Kardinali Filoni shuguron 4 ipeshkvij në Republikën Qendroafrikane
“Një mesazh shprese, që u kujtoi afrikanëve se nuk janë kurrë vetëm”, çoi në Afrikën
Qendrore Kardinali Fernando Filoni, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve,
gjatë vizitës së tij njëjavore në Republikën Qendroafrikane. Çasti më solemn i vizitës
ishte ai i së dielës, 22 korrik, kur Hirësia e Tij shuguroi 4 ipeshkvij, emëruar nga
Benedikti XVI më 14 majin e kaluar. “Kisha Qendroafrikane do të shkëlqejë nga
drita e Krishtit! Ju ftoj për një impenjim të ri misionar; tashmë tingëllon fort ora
e fillimit! Duhet të nisë një epokë e re, tha kardinali, përballë një turme prej më
se 1.500 besimtarësh, mbledhur në sheshin para katedrales së Banguisë për shugurimin
e ipeshkvijve të rinj, imzot Dieudonné Nzapalainga (kryeipeshkëv i Bangui), imzot
Nestor-Désiré Nongo Aziabgia (ipeshkëv i Bossangoa), imzot Dennis Abgenyadzi (ipeshkëv
i Berbérati) e imzot Cyr-Nestor Yapaupa (ipeshkëv ndihmës i Alindao). Së bashku
me kardinalin Filoni, njofton agjencia Fides, Meshën Shenjte, që zgjati pesë orë,
e bashkëkremtuan të gjithë ipeshkvijtë e Republikës Qendroafrikane, përkrah të të
cilëve, edhe ipeshkvij ardhur nga Franca, Kameruni, Çadi, Gana, si dhe shumë personalitete
të tjera të larta të Kishës e të shteteve afrikane. I pranishëm, edhe presidenti i
Republikës, Fraçois Bozizé. “Ati i Shenjtë ju dhuroi, më 14 maj, në festën e Shën
Matisë Apostull, katër ipeshkvij të rinj, tha kardinali Filoni gjatë homelisë: Zoti
jua jep për t’ju kullotur në lëndina të blerta, për t’ju qeverisur, për të shuar etjen
e urinë e shpirtrave tuaj, për t’ju prirë kah ujërat e sigurta. Zoti jua dhuron për
t’ju mësuar Fjalën e tij, që është vërtetësi e dritë, e cila u ndriçon njerëzve rrugën
e jetës. Zoti jua dhuron për t’ju shenjtëruar me sakramentet, që janë prani e Tij,
përmes Shpirtit Shenjt, ndërmjet nesh. Duke komentuar leximet biblike të ditës,
kardinali theksoi se Zoti e mbajti premtimin për të qenë bari i popullit të vet të
braktisur, duke ngjallur Jezusin e Nazaretit, Bariun e Mirë. E Ungjilli thekson një
nga tiparet kryesore të Bariut të Mirë: mëshirën. Prej këndej, çdo i krishterë, e
aq më tepër çdo ipeshkëv, i zgjedhur nga vetë Zoti, duhet të jetë ikonë e butësisë,
e mëshirës dhe e përdëllimit, ashtu si Jezusi. Pasi shpjegoi kuptimin e riteve
liturgjike të shugurimit ipeshkvnor, kardinali Filoni nënvizoi se Jezusi nuk e kufizon
mandatin besuar apostujve vetëm në një përmasë, por i bën ungjillëzues për një rreze
prej 360 gradësh. Për ta predikuar të vërtetën, por sidomos për ta jetuar! Për t’u
bërë dritë, në errësirën e botës, duke e mbushur përplot me dritën e Krishtit, përmes
dëshmisë së vetë jetës. Në përfundim Hirësia e Tij kujtoi Vitin e Fesë,
duke uruar që ky vit të jetë për të krishterët afrikanë rast i përshtatshëm për ta
fuqizuar e për ta thelluar fenë, në nivel personal e komunitar. Kujtojmë se gjatë
kësaj vizite, kardinali Filoni u takua me ipeshkvijtë e mëkëmbësit e përgjithshëm,
me meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, me mësuesët e seminareve dhe delegatët
laikë. Më 20 korrik Prefekti i Dikasterit Misionar u prit në audiencë nga kreu
i shtetit, pasi vizitoi edhe disa jetimore e famulli të Bangui. Më 26 kthehet në
Romë. Kujtojmë edhe se, sipas të dhënave të kohëve të fundit, Kisha në Republikën
Qendroafrikane shtrihet në një territor me sipërfaqe prej 622.984 kmk, me një popullsi
prej 4. 298.000 banorë, nga të cilët, 1.282.000 katolikë, organizuar në 9 qarqe kishtare,
116 famulli, 10 stacione misionare me meshtarë të përhershëm e 1.615, me meshtarë
shëtitës. Kishës i shërbejnë 11 ipeshkvij, 192 priftërinj dioqezanë e 125 rregulltarë,
ndërmjet të cilëve, 23 nuk e kanë urdhërin e meshtarisë; 354 rregulltare, 13 anëtare
të instituteve rregulltare femërore, 26 misionarë laikë, 4.199 katekistë. Në seminaret
e vogla përgatiten 222 kandidatë për priftërinj, 124 për rregullatrë. Në seminarin
e madh vijojnë përgatitjen 156 kandidatë për priftërinj dioqezanë, 62 për rregulltarë.
Kisha drejton 106 kopshte, 148 shkolla fillore e 23 të mesme, përveç 114 instituteve
të bamirësisë e të asistencës, ndërmjet të cilave, 12 spitale, 35 dispanseri, 8 qendra
për pleq e handikapatë, 4 jetimore, 23 qendra riedukimi.