2012-07-24 14:26:27

Siri: imzot Audo në Halab ekziston rreziku i një masakre si në Homs


Të krishterët në Damask e në Haleb janë të terrorizuar nga frika që mund të merren në shënjestër dhe të detyrohen të ikin nga vendi. Kështu deklaroi ipeshkvi kalde i Halab, imzot Antoine Aude. Sipas të dhënave të prelatit sirian, Kisha lokale ka frikë që mund të përsëritet katastrofa e pranverës së kaluar që ndodhi në Homs, kur lagja e të krishterëve qe bombarduar, duke detyruar ikjen në masë të mase 120 mijë besimtarëve të krishterë. Ipeshkvi sirian pohon se, me përshkallëzimin e gjendjes së konfliktit në Halab e në Damask, njerëzit i drejtohen atij, të dëshpëruar e të tmerruar pas braktisjes së shtëpive e pronave të tyre, duke ikur në drejtim të qyteteve e të fshatrave më të sigurta. Në një intervistë dhënë shoqatës Ndihmë Kishës që Vuan e ribotuar nga agjencia Zenit, imzot Audo tha: “Asaj që më shumë i frikohemi në këtë situatë anarkie, janë njerëzit e armatosur përreth Kishave e selive të dioqezave tona, siç pati ndodhur në Homs, e do të ishte një shkatërrim për ne”, shtoi ai. Prelati sirian më tek deklaroi se të dielën e kaluar gjatë Meshës, Kisha ishte gjysmë e zbrazët, sepse besimtarët kanë frikë të shkojnë në vende të kultit. Arsyet e kërcënimit kundër të krishterëve janë “shumë komplekse”, sipas ipeshkvit i cili shtoi: “Nuk jemi gjendje t’i kuptojmë qartë arsyet armiqësore të rebelëve ndaj të krishterëve. Atë që mund të themi – vijoi imzot Audo – është se nëse hyjnë në zonën e krishterë do të ishte vërtetë shumë punë e keqe. Frika e të krishterëve është shumë e madhe: jemi një pakicë e jemi gjithmonë të kërcënuar”. Duke nënvizuar frikën për mungesë të mbrojtjes, ipeshkvi tha: “Si mund t’i mbrojmë njerëzit tanë? Nuk kemi asnjë mundësi për bërë diçka të tillë. E nuk janë vetëm të krishterët që përfshihen në këtë situatë të rrezikshme, por ka edhe myslimanë, të kërcënuar si gjoja simpatizues të qeverisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.