2012-07-24 12:20:13

Shqipëri: Betohet sot Presidenti i ri, Bujar Nishani


Z. Bujar Nishani merr sot zyrtarisht postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, duke pasuar në këtë detyrë Bamir Topin.
Në orën 18:30, në sallën e seancave plenare të Kuvendit në Tiranë do të zhvillohet ceremonia e betimit të Presidentit të zgjedhur të Republikës së Shqipërisë.
Pas betimit e këndimit të Himnit Kombëtar, Presidenti i ri i Republikës do të mbajë para Kuvendit shqiptar një fjalë përshëndetëse. Në këtë seancë plenare është i ftuar Trupi Diplomatik si dhe personalitete të jetës politike, shoqërore e fetare të vendit. Në sallën e zbukuruar do të ketë ushtarë roje nderi, si dhe solistë dhe kori i Operas për të kënduar Himnin Kombëtar. Në monitor do të shfaqet Flamuri kombëtar dhe logoja e "100 Vjet Pavarësi".
Ndërsa rreth 500 të ftuar do të marrin pjesë në ceremoninë që do të zhvillohet në orën 19:00 të mbrëmjes në Presidencë.
Rreth orës 19:30 minuta, Presidenti në largim, Bamir Topi, do t'i dorëzojë Nishanit dosjet e mbetura për shqyrtim. Rreth orës 19:35 do të ekzekutohet Himni Kombëtar nga Banda e Ushtrisë, i pasuar nga 21 të shtëna topi me interval 30 sekonda nga njëra-tjetra.
Më pas, Truproja e Nderit parakalon para Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani, ndërsa z. Bashkim Dedja, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, i dorëzon në mënyrë simbolike Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Kujtojmë se Presidenti i ri i Republikës, z. Bujar Nishani, u zgjodh pasditen e 11 qershorit të kaluar me 73 votat e maxhorancës, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim. (nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.