeç. Ndoqën përpjekjet e fundit për të arritur te Pavarësia,
dhe këto u konkretizuan duke u takuar me Koloninë shqiptare të Bukureshtit, për të
vijuar me shkëmbime të nivelit më të lartë me Ballplatzin në Vjenë. Mbas këtyre përpjekjeve
arriti momenti kaq i pritur prej të gjithë atdhetarëve shqiptarë, i ngritjes së Flamurit
në Vlorë, ku në rolin kryesor gjejmë përsëri Luigj Gurakuqin, i cili harton e shkruen
me dorën e vet tekstin që lexohet në dokumentin e Shpalljes. Të mos harrojmë edhe
më vonë luftëtarin, me të tjerë atdhetarë, për mbrojtjen, në kohën e princ Wied-it,
të Shtetit Shqiptar (1914), kur mbet i plagosur, apo kontributin duke qenë Drejtor
i Drejtorisë së Arsimit (1916-1918) në vitet e Luftës së Parë Botërore, duke hapur
me qindra shkolla, ku mësimet jepeshin në gjuhën shqipe, duke themeluar gjithashtu
Komisinë Letrare të Shkodrës. Ai u përpoq të bashkonte Veri e Jug, të krishterë
e myslimanë, gjuhë gege e toske. Dhe kështu u bë faktori kryesor në afrimin e shqiptarëve
për një qëllim të vetëm: Bashkimin Kombëtar me synim Pavarësinë Kombëtare. Si të
harrohet koha që qe ministër i Financave në qeverinë e Nolit dhe, si i tillë, kur
e vranë, nuk i gjetën në xhep veçse 400 lireta. O tempora! O mores! Përpjekjet
kundër nji figure të tillë u realizuan edhe me shembjen e shtëpisë së tij. Në qoftë
se qe vrarë një herë më 2 mars 1925, ai qe vrarë për të dytën herë nga gjyqi i Tranit
në Itali, duke e liruar nga burgu vrasësin, të tretën herë me shembjen e shtëpisë,
dhe sot duke e varrosur në harresën e amshuar. Sot në programin shtetëror parashihet
ndërtimi në Tiranë i Monumentit të Pavarësisë, si dhe monumentet e Ismail Qemalit,
Hasan Prishtinës, Ahmet Zogut, por fatkeqësisht jo ai i Luigj Gurakuqit, si bëri edhe
Enver Hoxha me Monumentin e Pavarësisë në Vlorë, në të cilin nuk gjendet atdhetari
ynë i shquar. Sa për Shtëpinë Muze në Shkodër, me gjithë përpjekjet e vijueshme
që nga viti 1995, kur kishte nevojë vetëm për mirëmbajtje, u arrit te shembja e plotë
në ditët e sotme, pa ndërhyrë askush për të ndaluar një krim të tillë bërë trashëgimisë
sonë historike. Dhe ishin vënë në dijeni ndërkaq jo më pak se katër ministra kulture,
të djathtë e të majtë, dhe instancat më të larta të Shtetit Shqiptar. E sot po
shohim një përpjekje të mëtejshme për ta errësuar këtë figurë e për ta zhdukur nga
Shpallja e Pavarësisë e prandaj nga historia e Shqipërisë. Por kjo nuk do të ndodhë,
sepse më në fund ka kaq atdhetarë për të mos lejuar që të arrihet të kryhet kjo vepër
antikombëtare. Prandaj, edhe një herë, u lutemi autoriteteve më të larta të Vendit
tonë për një ndërhyrje energjike duke e vlerësuar Luigj Gurakuqin për çka i përket:
duke e përkujtuar një-për-një me Ismail Qemalin, duke i ngritur monument në qendër
të Tiranës, duke rindërtuar Shtëpinë-Muze, mbasi në Institutin e Monumenteve gjenden
rilevimet e ndërtesës së vjetër me të gjitha hollësitë. Willy Kamsi Botuar
më 24 korrik 2012 në MAPO